Crossbones, banda shqiptare e rock-ut, bëhet pjesë e revistave britanike

 

Banda shqiptare e rock-ut Crossbones, e cila ka nxjerrë së fundi albumin e tij më të ri “The Awakening” ka qenë pjesë e revistave të mirënjohura të rock/metal në Mbretërinë e Bashkuar “Power Play” dhe FIREWORKS, të cilat gjenden në versionin online dhe print.

Crossbones është banda e vetme e muzikës rock/metal nga Shqipëria që përfaqësohet nga agjenci perëndimore të industrisë së muzikës. Është e vetmja bandë që përfaqëson Shqipërinë në festivale dhe turne ndërkombëtare. Crossbones kanë dhënë koncerte dhe turne në Ukrainë, Estoni, Letoni, Bosnjë, Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi, Kosovë. Është banda e vetme e mes viteve ‘90 që nuk reshti kurrë aktivitetin e saj, duke krijuar muzikë origjinale dhe duke performuar në mënyrë konstante.

Lexoni: Banda shqiptare e rock-ut, Crossbones nxjerr albumin e ri “The Awakening”

“Shqipëria nuk është një vend që njihet për muzikën rock/metal, por grupi Crossbones do ta ndryshojë këtë,” thuhet në revistën Power Play.

Nuk është hera e parë që Crossbones është pjesë e revistave botërore. Para pak kohësh një nga revistat më të mëdha amerikane online Brave Words i dedikoi një artikull grupit të mirënjohur të rock-ut shqiptar.

Gjithashtu, për Crossbones është shkruar gjerësisht në revista të mirënjohura të muzikës rock si RockHard (Gjermani), Ultraje (Portugali), Stencil Mag (UK), Bunker (Rusi) si dhe në më shumë se 100 portale, site dhe webzines të shpërndara në 4 kontinente, Europë, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Australi.

Me albumin e ri “The Awakening”, banda e rock-ut shqiptar po tregon se suksesi i tyre po shtrihet gjerësisht dhe se asgjë nuk po i ndalon që të përhapen në të gjithë globin.

Për të lexuar online revistat i gjeni më poshtë:

Linku: http://powerplaymagazine.co.uk/issue-224/ 

Linku: http://www.rocktopia.co.uk/index.php