Belgjika! Kur federata punon me mend dhe projekte afatgjatë

Suksesi i Belgjikës ndaj Brazilit nuk është një rastësi, por një strategji e mirëmenduar nga federata belge e futbollit vite më parë. Në verën e vitit 2002 Djajtë e Kuq eliminoheshin nga Botërori aziatik pikërisht nga Brazili, pas një ndeshje me shumë polemika për një gol të anulluar të ish mesfushorit Marc Vilmots. Ishte fundi i një brezi të artë, një ekip me moshë të madhe ndërsa skuadra do të mungonte në turnetë madhorë që nga Euro 2004 deri në 2012, ku shumë trajnerë do të largoheshin. Në mesin e kësaj periudhe po hidheshin etapat e ndërtimit të së ardhmes, pasi në vitin 2007 skuadra e 21 vjecarëve shkonte deri në gjysmëfinalet e europianit të kësaj grupmoshe. Në majin e vitit 2012 skuadra i besohet ish kapitenit Marc Vilmots, me objektivin e vetëm të përmirësonte grupin pa patur mbi supe përgjegjësinë e rezultateve.

 

 

Frytet e punës erdhën shumë shpejt, skuadra u përmirësua ndjeshëm aq sa shtypi sportiv vendas dhe ai Botëror lajmëronte lindjen e brezit të artë në Belgjikë. I mbushur me të rinj të talentuar, formacioni i Vilmots kualifikohet për në Botërorin brazilian pa asnjë humbje duke arritur për herë të dytë në çerekfinalet e një Kupe Bote. Në 2016 erdhi kualifikimi për në Europianin e Francës, ndërkohë që që nga nëntori i 2015-ës qëndroi për 5 muaj si e para në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s. Në europianin francez ishte uellsi i Gareth Bale që prishi ëndrrat për një finale të turneut kontinental me Vilmots që dha dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Pasuesi i tij u zgjodh Roberto Martinez që po udhëheq skuadrën në gjysmëfinalen  e dytë në histori, me shpresën që gjenerata e artë të arrijë diçka më shumë se vendi i 4 historik në Botërorin meksikan të 1986.

 

 

Lojtarët janë, pasi skuadra është e përbërë nga futbollistë që luajnë në kampionatet më elitare dhe me skuadrat më të mira në Europë, ndoshta ajo që i mungon është eksperienca në këto nivele. Në Belgjikë mund të qëndrojnë të qetë, pasi puna e nisur vite më parë po jep frutet e veta, me një skuadër e cila është gjithashtu e re në moshë