AMA dhe rasti i paprecedent i një vendi që po shkon drejt diktaturës së plotë

Rama me një gur vrau dy zogj dje: i hoqi Metës mikun e vet nga anëtar i Bordit të AMA-s dhe shtiu përfundimisht në dorë autoritetin që kontrollon median audiovizive shqiptare. Këmbënat e alarmit po bien fort: Forcohet diktatura në Shqipëri!

Autoriteti i Mediave Audiovizie nuk ka qenë asnjëherë një institucion i pavarur. Për vetë misionin që ka, përgjatë gjithë këtyre viteve, çdo parti që ka qenë në pushtet është munduar ta ketë nën kontroll. Ama, sa për sy e faqe publikut, çdo qeveri në aparencë, është munduar të paktën të mos shkelë ligjin haptas. Por epoka e kontrollit fshehtas të AMA-s mori fund kur Edi Rama erdhi në pushtet.

Me 6 nëntor të vitit 2014, me debate dhe kundërshtime të mëdha, kryetar i AMA-s u zgjodh Gentian Salaj, krejt anonim dhe me të vetmen punë të shënuar në CV: drejtor në platformën Digitalb. Pikërisht për këtë Salaj ishte i paligjshëm për atë vend pune. Në kriteret e përzgjedhjes është e shkruar qartë, për arsye që kuptohen, që kryetari i AMA-s nuk duhet të ketë pasur lidhje me asnjë institucion mediatik në vend. Prandaj dhe rasti i Gentit ishte dukshëm ndër shenjat e para të lindjes së ologarkëve, në këtë rast atyre mediatikë, dhe sidomos e një pushteti po instalohej dhe që nuk pyeste as për ligj e as për drejtësi.

Salaj në krye të AMA-s erdhi si një lobim i fortë i aksionerëve të Top Channel dhe Digitalb, natyrisht i dakortësuar edhe me TV Klan (sepse dihet që RTSH luan lojën e pushtetit në çdo kohë) me një mision të qartë: të kontrollonte liçencimin e operatorëve televizivë me liçenca kombëtare dixhitale. Ose me saktë t’i shtynte deri sa Top Channel të fitonte mjaftueshëm nga platforma e vet dhe mundësisht të arrinte të merrte dy frekuenca dhe jo një, siç i takonte.

Për të hedhur shkurtimisht pak më shumë dritë mbi këtë pjesë: Liçencat kombëtare dixhitale janë kusht i vendosur nga BE dhe ligji, dhe dhënia e tyre ka pasur afate të caktuara ligjore. Afate që janë shkelur me të dyja këmbët për shumë vite duke i faturuar Shqipërisë miliona euro gjoba. Këto të fundit, natyrisht nuk janë bërë kurrë publike, sepse ishin thjesht rrjedhojë e luftës së brendshme të operatorëve televizivë kombëtarë dhe kompromentimit të shtetit. Digitalb-it i interesonte të shtyhej sa më shumë dita e liçencimit sepse ekziston dhe fiton nga platforma e vet e transmetimit dixhital dhe aparaturat që shet sa frëngu pulën. Me dixhitalizimin e sistemit ai do të kishte vetëm humbje ose do të mbyllej përfundimisht. Prandaj dhe puna e parë që drejtuesit e tij bënë, ishte lobimi për Gent Salajn kryetar i AMA-s. Ai do të ishte Kali i Trojës brenda vetë sistemit.

Nga ky realitet doli Gent Salaj, të cilit i ndriti ylli i karrierës në një moment historik: institucioni që ai drejton kishte rolin dominues në prag të liçencimit të operatorëve televizivë dhe Genti bëri pastër dhe bukur lojën e padronëve të vet që komandonin nga Kashari. Pjesa tjetër e punës së Gentit ishte të çonte ujë në mullirin e vet. Loja e liçencave është pazar i madh e me lobues të mëdhenj, por Shqipëria është plot me transmtues të tjerë privat që për shumë arsye, herë pas here falen tek Genti i AMA-s.

Për ta luajtur këtë lojë Genti, natyrisht që kishte partnerët e vet: përfaqësuesit e pozitës (shumicë votash), në Bordin drejtues të AMA-s. Me të vetët, Genti ka kohë që kontrollon tregun.

Por çfarë po ndodh tani tek AMA? Pak javë më parë, Suela Musta (përfaqësuese e së djathtës) u arrestua për korrupsion aktiv me akuzën se kishte influencuar për heqjen e gjobave administrative për një prej televizioneve kabllore që posedonte fisi i Çapjave në Elbasan. Arrestim krejt i dyshimtë për aq kohë sa Suela ishte vetëm një votë në Bordin e AMA-s dhe si e tillë, e vetme ajo e ka të pamundur ta përmbushë këtë “detyrë”.

Ende pa kaluar stuhia e Suelës dje është shkarkur nga Parlamenti edhe anëtari tjetër i AMA-s, Zylyftar Bregu i rizgjedhur nga PS/LSI në vitin 2016. Me këtë lëvizje pushteti vrau dy zogj: Bregu është mik i Ilir Metës dhe natyrshëm një zë oponent në Bord. Së dyti një tjetër opozitar u largua nga Bordi.

Arsyeja zyrtare e shkarkimit të tij ishte “konflikt interesi”, për një tokë që ai ka marrë me qera, por askush nuk pa një relacion të institucionit që shqyrton konfliktin e interesit, siç është ILDKPI. Ja ku iku edhe një tjetër opozitar duke lënë pas vetëm dy vota opozite brenda Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive. Musta dhe Bregu nuk mund të jenë rastësi.

Rruga është e lirë tashmë. Musta dhe Bregu janë larguar kështu që pushteti, përmjet Gentian Salajt është krejt i lirë të manipulojë si të dojë çdo vendim që do të dalë nga AMA sa i takon tregut audioviziv.

Një këmbanë alarmi që na kujton se edhe i vetmi territor që kishte mbetur pa u pushtuar hapur nga diktatura, ra.

P. S. Zylyftar Bregu mund të mos jetë figura më e ndershme e Bordit të AMA-s e ndoshta tokën që ka marrë me qera nuk e ka fituar me të drejtë. Por për të qenë plotësisht transparentë a do ta marrë ndonjëherë në shqyrtim Parlamenti Shqiptar edhe kryetarin e AMA-s, Gentian Salaj për të parë nëse ka konflikt interesi apo për të kërkuar në raport se si e ka vënë pasurinë ai? Djaloshi me një bodero firmosur në jetë deri kur u bë kryetar, i cuditi të gjithë kur vetëm një vit pasi kishte marrë detyrën deklaroi 164 mijë euro pasuri kesh (të ardhurat vjetore të të dyve ishin vetëm 17 280 euro), një apartament në zonën e ish-Bllokut, 4700 m2 tokë në Krujë, një apartament banimi 217 m2 në rezidencën “Platea”, dhjetra mijë euro dhurata nga familjarët – një orë 19 mijë dollarëshe Genti dhe 38 mijë euro dhurata të çmuar bashkëshortja e vet etj. Apo ai është kryetari, lojtari i pushtetit dhe nuk duhet të japë llogari?

Fundja diktaturat kështu funksionojnë!

/Pamfleti