Ancelotti i dashuruar me Napolin. “Kam refuzuar Italinë”

Carlo Ancelotti është trajneri që do të drejtojë Napolin, duke filluar që nga 7 Korriku, kur të kaltrit do të nisin grumbullimin për sezonin e ardhshëm.
Ai do të pasojë Maurizio Sarrin, që në 3 sezone arriti të aplikojë një lojë spektakolare te napolitanët, por nuk ia doli të sjellë trofe.

Zgjedhja e Ancelottit u cilësua si mjaft e zgjuar nga De Laurentiis, pasi bëhet fjalë për një teknik me eksperiencë të madhe ndërkombëtare, që i bindi të gjithë të vijojnë qëndrimin te Napoli.

Vetë Carletto zbuloi se kontaktet me De Laurentiis kanë qenë shumë më të hershme, ndërsa pranoi se për të drejtuar Napolin, ka hequr dorë nga kombëtarja italiane.

“Do të vijë momenti që të drejtoj edhe një kombëtare, por për momentin preferoj akoma klubet. Refuzova Italinë, për të marrë drejtimin e Napolit dhe shpresoj të bëj sa më mirë atje. Klubet ku do ta kisha shumë të vështirë të stërvitja, janë Barcelona dhe Interi, për shkak se kam drejtuar rivalët e tyre të përjetshëm”, deklaroi Ancelotti.