Ekspozita e Leonardo Vocit, përtej ankandeve

 

*Shkruar nga Andi Bica

Klasi i një organizimi të prezantimit të prurjeve më të reja u ndje befasisht mbi skenën ku janë mësuar të gjallojnë e lundrojnë në sytë e vizitorëve pikturat e Leonardos.

Muza e tingujve e pranishme në harqet e muziktantëve rioshë entuziazmoi të ftuarit. Prania në mungesë e Zërit gjithëkohor të Luk Kaçajt ledhatoi mendjet e dashamirësve të medias, tokës pjellore ku u rrit dhe qytetërimit ku u zhvillua si artist e studiues artesh.

Formësimet e pakufizuara prej rrymave të ankandeve, por me unicitetin e syrit së bashku me duart e piktorit tërhoqën shikuesit kryeqytetas të kostumeve të larmishme sociale e profesionale. Madje ishin koreanët e risive teknologjike nga ambasada e Shqipërisë, të cilët qëndronin të hutuar përballë punëve në teknika të imëta, të thjeshta në prekjen premierë, por të kuruara aq bukur nga autori.

Habia erdhi si ortek me këmbë pëllumbash, në prezantimin e partneritetit dashuror e artistik me bashkëudhtaren e tij Floriana Paskalin. Motivi i saj ishte peizazhi urban plot njolla të ndritshme të ftohta spontaniteti nokturn, e frymuar në distancimin romantik të Çikagos ku u vlerësuan nga publiku shqiptaro-amerikan. Këto prurje të artistit do të qëndrojnë të nderura në muret e Sheraton Tirana deri në 16 Korrik.

“Arti i paraprin shkencës” thotë mençuria; e ky vibracion shpirtëror përndezi të pranishmit, në ritualin e përvitshëm shuar me trokitjen e një gote vere familjare, realizuar me artizanat nga trualli i bukur e i shëndetshëm i Tiranës.