NDAL koncesionit te TVSH-se dhe pajisjeve fiskale- Opinion Eksperti

*Opinion Eksperti nga Olti Rrumbullaku

Maqedonia kaloi ne gjeneraten e trete te pajisjeve fiskale (ato online ne sistemin e tatimeve dhe te enkriptuara) qysh ne 2014 dhe pa konçesion. Kroacia po ashtu ka vite qe ka kaluar ne nje sistem te tille. Serbia eshte nje tjeter shtet ne rajon qe e ka kaluar ne nje sistem te tille te transmetimit te te dhenave nga pajisjet fiskale. Pa permendur ketu Greqine, Bullgarine, apo nje mori shtetesh te tjera qe tashme jane prej kohesh ne standardin e zakonshem te transmetimit online te te dhenave fiskale.

Ky sherbim nuk eshte shkence berthamore qe shteti shqiptar nuk mund ta menaxhoje dot. Transmetimi ne kohe reale i te dhenave tatimore eshte thjesht investimi i domosdoshem qe administrata tatimore duhet ta kryente qysh vite me pare. Sistemi online i pajisjeve fiskale eshte nje zhvillim i metejshem i sistemit aktual qe ka administrata tatimore.

Nese shteti shqiptar nuk arrin dot te beje nje sistem online qe Maqedonia, Serbia, Kroacia dhe gjithe shtetet rrotull kane se paku dy vite qe po e perdorin, atehere vertete qe paaftesia shteterore ka arritur ne nivele akute.

Per me teper, kushti qe konçesioni i TVSH-se dhe pajisjeve fiskale te marre deri ne 90% te shteses se te ardhurave mbi shtesen mesatare prej 11% eshte thjesht tejkalim i çdo arsyeje ekonomike, ligjore dhe politike. Me kete tarifim konçesionari kthehet ne nje kontrollues te drejtperdrejte te buxhetit te shtetit, duke pasur mundesine qe te ndikoje ne te ardhurat e mbledhura dhe po ashtu duke pasur ndikim ne te gjitha ndryshimet e mundshme te politikes fiskale dhe asaj tatimore qe normalisht do ndikojne edhe ne te ardhurat e tij. Shkurt, mund te behet e pamundur ndryshimi i aspekteve te ndryshme te TVSH-se, apo ndonje tatimi tjeter, pa miratimin e konçesionarit, per shkak se keto ndryshime ligjore ndikojne drejtperdrejte ne te ardhurat e konçesionarit. Nje shtet qe nuk eshte i lire te beje nje politike fiskale eshte nje shtet i rene.

Ky konçesion shkel perfundimisht vijen e kuqe te autoritetit tatimor te shtetit, shkel Kushtetuten dhe shkel çdo gje qe kish mbetur pa shkelur ne ekonomi.

/Shqiptarja.com/