Alvaro Morata i pakënaqur te Chelsea. “Asgjë nuk po shkon mirë”

Alvaro Morata nuk ishte në formën e tij më të mirë në ndeshjen e mbrëmjes së djeshme të luajtur ndaj PAOK. Sulmuesi u zëvendësua në minutën e 80-të të takimit nga trajneri Sarri, i cili hodhi në fushë Olivier Grioud. Londinezët arritën të fitonin përballjen e parë në Selanik ndaj vendasve në kuadër të Ligës së Kampionëve. 26-vjeçari shënoi një gol në pjesën e dytë, por u anulua nga gjyqtari.

 

 

Ish-ylli i Juventus u duk i zemëruar me trajnerin pasi ky i fundit e nxorri nga fusha. Ai u drejtua menjëherë drejt dhomës së zhveshjes, ndërsa vendin e tij e zuri sulmuesi francez. Ky i fundit nuk arriti që të gjejë rrjetën gjithashtu. Takimin e vendosi goli i Willian që në pjesën e parë të takimit, shënuar në minutën e 7-të.

Deri më tani, Morata ka luajtur gjashtë ndeshje me Chelsean për këtë sezon dhe ka shënuar një gol (ndaj Arsenal). Ai po përpiqet që të lërë pas vuajtjet e sezonit të kaluar dhe të bëjë më të mirën e tij në “Stamford Bridge”. Në një intervistë të dhënë për median pak javë më parë, lojtari pranoi se nuk ishte i lumtur edicionin e kaluar pasi nuk po aktivizohej.

 

 

“Vitin e kaluar nuk isha i lumtur. Gjithçka shkoi keq. Futesha në fushë dhe nuk dija se ku isha”- tha ai, ndërsa pranoi më tej se kishte menduar largimin gjatë merkatos së verës.

“Natyrisht që mendova të largohesha, të rikthehesha në Spanjë ose Itali”- pranoi sulmuesi iberik.

Alvaro ka bërë 31 paraqitje me londinezët sezonin e shkuar, ku ka shënuar 11 gola.