Erioni, fiqte dhe gjethet e fikut (Opinion)

Opinion nga Endrit Shabani.

 

Ne vitet 90, kur filloi tranizicioni drejt nje modeli te ri politik dhe ekonomik, une banoja ne nje nga parafabrikatet e lagjes Ali Demi. Ne kat te pare te shkalles sone ishim dy familje punetoresh. Nje kat me lart kishim nje ish funksionar te partise dhe dy drejtore ne nje ministri. Ne kat te trete ministrin e punes, nje drejtor shkolle, nje mesuese dhe nje punonjese e Bibliotekes kombetare. Ne kat te katert dy inxhiniere dhe nje anetare e akademise se shkencave. Ne kat te peste nje artiste e TOB-it, nje diplomat dhe nje biznesmen i angazhuar me transport nderkombetar mallrash. Ne kat te gjashte serish dy familje punetoresh.

Te gjitha shtresat sociale ne nje shkalle te vetme. Makina nuk kishim, keshtuqe perdornim te njejtin urban. As telefon nuk kishim, por perdornim telefonin e ministrit. Te gjithe femijet luanim bashke tek sheshi plot lluce i lagjes, dhe po ashtu ndoqem kopshtet dhe shkollat afer shtepise. Kur ministri i katit te trete u semur, u transportua nga e njejta ambulance qe mori edhe gjyshen time, dhe (sigurisht) u shtrua po tek i njejti spital publik.

Sot, ne 2016, ministrat, kryetaret e bashkive dhe funksionaret e tjere politik e publik jetojne (bashke me biznesmenet me te cilet ndajne parate tona) neper rezidenca me vila qe kushtojne aq sa nje punetor i ndershem nuk do arrije te fitoje kurre gjate gjithe jetes se tij. Femijet e tyre shkojne ne shkolla private (para se te shkojne ne Paris, Berlin apo Londer). Kur semuren (largqofte) ata shkojne neper spitale private, ose ne Viene (nese pret puna). E vetmja here kur ata udhetojne me popullin ne te njejtin mjet eshte kur jane duke shkuar ne Rome per te bere pazarin (apo ‘shopping’ meqe pazar eshte fjale demode). E meqe nuk na durojne dot me prane as kur shellehen ne diell, kane zhvilluar kohet e fundit kete huqin e keq qe rrethojne me gardhe plazhet me te bukura ne vend, duke na lene alternative ose arratine ose ujin e kulluar te Durresit apo liqenit artificial.

Mirepo nga i moren parate keta njerez? Do te thuash me te drejte. Une nuk e di, megjithese nje ide edhe mund ta kem. Megjithate di me siguri qe nje pjese e tyre deri dje kane qene po aq te varfer sa pjesa me e madhe e popullit (mbase edhe me teper). Pavaresisht kritikave qe kemi per tranzicionin politik te ketyre 25 viteve, shume shqiptare kane patur mundesi te permiresojne kushtet e jeteses dhe statusin e tyre social. Sigurisht pjesa me e madhe e ketyre qe kane patur mobilitet social kane qene te lidhur direkt ose indirekt me politiken. Shembulli me perfaqesues qe ka perdorur kete ‘ashensor social’ (disa madje mendojne se ka qene ‘katapult’) mund te jete kryetari i ri i Bashkise se Tiranes.

Erion Veliaj eshte nje i ri qe vjen nga nje familje me mundesi modeste ekonomike, por qe sot jeton ne nje lagje te rrethuar me mur, ku punetoret e bashkise se vet zor se mund t’i afrohen. Mirepo, a thua se nuk ia mbush syrin ajo qe ka arritur, ai perpiqet vazhdimisht ta portretizoje veten e vet si nje njeri qe rron vetem me rrogen e tij, duke u fotografuar me biçiklete apo ne autobuz (megjithese ka 7 vjet qe leviz me shofer). Nderkohe gjate fushates per kryetar bashkie tregoi se ne te shkuaren ka shitur edhe fiq per te mbajtur familjen. Qe prej asaj kohe ata qe nuk e kane shume per zemer nuk ngurrojne t’ja permendin dhe ta ngacmojne si ‘ai i fiqve’.

Si fillim, dua te shpreh neverine per kedo qe e perdor kete histori per ta tallur Erionin. Ne kendveshtrimin tim, nje i ri qe punon per te mbajtur familjen meriton te gjithe nderimin dhe respektin tone si shoqeri. Gjithashtu, ndryshe nga shume te tjere, une nuk dyshoj fare ne vertetesine e kesaj historie. Une vertet besoj qe kur ka qene ne veshtiresi ekonomike Erioni, si djale punetor dhe i pergjegjshem qe eshte, ka bere gjithefaresoj punesh per te ndihmuar nenen dhe vellain e vogel. Se ka shitur fiq apo bostan kjo pak rendesi ka dhe nuk i zbeh vlerat e tij.

Megjithate, duhet theksuar se kete histori Erioni nuk e tregoi kur u shfaq ne publik 13 vite me pare, por vetem kur kerkonte voten e qytetareve te Tiranes. Keshtuqe une besoj se permes saj ai donte te na percillte dy mesazhe: Se pari, qe eshte nje njeri qe i ka arritur te gjitha vete, i afte te ngrihet nga hiçi; dhe se dyti, qe ai perfaqeson shtresen e disavantazhuar shoqerore dhe do te punoje per ta. Me pak fjale, me historine e tij Erioni i thoshte prindit, femija e te cilit shet fiq, se nje dite edhe femija e tij mund te behet si Erioni, pasi ai do te punoj per kete. Por a na ka thene Erioni te verteten, te gjithe te verteten, dhe vetem te verteten?

A mund te kapercehet sot nga tezgat e fiqve ne krye te Bashkise?

Ka nga ata qe thone qe nese Erioni do te ishte bere kryetar bashkie me forcat e veta, atehere tani do ishte zgjedhur me votat e G99-tes (nje parti qe ai e krijoi me disa miqte e tij), dhe jo PS-se dhe LSI-se. Megjithate une jam nga ata qe besoj se pavaresisht ndihmes qe mund te kete marre, serish ai ka punuar shume per tu ngjitur kaq lart ne status social dhe ekonomik, nisur nga mundesite teper modeste te familjes se tij. E nese kete e ka bere ne menyre te ndershme, ne duhet ta vleresojme per kete dhe te mos ja hajme hakun.

Por pyetja qe shtrohet eshte a ka mundesi qe matrapazi (shitesi i vogel ambulant) i sotem te behet kryetar bashkie neser, apo kjo shprese eshte varrosur njehere e mire dhe Erioni thjesht po e perdor historine e tij si gjethe fiku?

Studimet kane treguar se qe nje njeri te dale nga qerthulli i varferise duhet te akumuloje kapital social (njohje shoqerore), kapital kulturor (formim akademik), dhe/ose kapital ekonomik (zakonisht para te thata).

Se pari, ne nje shoqeri si kjo e jona ku (gati-gati) te gjitha punet gjehen apo zgjidhen me njohje, kapitali social eshte thelbesor per avancimin e individit. Mirepo Shqiperia ku une dhe Erioni jemi rritur nuk ekziston me. Kontaktet midis shtresave sociale sot po behen gjithmone e me minimale, pasi te pasurit dhe te pushtetshmit jetojne ne bote paralele, te rrethuara me mure, gardhe dhe roje. Nese dje Erioni mund te kishte ne klase djalin e nje ministri, sot prindi i nje djali qe shet fiq mund te mos e perballoje dot tarifen e shkolles ku shkon djali i ministrit. Per pasoje djali qe shet fiq shume-shume mund te shoqerohet me te rinj qe shesin kumbulla apo bajame te pjekura.

Se dyti, kapitali kulturor eshte i rendesishem per tu bere i dobishem (ne mos i domosdoshem) ne hierarkine shoqerore. Mirepo nese deri dje si femija e ministrit, ashtu edhe djali i muratorit do te shkolloheshin tek e njejta shkolle, sot ministri siguron nje shkollim shume me cilesor per femijen e tij (permes kurseve private dhe pastaj duke e derguar jashte shtetit). Per pasoje, femijet e popullit mund ta kene me te veshtire te konkurojne me femijet e pushtetareve per nje vend pune, edhe atehere kur gara eshte e ndershme. Nese do prova per kete mjafton te mbledhesh listen e çertifikatave familjare te funksionareve ne Banken e Shqiperise, dhe nuk ka nevoje te kerkosh me teper per te pare trajektoren (Tirane – Londer – Tirane) qe ndjekin femijet e ‘parise se qytetit’.

Se treti, nese deri dje njeriu i varfer mund te krijonte kapital ekonomik permes inicitiaves private, sot kjo mundesi po rrudhet dita dites. Kjo teme kerkon nje artikull (mbase nje liber) me vete, por besoj se eshte e njohur per te gjithe se sot biznesi i vogel ne veçanti dhe iniciativa private ne pergjithesi po has veshtiresi te jashtezakonshme. Tregtari i vogel ka ne shpine jo vetem taksa me te larta nga te gjitha anet, por prej dy vitesh edhe nje arsenal inspektoresh e taksambledhesish qe nuk e lene te marre fryme. Por qe te kuptohemi, vetem tregtari i vogel dhe i pambrojtur ama, jo biznesmeni i fuqishem, apo deputeti i partise. Keta te fundit jane te lire qe edhe dy vjet mbasi jane arrestuar gjithefaresoj taksitesh edhe berberesh, te perdorin shtepine muze te kryetarit per te bere miliona pa u bezdisur nga taksat, ligjet apo shteti (une denoncova njerin dhe i gjithe arsenali shteteror mu vu persiper). Ky dopio standard ku biznesit te vogel i merret fryma dhe te madhit i hapet rruga, besoj ta ben te lehte ta kuptosh se pse konkurenca nuk eshte e ndershme. Tani e ke nje ide se nga i gjejne keta patricet e rinj parate per te ndertuar muret qe i duhen per tu ndare nga plebejte.

Por te pakten Erioni po lufton ne krahe te te varferve, apo jo? Ehe…

Kjo eshte Shqiperia e 2016, per te cilen Erioni nuk ka aq pergjegjesi direkte saç ka tranzicioni politik i ketyre viteve, apo saç ka shefi i tij, apo deputetet qe vene partine mbi Shqiperine. Megjithate, ai eshte pjese e kesaj parie dhe ai po jep nje kontribut krejt te ndryshem nga çfare do te kishim pritur… ose shpresuar… ose te pakten do te kishim dashur.

Per te patur nje ide te dashurise se Erionit per te varfrit, mjafton te shohim se cila ishte beteja e tij e pare publike si kryetar bashkie. Per te freskuar kujtesen, javen e pare te punes, ai e nisi jo duke gjemuar ndonje biznes te madh qe shkel ligjin per te bere para ne kurriz te shendetit tone, por me ata qe i ze nevoja biologjike ne mes te rruges. Dhe (qe te jesh i qete) nuk besoj se parkon njeri X6-ten, apo le shoferin qe ta prese, per te zbritur poshte ures. Gjasat jane qe poshte ures shkojne ata qe nuk kane nje shtepi ne Tirane, ata qe nuk kane para per te shkuar ne nje kafene, apo ata qe kane nevoja urgjente qe nuk presin deri sa te vije tramvaji i unazes per te shkuar ne shtepi. Por si nje njeri qe i njeh hallet e popullit, Erioni para se te ndertonte banjo publike (siç ka çdo katund Evropian) iu versuli ketyre ‘vandaleve te varfer’ kamerat e oborrit dhe policet e pushtetit per tua marre erezin nje here e pergjithmone.

Mirepo, pavaresisht kesaj do me thuash se ai i do te varferit, pasi ka ne internet qindra foto te tij me ta. Edhe mua me kujtohet si tani Erioni, i sapo zgjedhur minister i çeshtjeve sociale, duke mbajtur ne krahe nje femije rom teksa e çonte ne spital, apo me ate femijen e vogel qe ishte semure nga lageshtira ne kasolle. Di gje çfare ka bere qe nga ajo kohe per femijet rom dhe familjet e tyre? Ta them une: iu ka derguar fadromat per tiu prishur shtepite kudo ku ekzistenca e tyre binte ndesh me interesa biznesi. E beri kete tek liqeni, pastaj tek unaza e madhe, dhe po e ben tani tek bregu i lumit. Ne te trija rastet duket se qellimi eshte te hapen hapesira per ndertime te tjera, duke zbythur te varfrit per te liruar vend per parine e qytetit.

Do me thuash qe te pakten – te pakten Erioni ka nje fare simpatie per shitesit ambulant qe i kujtojne veten e tij te djeshme. Kam frike se jo, serish. Me te ardhur ne krye te Bashkise, Erioni menjehere i shpalli lufte te gjithe tregtareve ambulant, te cilet sigurojne buken e gojes me kete aktivitet. E nderkohe qe ne nje Shqiperi tjeter ata edhe mund te enderronin se nje dite do te mblidhnin mjaftueshem para per te shkolluar femijet e tyre dhe per t’i nxjerre nga ky qerthur i skamjes, sot me ndihmen e Erionit, policeve te tij sypatrembur dhe blloqeve te tyre te gjobave, ata nuk guxojne as te enderrojne dot as te lajne borxhet tek dyqani i lagjes.

E nese do guxosh te me thuash se ai i perzuri tregtaret ambulant per te ruajtur trotuaret si hapesira te perbashketa, do tet thoja te mos nxitohesh dhe te kujtosh se pikerisht keto trotuare u zune brenda nje nate nga dhjetra kioska te mbira si kerpudhat pas shiut. Keto kioska zene me shume vend ne trotuare, por ato nuk i perkasin hallexhinjve qe mbajne familjen me kete aktivitet (dikush thote se i perkasin nje pronari te madh mediash, pjese e parise se qytetit).

E nese do te kuptosh prioritetet e Erionit, mund te mjaftonte te vizitoje faqen e internetit te bashkise ku mund te gjesh informacion te detajuar per baret, restorantet dhe hotelet e qytetit, por fatkeqesisht jo per strehimin, sherbimet sociale apo menyrat e ankimit ndaj akteve te bashkise. Mund te mjaftonte gjithashtu te shohesh se si nje ndermarrje nen administrimin e tij, siç eshte ujesjellesi, i ben parate e qytetareve rrush e kumbulla per spote publicitare dhe billboarde. A ka nevoje nje ndermarrje monopol per reklame? Mendoj qe jo. A ka nevoje kryetari per te sajdisur mediat, them se po.

Megjithate, keto nuk mjaftojne, prandaj te lutem shiko pak se çfare eshte bere me parate e mbledhura nga taksa e re qe Erioni i vuri qytetit per arsimin (nuk po merremi me problemet ligjore te kesaj nisme). A kane shkuar keto para deri tashme per t’i ofruar ushqim falas nxenesve qe vijne nga shtresat ne nevoje (siç ben çdo vend normal, perfshi edhe Kosoven)? A kane shkuar keto para per te siguruar transport falas per nxenesit qe jetojne ne zonat periferike te pushtetit? Jo, keto para te qytetareve, duket sikur kane shkuar vetem per te bojatisur kopshte dhe fasada, te cilat nga njeri krah i bejne makiazh pushtetit te kryetarit, nga ana tjeter jane nje mundesi e mire per te mbushur xhepat e kompanive partnere (Si thoshte ajo kenga e Rames? “ketu makiazh nuk bejne vetem grate por dhe pallatet”).

Per te kuptuar interesat e kujt mbron Erioni mjafton te shohim rastet kur ka patur perplasje midis interesit qytetar dhe interesit te disa milionereve te caktuar. Rasti me tipik eshte konflikti midis qytetareve dhe pronareve te transportit urban ne Tirane. Keta te dytet kerkuan te rrisnin çmimin e biletes, nderkohe qe te paret mendonin se edhe aq sa paguanin ishte vjedhje, pasi sherbimi ishte skandaloz. Erioni hyri ne kete mes dhe premtoi qe bileta nuk do te rritej deri sa ai te ishte kryetar bashkie. Rezultati? Bileta u rrit, Erioni qendroi kryetar bashkie, sherbimi vazhdoi te ishte zi e me zi per qytetaret (nuk po merremi me lojen hileqare te 70 lekshit). Ne qytete ku kryetari kujdeset per popullin, bashkia blen autobuzet e vet dhe ua ve ne dispozicion qytetit me cilesi dhe çmime te arsyeshme.

Do shembull tjeter? Atehere po te kujtoj se pak kohe me pare Bashkia kerkoi arrestimin e atyre qe mbajne frymen gjalle duke mbledhur kanaçe neper kazane plehrash. Shqetesimi ishte se keto plehra iu ishin premtuar nje biznesi te madh. Me kete biznes, bashkia kishte ngritur partneritet per ndertimin dhe administrimin e nje impianti perpunimi te mbetjeve. Impiant te cilin vete kryetari, i veshur me nje perpasje te bardhe bore, e promovoi ne media. Ai shpjegoi se tashme nuk kishte me nevoje per te rremuar neper kazanet e plehrave, pasi nje gje e tille perbente rrezik. Ne kembim, Erioni premtoi pune te mirepaguar, te sigurte, dhe me sigurime shoqerore ne kete impiantin modern. E ku ka me bukur? (njesoj si kenga e Kozma Dushit).

Mirepo, ne nje vend ku voten ta jep populli dhe parate per fushate i merr nga biznesi (perfshi ai i transportit urban), nje politikan i ‘sukseshem’ hiqet sikur eshte me te parin, nderkohe qe punon vetem per te dytin. Per pasoje, vetem me gjethe fiku mund edhe te mbulohet realiteti edhe te mbahet pushteti.

Nje nga ata qe e blene kete gjethe fiku, siç duket ishte edhe Arditi 17 vjeçar, i cili shkoi te merrte kete punen e sigurte e te siguruar. Per ironi te fatit, njesoj si Erioni disa vite me pare, Arditi po perpiqej te bente çfaredolloj pune, per te ndihmuar familjen e tij, dhe ndoshta shpresonte per nje te ardhme me te mire se sa seleksionimi i plehrave. Por ndryshe fillimi i tranzicionit, kur te gjithe ishim gati te barabarte, sot ne 2016, Arditi nuk kishte me asnje mundesi as te behej kanakar i kryetarit, as minister, as deputet, as milioner dhe as kryetar bashkie. Ai nuk bleu dot vila, dhe as nuk mori dot shofer per te gjezdisur. endrra e tij u nderpre ne mes, sebashku me jeten e tij te shkurter. Trupi i tij u fsheh ne mes te plehrave, tek ky impianti i sigurte, qe nuk i siguroi dot as jeten, as sigurimet shoqerore dhe as drejtesi. Ai nuk na la pas nje vend ku ja vlen te shpresosh per nje jete me te mire, por veç nje grumbull pikepyetjesh dhe nje pergjigje. Nje pergjigje qe ngjan me silueten e nje matrapazi te regjur, perfaqesues i nje kaste te tere, qe sot, i hipur mbi pirgun e plehrave, i krehur dhe i pudrosur, i rrethuar me kamera dhe aparate fotografike, pa asnje njolle nga jeta dhe hallet e shkuara, dhe sigurisht pa iu dridhur qerpiku, nuk na shet fiq, por veç gjethe fiku permbi zullumet e tij.

*Autori eshte studiues ne departamentin e politikes, ne universitetin e Oxfordit, Angli. Ai e ka derguar shkrimin e tij ne disa te perditshme qe rrefuzojne te botojne shkrime kritike kunder kryebashkiakut te Tiranes