Blushi: “Te ndertojme Islamin e ri”

Lidhur me artikullin:

Nga Ben Blushi

 

Kur je duke u djegur eshte e pamundur te mendosh se çfare do te besh kur te mbaroje zjarri. Jam i sigurt se ne kete gjendje jane sot gjithe qytetaret e Frances pas ngjarjeve te djeshme ne Paris.

Eshte shpejt per ta, per te vendosur çfare duhet bere qe terrori te mos perseritet me. Ata e dine se pas disa kohesh do te kete serish vrasje, masakra, bomba dhe kamikaze qe hedhin ne ere dyqane, restorante, ura dhe salla plot me njerez te pafajshem. Ashtu siç ndodhi edhe pas Charlie Hebdose, francezet dhe gjithe evropianet e tjere do t’i kthehen serish menyres se tyre te jeteses. Shkollat do hapen, rruget do pastrohen, koncertet do vazhdojne dhe stadiumet do mbushen.
E megjithate pyetja torturuse i rendon sot ndergjegjes sone.

Çfare duhet bere qe mos perseritet me terrori qe pame ne Paris?

Si duhet te sillemi? Duhet te leshojme bomba, tanke, avione dhe zjarr mbi celulat e ISIS ne Siri? Duhet te mbyllim dyert ndaj emigranteve dhe ta kthejme Evropen ne nje ishull te mbyllur ndaj botes? Duhet te zbojme ata qe kane ardhur ne ishull dhe qe ndoshta nuk kane asnje faj, perveçse jane myslimane, pra kane te njejten fe me ata qe vrasin ne emer te fese?
Ndoshta shumica e ketyre do te ndodhin. Franca bashke me Perendimin do te mobilizohet me fort ne luften e vonuar ndaj ISIS, partite politike radikale do te forcohen, emigranteve do t’u izolohen shtigjet per te ardhur ne Evrope, policia do te marre me shume fonde per te parandaluar terroristet, femijet do te mesohen te mos bashkejetojne me njerez te feve te tjera, paniku do te kthehet ne menyre jetese.

Per pak kohe e gjitha kjo mund te funksionoje.Evropa do kete nevoje te bindet se ka fuqi te ndeshkoje ata qe vrasin pa shkak.

Po pastaj?

Pastaj do kete serish nje Charlie Hebdo, nje Bataclan dhe ndoshta diku tjeter ne Evrope do te shperthejne sallat ku njerezit mblidhen pas pune, me deshperimin fatalist se kjo beteje nuk ka fund. Eshte njelloj si te kesh ne trup nje çip, te cilin e kontrollon dikush tjeter, qe nuk je ti. Ti jeton me te, duke pritur shperthimin.
Shume shpejt Evropa do te jete serish perballe pyetjes, çfare duhet te bejme. Si ta ndalim?

Une mendoj se Evropa nuk e zgjidh dot e vetme. Nuk them se Evropa eshte e pafuqishme, nuk them se nuk ka dijen, forcen, vullnetin dhe armet e duhura per ta shfarosur terbimin, por çeshtja eshte se çdo fitore mbi terrorizmin e frymezuar nga feja nuk eshte e plote, nuk eshte e mjaftueshme. Eshte vetem e perkohshme. Dhe si e tille sherben vetem per te shuar zjarrin e hakmarrjes se drejte mbi padrejtesine dhe barbarine.

Atehere kush mund ta zgjidhe?

Si do te binden miliona djem dhe vajza evropiane te besimit islam se nuk duhet te vrasin me komshinjte e tyre, se nuk duhet te pushtojne rruget ku jane rritur, se nuk duhet te hedhin ne ere qytetet ku kane jetuar?
Nese Evropa nuk e ka kete fuqi, kush mund t’i ndale ata? A ka force tjeter ne bote perveç ligjit, moralit dhe forces qe e bind nje femije te mos kthehet ne kamikaz?

Une besoj se ka. Eshte vete Islami.

Prej shekujsh pjesa tjeter e botes, qe nuk eshte islam, jeton me shpresen se Islami do te zbutet. Se ky burim influence tokesore do te gjeje menyren dhe aresyen te bashkejetoje me pjesen tjeter pa e kercenuar, pa kerkuar ta dominoje, pa dashur ta pushtoje.

Kush mendon se Islami nuk do, ndoshta ka te drejte. Por kush mendon se Islami nuk mundet, e ka gabim.

Une besoj se Islami mundet, nese bindet.

Islami si fe ka detyrimin t’i jape paqe botes. T’i mesoje besimtaret e vet se dhuna e dobeson boten, por jo ne masen qe dobeson vete Islamin. Paragjykimi qe vete Islami terheq ne keto raste eshte vetendeshkues. Eshte i panevojshem dhe izolues. Femijet qe vrasin duke besuar se i sherbejne Islamit, jane sot armiqte e tij me te eger. Ata e ndeshkojne, e perdhosin, e deformojne dhe e kthejne fene e tyre ne nje egersi me te cilen nuk bashkejeton dot.

E di qe duket e pavend t’ia kerkosh kete detyrim Islamit. Ai ne çdo rast mund te shfajesohet. Ne fund te fundit, ai nuk eshte nje pushtet i kontrolluar, nuk jep urdhera, nuk ka nje fytyre, nuk ka nje ushtri te rreshtuar ne front, nuk ka qeveri, nuk ka diplomate, nuk ka komandant. Me ke duhet te negociosh? Me nje fryme? Eshte e pamundur.

Por pikerisht se eshte e pamundur duhet te jete e mundur. Islami duhet te marre pergjegjesite e veta. Kudo ku ai ka besimtare duhet t’i edukoje ata. Te gjitha thirrjet e klerikeve islame anembane botes, deri sot, kane qene te pafrytshme per te mos thene qe nuk kane qene te sinqerta. Ka mijera femije ne gjithe Evropen, te cilet aktet e fundit ne Paris i konsiderojne si heroizem. Ata rriten per t’u ngjare atyre qe vrane. Atehere si binden ata se vdekja e te tjereve nuk eshte nje menyre per te jetuar?

Ka vetem nje rruge: duke iu bindur Islamit.

Dhe vete Islami ka vetem nje rruge: duke ndryshuar.

Islami duhet te kete kontroll mbi ndjenjat, mbi emocionet, mbi jeten dhe vdekjen. Kontrolli mbi ndergjegjen eshte cilesia dhe arsyeja e çdo besimi. Nje besim qe nuk e ka kete fuqi, ka vene ne dyshim ekzistencen e vet.

Prandaj them se kjo eshte e vetmja rruge dhe nese ende ka nje rruge ajo kalon nga vete Islami. Evropa dhe bota mund dhe duhet ta ndihmojne. Sot nuk eshte dita per ta luftuar Islamin, por sigurisht eshte dita per ta ndihmuar. Eshte dita per ta ndihmuar te reformohet, te zbutet, te mesoje te bashkejetoje.

Te kthehet nga emocion ne arsye.

A duhet ta kemi kete shprese? Une e kam.
Besoj ne nje Islam te ri. Me ndihmen tone.