Antishpifja si provë e fundit për të rrëzuar autoritetin e autoritetit!

Nga Zylyftar Bregu

Kur, duke përdorur kryetarin e AMA-s, mazhoranca nisi procedurat për shkarkimin tim si anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe po informoja përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Tiranë, pyetja që me përsëritnin ishte: Pse Rama do të marrë mazhorancën në AMA? Për çfarë i duhet, kur kishte mbaruar “de jure” dhënia e licensave dixhitale? Nuk kisha një përgjigje për ta, por kjo më shtyhu që ka kërkoja atë. E mësova shumë shpejt, edhe pse në atë kohë (nëntor 2018) shumë pak njerëz e dinin.  Përgjigja ishte e thjeshtë! Ramës i duhej mazhoranca në AMA, pikërisht për shkak të idesë që kishte që në atë kohë për ligjin anti-shpifje, që po diskutohet sot. Këtë përgjigje ua transferova sërish atyre që më pyetën, pra përfaqësuesve të organizatave dhe strukturave ndërkombëtare.

Qëllimi ishte i qartë! Meraku ishte i bazuar! AMA me atë përbërje e bënte nul ligjin antishpifje, për shkak të formulës politike që ishin zgjedhur anëtarët. Qeveria nuk kishte mazhorancën e autoritetit të mediave.

Në fakt, ky nuk ishte i vetmi hap në këtë drejtim. Kryetari i AMA-s ishte përdorur edhe më parë, kur në emër të bordit (shkelje ligjore proceduriale kjo, që është evidentuar nga bordi) kishte miratuar propozimet e mazhorancës qeverisëse për shpifjen.

Në një formë të paartikuluar qartë, këtu e ka merakun dhe arsyen nervozizmi i medias. Si mundet që një bord i ngritur nëpërmjet një formule politike të gjykojë në mënyrë të pavarur dhe profesionale produktin e medias online?!

Në pikën 4 të nenit 9 të ligjit për mediat audivizive që flet për mënyrën se si zgjidhen anëtarët e AMA-s, shkruhet shprehimisht: “Në çdo rast komisioni mban parasysh ruajtjen e balancës, tre kandidatë të mbështetur nga shumica parlamentare, tre të mbështetur nga opozita. Kandidatët për anëtarë të AMA-s i propozohen për miratim seancës plenare”.

Pak më poshtë, kur shpjegohet formula e zgjedhjes së kryetarit, duket qartë që edhe kryetarin e zgjedh shumica parlamentare. Pra, në bilancin përfundimtar shumica parlamentare (qeverisëse) drejton edhe AMA-n.

Kjo formulë e ndërtimit të AMA-s, si dhe infrastruktura teknologjike dhe njerëzore e AMA-s e bëjnë të pamundur monitorimin e paanshëm, të plotë dhe profesional të të gjithë korpusit (ose produktit) online.

Sipas filozofisë së “kokës së turkut”, AMA do të funksionojë vetëm me urdhëra partie, duke gjobitur ato media që i prishin humorin kryeministrit, ose edhe ndonjë eksponenti të lartë të partisë.

Ky qëllim duket se justifikon edhe nxitjen e kryeministrit për ta shtyrë karvanin përpara, edhe pse analistët (që ai i etiketoi si qentë që e shqetësojnë, kur ai është duke bilbilosur mbi rrënojat e tërmetit) dhe jo vetëm, po e kundërshtojnë me forcë këtë draft.

E këtu vijmë tek pika e dytë e kundërshtimit të kësaj nisme, e cila prodhon dy kundërshti konceptuale.

Së pari, nisma del kundër praktikës globale që media si pushtet nuk mund të rregullohet nga ndonjëri prej tre pushteteve që ajo monitoron, sepse këto të fundit kanë konflikt interesi me median. Zakonisht media identifikon dhe gjeneron mekanizma vetërregullues.

Së dyti, propozuesi është kryeministri dhe kryetari i një partie politike që qeveris Shqipërinë prej më shumë se gjashtë vitesh. Është pikërisht ky kryeministër që ka autorisinë e reformave, të cilat kanë përkeqësuar treguesit e demokracisë në vend. Rama është propozuesi i ndryshimeve  kushtetuese (brenda natës) të vitit 2008. Që në atë kohë, këto ndryshime prodhuan konflikt politik. Por, sot vështirë të gjesh dikë që të mendojë se ndryshimet kushtetuese kanë rezultuar pozitive. Si pasojë e këtyre ndryshimeve kushtetuese (pra, ndryshimit të sistemit elektoral dhe fuqizimit të kryetarëve të partive) dhjetra kriminelë hynë në parlament dhe në pushtetin lokal. Këto ndryshime kushtetuese e kanë kthyer pushtetin legjislativ në një shtojcë të pushtetit ekzekutiv, ose më saktë të kryeministrit.

Përpjekja e radhës e kryeministrit për të rregulluar pushtetin gjyqësor na ka lënë prej kohësh pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, si dhe më një ortek problemesh në shtyllën e tretë të shtetit, që është pushteti gjyqësor.

Pasi ka shkatërruar tre pushtetet, kryeministrit i duhet t’i mbyllë gojën pushtetit të katërt, që të mos bëjë publike rrënojat e tre pushteteve të tjera. Këtë do ta realizojë nëpërmjet autoritetit pa autoritet të medias audiovizive.

Autori ka qenë anëtar i Autoritetit të Mediave Audiovizive për periudhën 2010-2019