Cisco Networking Academy vlerëson dy mësuesit shqiptarë

 

Lorena File dhe Jetmir Shtjefni janë dy mësuesit profesionalë të cilët sapo janë çertifikuar nga prestigjiozia Cisco Networking Academy në sajë të projektit zviceran Aftësi për Punë S4J. Kjo do të thotë më shumë akses në njohuri dhe mjete për studentët e tyre të IT në shkollat ‘Pavarësia’ në Vlorë dhe ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë.

Projekti S4J në Shqipëri synon futjen e mënyrave të reja të të nxënit, orientimit të karrierës dhe marrëdhënieve midis arsimit profesional dhe punëdhënësve, me fokus përdorimin e teknologjisë së re.

Të rinjtë në Shqipëri përfitojnë nga arsimi dhe formimi profesional cilësor të orientuar nga tregu i punës në sektorët me potencial për rritje ekonomike, duke mundësuar gjetjen e vendeve të punës tërheqëse dhe të denja.

Lorena File është mësuese e lëndëve dhe praktikës profesionale në degën Teknologji Informacioni dhe Komunikimi në Shkollën Industriale “Pavarësia”, Vlorë. Diplomuar në Universitetin e Vlorës në degën TIK dhe Master në Fakultetin e Shkencave të Natyrës me titullin “Informaticien me drejtim Biznesi”, ajo ka një eksperiencë 5 vjecare në mësimdhënie, të shoqëruar dhe me çertifikime të shumta.

Ndërsa Jetmir Shtjefni është mësues i informatikës në Shkollën Profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë, që prej vitit 2015. Diplomuar në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër me titullin Master në Informatikë, ai ka një eksperiencë disavjeçare në kompani private në fushën e Informatikës dhe të mësimdhënies.

Nëpërmjet punës së tyre si mësues, ata synojnë të krijojnë profesionistë të suksesshëm të së ardhmes në fushën e teknologjisë.