Dresazh mes ngjyrave dimërore të Shpresa Milaqit

I ftohti i Janarit të sivjetshëm u vesh me dritat e qytetit romantik. Në sheshin e qendrës së Durrësit antik, mes “tunelit të ëndrrave” ngritur me vargje dritash dekorative, u bashkuan edhe fotografimet e bliceve mbrëmësore të kalimtarëve. Por përballë këtij dekori festiv u ndjemë më ngrohtë brenda Galerisë “Nikolet Vasia”.  Kuajt e gjallë në fund të sallës, që dukej sikur kërcenin nga telajot e Shpresa Milaqit të ftonin për të udhëtuar mbi ta, për të ndjekur aventurën e bukur në botët e ngjyrave.

Bashkudhëtarët modestë, Shpresa dhe Petrit Bajko, na shpjeguan emocionet e ekspozimit,  gërshetuar edhe me ngjarjet e rëndësishme të jetës së tyre dhe të qytetit,  si Krishtlindja dhe trokitja e vitit të ri 2019. Me thjeshtësi dhe entuziazëm të përmbajtur, Petriti si një kujdestar i ekspozitës “Ngjyra në dimër”, na pohoi se shumë artistë gjatë vizitave i kanë vlerësuar me shënime emocionale punët e autores.

 

Gjiri i nënës ngjyrë shege, gruaja shtatzënë me vajzën përdore, rrethuar me sfonde lulore plot dritë, janë disa ngacmime të bukura e të shëndetshme, ndër 78 prurjet e Shpresës në akuarel, vaj e pastel. Ndalemi tek portreti i gruas me perimet ndër duar, ku jeshilja dhe vishnja në violet janë mbizotëruese brenda kuadratit. Shprehia paqësore në portretin e zonjës së moshuar të tërheqin me natyrshmërinë e saj. Duket sikur nëna na thërret nga telajo për t’i shijuar së bashku të mirat e kopshtit të saj.

Raporti me atin, shpaloset në portretin e babait, në lidhjen si enë komunikuese, e cila na e bën më të ndjeshme e të lehtë dialogimin me piktoren. Babai i Shpresës në pikturë edhe pse në mungesë,  sikur na fton me buzagazin e përvojës të bisedojmë së bashku në një shoqërim të lirshëm.

Në finale, te hyrje-dalja e galerisë, godet portreti i triptikut familjar. Babai, nëna dhe djali na buzëqeshin e vështrojnë me një ndjesi të lumtur drejt së ardhmes. Edhe sytë e shikimi, janë një nga detajet e rëndësishme të pikturës së Shpresa Milaqit. Përmes tyre ajo na fton të shohim ngjyrat e ngrohura të dimrit.

Andi Bica, Beti Kumi