Arkitekti i mjediseve të brendshme, shqiptari i Gjermanisë që po u tregon europianëve rrënjët e qytetërimit të përbashkët

*Nga Laurant Bica

Niko Stillo është vijues  i çështjes së njohur të arvanitëve të Greqisë për të fituar të drejtat e tyre si një makrokomunitet disa milionësh dhe të qindra mijëra çamëve ortodoksë që jetojnë nga Preveza e Arta deri në Gumenicë e Filat, ai është një përfaqësues i denjë i tyre. Niko Stillo është i brumit rilindës në gen e në vepra e në tërë veprimtarinë e tij shkencore dhe praktike shoqërore. Ai është një rilindas i gjallë që është i pranishëm jo vetëm me veprën diturake.

Prishtina zyrtare është e para që botoi veprën e parë të tij të përkthyer në shqip “Historia e Shenjtë e Arvanitëve”. Aty Niko argumenton shkencërisht se në themel të mitologjisë greke është mitologjia pellazgo-iliro-shqiptare, ajo e Çamërisë – Epirit. Në veprën e dytë “Fjalori i Marko Boçarit” Niko argumenton lashtësinë e alfabeteve të shqipes me gërma greke e të tjera në “Isagogi”, pjesën paraprirëse prej mbi 100 faqesh.

Njëkohësisht na sjell fjalorin e Marko Boçarit. Gjuhësia është një fushë kryesore, një kalë i betejës i studiuesit Niko Stillo, nëpërmjet së cilës ai hyn për të provuar si lashtësinë e shqipes, ashtu edhe të shqiptarëve.

Libri “Etruskishte-Toskërishte”, prej rreth 700 faqesh, pjesën e parë të të cilit e kemi në shqip, të përkthyer nga zoti Llambro Ruci, shkrimtar, poet, përkthyes i njohur nga greqishtja.

Nëse Spiro Konda, pellazgolog i shquar shqiptar, që në vitet 50 të shek. XX, tregoi vlerën e shqipes në sqarimin e problemit pellazgjik; nëse Zaharia Majani, studiues francez, që në vitet 60 të shekullit XX, në dy veprat e tij për etruskët, sidomos në “Etruskët filluan të flasin”, prapë i drejtohet shqipes; Niko Stillo tani në vitin 2010-2011 na tregon se “Etruskët flasin shqip”. Nëpërmjet toskërishtës-çamërishtes shpjegohen rreth 140 tabelat me mbishkrime etruske të gjetura në Itali, Nikua i ka deshifruar të gjitha.

Zaharia Majani zbërthen një fjali: “She n’ulis rite” (Dmth “Përrua në të tatëpjetë është rinia”) dhe vlera e tij qëndron në faktin që zgjodhi shqipen si pikë referimi për të zbërthyer shkrimet në gjuhën etruske. Nikoja, pas një pune shumëvjeçare, sfilitëse, të mundimshme, ka zbërthyer tekstet etruske, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për albanologjinë, ballkanologjinë, pellazgologjinë e në mënyrë të veçantë për etruskologjinë, me rëndësi europiane e botërore.

Niko Stillo me punën e vet, me zotërimin e mbi dhjetë gjuhëve dhe të greqishtes si asaj të lashtë, bile në dialektet e veta jonike, dorike etj., të greqishtes bizantine, katharevusa, greqishten e Stambollit dhe dhimotiko (greqishtja popullore) është helenisti më i madh  shqiptar në kohën tonë. Ndihmesa e tij është e pashembullt. Zotërues i katër fakulteteve, profesor Niko Stillua është një enciklopedist e erudit i shquar që nuk mund të mos ngjallë admirimin tonë. Jeta e tij është një model për rininë tonë, veçanërisht atë studentore, për sakrificat e bëra për shkollim, për përkushtimin ndaj punës dhe për vullnetin dhe këmbënguljen e treguar në arritjen e qëllimeve të larta që i ka vënë vehtes në jetë. Vepra e tij, ajo e shkruar dhe ajo që ka në proces, është rezultat i një pune kolosale të bërë gjatë mbi gjysëm shekulli. Nikoja, nuk di të ngrihet nga puna me kompjuterin. Madje   ka shkruar edhe poezi të cilat priten të sillen së shpejti në shqip.

Gjithashtu dy vepra madhore të tij së afërmi do të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe: Fjalori katër gjuhësh i Dhanil Voskopojarit rreth 500 faqe (kur ai në origjinal s’ka as 40 faqe) dhe Fjalori Shqip-greqisht i ishullit Hidra i Panajot Kupitorit. Ky i fundit ka rëndësi të dyfishtë se na nxjerr në dritë një libër që flinte në arkivat greke, me qëllim apo pa qëllim dhe së dyti ai është tapia e ishullit të Hidrës që flet shqip edhe sot e kësaj dite dhe që luajti rol vendimtar në revolucionin grek të 1821.

Këtë revolucion, luftën për pavarësinë e Greqisë e bënë kryesisht shqiptarët, arvanitët e Greqisë. Populli në këngën e vet do të bubullinte:

Ngrehu Marko Shqipëria
Ngrehu të thërret Greqia”

Dhe në një këngë tjetër popullore thuhet:

“Ngrehu mor Marko Sulioti

Ti Xhavell’ e Kundurioti
O ju trimat e Shqipërisë
Që lirinë i dhatë Greqisë“

Niko Stilloja është në linjë të drejpërdrejtë nga babai i vet, stërnip i Marko Boçarit. Nuk ka asnjë rastësi  në marrjen prej tij me shqipen, arvanitët, çamët, ilirët, pellazgët, etruskët.

I  takon Shkollës së Janinës që lidhet me emrin e gjimnazit të dëgjuar “Zosimea”, të themeluar nga shqiptarët. Në bangat e tij u shkolluan një pjesë e mirë e rilindasve tanë më të shquar si Abedin Dino, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, vëllezërit Naim e Sami Frashëri, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Edhe Nikua, veç Prevezës e Athinës, një kohë të viteve të gjimnazit i ka bërë në Zosimean e Janinës. Vetëm se duhet të dallojmë disa breza rilindasish. Së pari kemi brezin e hershëm rilindas me Angjelica Palin (Kjo e zhvilloi aktivitetin e saj në Evropë dhe është si të thuash një Dora D’Istria e llojit vet, por një shekull para saj). Mbasandaj kemi brezin e rilindasve tanë të shquar të sipërpërmendur.

Këtyre do t’u shtonim dhe tre emra të tjerë; Peshkopin e Paramithisë Anthim Caco që më vonë erdhi në krye të Patriarkanës së Stambollit. Në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky dijetar çam botoi në Stamboll në gjuhen shqipe Ungjillin. S’mund të lëmë pa përmendur dhe dijetarët arvanitas njeri nga Salamina (Kulluri) Anastas Kullurioti që kish mbaruar Universitetin e Harvardit në shekullin XIX; tjetri Panajot Kupitori nga Hidra. Në gjurmë të tyre vjen në fillim të shekullit XX një gjuhëtar e akademik arvanitas si Petro Furiqi.

Vijimi,  rilindasit e sotëm arbërorë, të cilëve do t’u shtoja një emër arbëresh në krah të tyre, dijetarin Antonio Belushi nga Kalabria. Disa prej tyre janë ende gjallë e disa nuk jetojnë më. Po sjell disa nga emrat më të spikatur si Jorgo Maruga, folkloristi Vangjel Lapi, Aristidh Kola, Jorgo Miha, Jorgo Jeru etj. Niko ka qenë mik i ngushtë i rilindasit të mirënjohur, Aristidh Kola, që vdiq apo e helmuan tani në dekadën e fundit. Me Aristidhin dhe kryetarin aktual të shoqatës së Arvanitasve të Greqisë, Jorgo Jeru, kemi pasur fatin e nderin të flasim e të njihemi personalisht si në Stamboll dhe në Prishtinë në Javën e Kulturës Arvanitase më 2004. Aty e merr zanafillen edhe miqësia jonë me dijetarin, shkencëtarin e studjuesin Niko Stillo.

Biografia

Niko Stillo u lind më 1946 në fshatin Ftinë në Qarkun i Prevezës. Ai është i quajtur ndryshe si djali i Ftinës të Çamofshatrave mbi Prevezë dhe është endur nëpër disa vende evropiane duke iu futur studimeve ekonomike derisa përfundon në Gjermani si mjeshtër i interierëve të brendshëm të restoranteve.

Prindërit e tij flisnin në gjuhën shqipe në familje. Gjuhën greke Niko e mësoi në një moshë pak të rritur, gjatë kohës që filloi të ndiqte shkollën fillore, shkollën e letrave, siç i thoshin shqiptarët e Greqisë, gjuhës zyrtare greke vite të shkuara. Në krahinën e tij, njëri fshat dallonte nga fshati tjetër në gjuhë. Diku flitej shqip, diku greqisht edhe me tutje vllahisht.

Me idenë e një gjuhe të përbashkët, fanatikët të udhëhequr nga mësuesit e shkollave, gjetën terren për realizimin e qëllimeve të tyre. Mësuesit grekë numëronin fjalët e dëgjuara nga fëmijët që vinin nga familjet me origjinë shqiptare në gjuhën shqipe dhe i qëllonin me shkop në duar. Me gjithë kërkesat dhe metodat e rrepta për të mos folur gjuhën e prindërve, moshatarët e Niko Stilos e mësuan gjuhën e prindërve, shqipen.

Kur ishte në gjimnaz e mundonte pyetja se, ç’janë këta shqiptarët, këta arvanitasit. Me vite, njëra-tjetra, librat, ambienti i ndryshëm nga ai familjar dhe shkollor etj, dhanë një përgjigje. Gjeti shkrime 500, 800 vite para Krishtit. Mësoi se ajo gjuha e vjetër është shqipja. Duke lexuar gramatikat më të lashta greke të mbijetuara, i bëri përshtypje që në 12 vjetët e shkollës nuk kishte dëgjuar qoftë edhe një fjalë për to.

Duke u angazhuar gjithnjë e më tepër me temën e arvanitasve (shqiptarëve), gjeti fjalorin më të vjetër të gjuhës shqipe të Frang BardhitDictionarium Latino-Epiroticum”. Arriti në përfundimin se librat me të cilat ishte informuar në shkollë, jo vetëm nuk shkruanin të vërtetën, por përpiqeshin edhe ta mbulonin atë. U njoh me epigrame të palexuara të pellgut Mesdhetar të shkruara me alfabetin grek, prej atyre që perëndimorët i quajnë etruske, e vetëm një pakicë studiuesish i konsiderojnë ato se bëhet fjalë për gjuhën e shqiptarëve.

Në shtator të vitit 2004 mori pjesë në Simpoziumin shkencor për arvanitasit si dhe për të botuar librin e tij të parë në gjuhën shqipe “Historia e shenjtë e arvanitasve”. Libri flet për historinë e shqiptarëve në kohën antike. Në veçanti, në libër shkruhet për mumien e Egjiptit që ndodhet në muzeun e Zagrebit.

Niko Stillo “devijon”, drejt një kauze tjetër duke ndenjur afër Spiro Muselimit, në rrugët e mërgimit i kushtohet përfundimisht studimit të historisë, gjuhës së popullit të vet, Çamërisë, Shqipërisë dhe lashtësisë së tyre. Si autodidakt, arriti të bëhej një studiues i mirëfilltë, duke kulmuar me veprat “Historia e shenjtë e Arvanitëve” dhe “Fjalori i Marko Boçarit“. Në jetëshkrimin për të shkruhet se “ai ecën në gjurmët e Aristidh Kolës, të cilin e ka pasur mik të dashur e shok të ngushtë jo vetëm në fushën e letrave, por dhe të veprimit.