Dialog me Kastriot Markun, krijuesin e “Tre Bujtinave” në Gjinar

 

SIPËRMARRËSI DURIMTAR I GJINARIT

Ngjitja deri tek “Tre bujtinat” që prej vitit 2012, mbas 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare mundëson të takosh realizuesin energjik Kastriot Markun, të resortit më të njohur në Gjinar të Elbasanit.

Ajo që na befason në secilën nga vilat e ndërtuara me shije është arkitektura sipas një shartese të traditës shqiptare dhe qyteteve Alpine të Europës në të cilat ka udhëtuar protagonisti i destinacionit turistik të para disa viteve.

Bashkimi i energjive dhe dijeve me babain e bashkudhëtares së tij Manjolës, Kostandin Tavanxhiun në një kuptim bëri sintezën e Beratit dhe Burrelit, gjenezat e dy familjeve si në kulturën e shërbimit, kuzhinën shqiptare ashtu edhe mobilimin ose veshjen e brendshme të mjediseve pritëse. Tryeza sipërore e malësive të Shqipërisë së Mesme nis me byrekun me arra, një inovacion i gatimit i shpikur nga familja, vijon me pjatat me mish keci, zogj fshati dhe përsheshi me Gjelin e detit, bugaçet dhe tavën e kosit firmato Elbasanase.

Rrethuar me objektet e dekorit Kuq e Zi të Flamurit shqiptar, Kastrioti na tregon stendën e produkteve natyrale ku dallohen reçelërat e kajsisë, luleshtrydheve e ftoit, kompostot e frutave të pyllit, trahanatë e “Tre Bujtinave” e dy lloje likernash me thana e arra. Modestisht pranon se janë afro 200 familje në 1000 metra lartësi në Gjinar, të cilat  punësohen në këtë resort me kohë të pjesshme përgjatë vitit.

Por biznesi i tij parësor është një Fabrikë Mobiljesh, të cilën e drejton prej vitesh në Elbasan dhe produktet e të cilës i shpërndan në mbarë Shqipërinë dhe trojet.

Kastrioti i sipërmarrjes në prag vitin e Skënderbeut, si një pinjoll i “të parëve të Kastriotëve që rrjedhin prej Matit” sipas Marin Barletit, thotë se “Tre Bujtinat” nisën për të argëtuar fillimisht në fundjavë vetë familjen. Vijues i rrugës së lartësive arbërore në Gjinar prej nga është prejardhja e Gjergj Aranitit, Princit i cili ndihmoi kryeheroin, megjithëse e sheh i shqetësuar nga vështirësitë e mungesës së dritave, rrugëve të pamirmbajtura në dëmtimet e kohës, ai nuk ndalet së vlerësuari qëndresën si tipar thelbsor i parardhësve të tij.

Trokitja “kuq e zi” e gotave me shurupin aperitiv të Thanës, vjen si ftesë për Festat e Pavarësisë Kombëtare e si thirrje drejtuar bashkombasit për të mbështetur njëri tjetrin në këto kohë sprovash historike, të cilat po i bashkëndajmë me dinjitetin dhe entuziazmin si trashëgim gjenetik.

nga Andi Bica, Beti Kumi