‘Çështja’ Ronaldo! Perez: “Cristiano të mbajë përgjegjësitë e tij”

Transferimi i Cristiano Ronaldo tek Juventusi është çështje kohe. Sikurse pritej, fundjava nuk solli të reja nga bisedimet mes palëve. Zhvillime të tjera do të ketë në fillim të javës, duke qenë se të martën është programuar një mbledhje e drejtuesve të Realit të Madridit, ku pritet t’i ndizet drita jeshile largimit të CR7 nga kryeqyteti spanjoll. Një ditë më pas do të mund të bëhet edhe zyrtarizimi nga kampionët e Italisë.

Shumëçka do të varet edhe nga qëndrimi i presidentit Florentino Perez, që kërkon të përfitojë më shumë se 100 milionë euro nga shitja e 5 herë fituesit të “Topit të Artë”. Numri një i Realit kërkon gjithashtu që Ronaldo të mbajë një qëndrim publik dhe të marrë përgjegjësinë e lamtumirës para tifozëve madrilenë.

Juventusi, nga ana tjetër, pret që menaxheri i Ronaldos, Jorge Mendez, të arrijë sa më parë marrëveshjen me Perez, para se të paraqesë zyrtarisht ofertën, që mund të shkojë deri 150 milionë euro.