Dialog me “Njeriun” brenda kuadratit të “Zejmit”.

 

*Shkruar nga Andi Bica, Beti Kumi

Në shtëpinë e piktorit Bujar Zajmi në rrugën e Durrësit, mbërrihet përmes disa kthinave mes pallatesh plot kujtime nga Tirana e vjetër. Trokitja e portës së apartamentit,  na fton me buzëqeshjen e bashkudhëtares së tij të devotshme Miranda. Sapo hyn, ndihet ajri i shpirtit krijues të artistit që dashuron jetën. Të dy po ndiqnin me pasion në ekran, një koncert të tipit vjenez në një stacion gjermanisht folës. I bashkohemi këtij momenti të bukur e të gëzueshëm, e menjëherë mbas përfundimit, ku një kujtesë si shirit filmi i jetës së tij ndaj fenomeneve të para në tri kohë në art, kulturë e shoqëri. Pasi ka shpalosur mendimin e tij kritik, drejtohemi për tek njëra nga odat, dhoma e pritjes e improvizuar si studio.

Befasohemi nga ngjeshja e punëve nëpër mure, e ngado nëpër mjedisin e tij të fantazisë piktoreske. Kjo na la të kuptojmë menjëherë se asnjë minutë nga jeta e tij si artist pamor nuk ishte çuar dëm. Në prezantimin një nga një të punëve, Miranda tanimë bashkpunëtore e tij, me dashurinë e saj, afrohet për të na i shpjeguar motivet që lëvizin në pikturat e Bujarit.

Marrim kënaqësi estetike nga soditja e ngadaltë dhe nga mënyra sesi ajo i percepton këto punime. Prej vitit ’93, ( kur u provua nga një amerikan se ishin të shitshme në tregun e artit) ajo i kundron me një sy të ri krijesat artistike të bashkudhëtarit. Vlerësimi që ajo i bën duket sikur ajo ka zbuluar një përmasë të re dashurie në personin me të cilin ka udhëtuar gjatë.

Bujar Zajmi si grafist i shkollës gjermanike të Lajpcigut, i qëndron konseguent ekuilibrit mes njollave të errëta e të ndritshme,  në punët e realizuara në  teknikat e vajit mbi telajo,  vizatime, akuarele, akrelik, kolazhe.

Kombëtarja e tretur me modernitetin e formave, shpalohet plot larmi ngjyrash pothuajse në të gjitha kuadratet e tij.

Një sintezë e prurjeve nga kostumet kombtare, ritet e traditat shqiptare të krahinave të ndryshme kryesisht të Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë së Mesme, Tiranës e rreth saj lidhen me motivin e dashurisë së çiftit e bukurisë femërore.

Tek ciklet e nudove, autori e ngre në lartësi estetike aktin e mëmësisë, tek gruaja duke e parë të hyjnizuar paralelisht ashtu si aktin e krijimit në art.

Ndërthurja e formave me fantazi, ruan gjurmët e gjalla të reales dhe vijon me shprehinë e ndjesive fine, duke i dhënë pamjes femërore, ngarkesën e një ikone shqiptare.

Entiteti që realizohet natyrshëm në bashkimin mes burrit e gruas, në një krijesë të vetme te ky autor, na vjen me puthitjen e formave si një endës, i cili jo vetëm thur, por di edhe të presë në mënyrë harmonike.

Kjo duke më qartë te kolazhi ose cikli i “punëve të dorës” që ai ka shpikur me copëza revistash të ngjitura në teknikën e përzier tempera me akuarel dhe pastel, duke na dhuruar krijesa me motive nga bota e faunës,  njerëz të kukullëzuar, imazhe të deformuara qëllimshëm deri në efektin e komikes, sepse humori për të vijon të mbetet më serioz se gjithçka.

Në punimet e Bujar Zajmit ose “Zejmit” si pëlqente ta thërriste mjeshtri i tij piktori Abdurrahim Buza, shohim mprehtësinë e fuqinë grafike të vizatimit në sistemet e vijëzimeve, të vijë lakuarave, vijë drejtave madje më shpesh vij thyerave me të cilat ndërton format parake të gjysëm rrethit, drejtkëndëshit, elipsit e trekendëshave këndrejtë e barabrinjës. Madje me vijëlakuarat tek bukuritë femërore e vijëthyerat tek elementët “arkitektonikë” të kostumit kombtar të malësorit na krijon ndjesinë e thellësisë ose përmasës së tretë, vëllimit brenda pikturës.

Ajo që na befasoi është e verdha si ngjyrë e rrallë, por mbizotëruese tek një punë me motivin “Ati dhe Bija” të stilizuar me maska e gjeometri forme të thjeshtë trekëndore, e konturime të forta. Lëvizja e krijuar mes dy imazheve dhe drita e shpërndarë përmes kësaj të verdhe të përndezur na godet me emocionin e një lidhjeje shpirtërore (ashtu si me trashëgimtaren në art stilisten e njohur Anila Zajmi) deri në sintezë, sepse maska jo vetëm fsheh, por zbulon me gjuhë vizuale.

Meqenëse si artist në intervistat e drejtpërdrejta shprehet se e ka “ngjyer penelin në gjirin e nanës” vijon të na befasojë pareshtur me këtë qumësht Rozafe. Motivet  kombëtare, si parabola me humor të zgjedhur, i shohim të abstraguara deri në kufirin e një projekt cikli që pret të formësohet në qeramikë ose skulpturë.

Marrim një dhuratë, imazhin e një violinçeli me pamjen e njeriu që duket sikur na sheh me njërin sy në profil, punë e cila regjistrohet nga autori në librin e tij të përshtypjeve të miqve në vite, si ritual i “kënaqësisë së të dhënurit” nga piktori. Krijesat artistike nderen në shumë nga muret e shtëpisë, por para se të dalim, shkelim edhe në dhomën e gjumit të bashkudhëtarëve Bujarit dhe Mirandës. Këtu i përftojmë më të imëta e me finesë ndjesish, kuadrot me motivet e dashurisë. “Njeriu” qenka përgjigja në këtë dalje nga galeria familjare e Bujar Zajmit si forma që i përmban të gjitha brenda tij. Artisti duke na lexuar me sy e buzëqeshur me zemër, na lë takim në një kohë tjetër, për të akumuluar e sjellë vlera të reja në artet pamore.