Departamenti Amerikan. “Te shqetesuar per numrin e larte te kosovareve ne radhet e ISIS”

Lidhur me artikullin:

Radikalizmi dhe pjesëmarrja e kosovarëve, burra dhe gra, në “Shtetin Islamik” përbën një shqetësim të madh edhe për Departamentin Amerikan të Shtetit. Zyrtarët e saj bëjnë thirrje që kësaj sfide dhe me këtë problem të punohet duke iu përgjigjur bashkërisht. Zyrtari i lartë i DASH-it, Tom Yazdgerdi, në pjesën e dytë të intervistës dhënë gazetës “Zëri”, thotë se gjatë kohës sa ka qenë në Kosovë, si zëvendësambasador i SHBA-së në vitin 2009, nuk e ka vërejtur këtë nivel të shtrirjes së ideologjisë ekstreme fetare.

Megjithatë, ai mendon se legjislacioni duhet të thotë qartë se si mund të procedohet me këta njerëz. Ndërkohë që, ai konsideron se problemet ekonomike, mosperspektiva dhe ngecjet tjera rrisin potencialin e të rinjve që t’i bashkëngjiten “Shtetit Islamik” (ISIS). Ai mendon se kjo është një çështje komplekse, nuk është diçka që lehtë zgjidhet. Sipas tij, sulmi i tmerrshëm në Paris ishte thirrje për këndellje. Yazdgerdi gjatë intervistës foli edhe për emigrantët e Kosovës drejt BE-së, për mandatin e EULEX-it, duke bërë të qartë se Kosova ende nuk është e gatshme që të ketë një gjyqësor tërësisht të pavarur. Ai foli mes tjerash edhe për Gjykatën Speciale si dhe për performancën e Policisë së Kosovës.

Zëri: Radikalizmi fetar është një nga sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet vendi. Zyrtarisht treqind meshkuj nga Kosova u bashkuan me ISIS-in, 36 femra të reja, shumica e tyre të lindur në vitet e nëntëdhjeta. Si e shihni Kosovën e cila ishte një vend goxha më laik?

Yazdgerdi: Kjo përbën një shqetësim të madh. Ju keni të drejtë, Kosova ka numrin më të madh të luftëtarëve krahasuar me kokë banori. Unë mendoj se kjo është një çështje komplekse, nuk është diçka që lehtë zgjidhet. Mendoj se duhet sulmuar atë në shumë nivele. Qeveria e Kosovës ka bërë gjëra të mira, para së gjithash, ata kanë legjislacionin e nevojshëm dhe kanë miratuar legjislacion e duhur.