Atletico Madrid zyrtarizon kontratat me 3 futbollistë

3 zyrtarizime në një ditë për Atletico Madrid. Në orët e vona të së hënës, Los Colchoneros zyrtarizuan kontratat e reja për sulmuesin Antoine Griezmann, mbrojtësin Lucas Hernandez ndërsa hodhi firmën për Atletico edhe Thomas Lemar i cili pritet të jetë një nga përforcimet më të rëndësishme të kësaj vere.

 

 

Udhëtimi i Gil Marin për në Rusi në vendgrumbullimin e kombëtares franceze rezultoi më shumë sesa i vlefshëm për klubin bardhekuq. Griezmann pasi bëri me dije vendimin e tij për të qëndruar te Atletico Madrid rinovoi zyrtarisht deri në vitin 2023 me një klauzolë largimi prej 200 milionë eurosh. Nga kontrata e re sulmuesi francez do të përfitojë më shumë se 20 milionë euro në sezon, duke rreshtuar përkrah futbollistëve më të paguar në botë.

Deri në 2024 firmosi mbrojtësi i talentuar Lucas Hernandez i cili gjithashtu është pjesë Francës në Kupën e Botës, ndërkohë që pasi arriti një marrëveshje paraprake me Monacon, Atletico arriti të firmoste me Lemar i cili pranoi të bëhet pjesë e Los Colchoneros, tashmë mbetet për t’u arritur akordi përfundimtar me klubin nga Principata.