FIFA World Player. Modric thyen dyshen Ronaldo – Messi

Hegjemonia Ronaldo – Messi prishet nga Luka Modric. Ashtu siç edhe parashikohej mesfushori kroat u shpall lojtari më i mirë i vitit 2018 në mbrëmjen gala të FIFA që u mbajt në Londër. Fitues i Champions League me Real Madrid dhe nënkampion bote me Kroacinë në Rusi, Modric bëri të tijin çmimin FIFA The Best duke mposhtur konkurencën e Cristiano Ronaldo që nuk ishte i pranishëm në sallë dhe atë të Mohamed Salah.

 

 

Të gjithë kroatët ndihen krenarë për këtë arritje fantastike të Luka Modric aq sa një futbollist i madh si Zvonimir Boban i pranishëm në sallë, u prek kur dëgjonte fjalët e bashkëkombasit të tij duke përfunduar në lot. Didier Deschamps fitoi garën për trajnerin më të mirë të vitit me rivalin e tij në Kupën e Botës, kroatin Zlatko Dalic dhe bashkëkombasin Zinedine Zidane duke fituar çmimin FIFA The Best. Nuk doli pa gjë as Muhamed Salah që pavarsisht se nuk u shpall dot lojtari më i mirë i vitit 2018 fitoi Çmimin Pushkash pasi goli i tij me Liverpool në derbin ndaj Evertonit u përzgjodh si më i bukuri. Thibaut Cortouis portieri i Realit të Madridit dhe i Belgjikës u zgjodh portieri më i mirë i vitit duke mposhtur konkurencën e francezit Lloris dhe danezit Schmeichel.

 

 

Futbollistja më e mirë femër u shpall braziliania Marta që luan në SHBA me Orlando Pride. Trajneri më i mirë i futbollit të femrave u shpall tekniku i Lyon Reynald Pedros, fitues i Champions League me skuadrën franceze. Në garë me Pedros ishin edhe dy trajneret femra Asako Takakura dhe Sarina Weigman. Çmimin e fansave më të mirë e fituan tifozët e Perusë për mbështetjen që i dhanë skuadrës së tyre në Kupën e Botës jo vetëm në stadiumet e Rusisë por edhe në sheshet e qyteteve kryesore të vendit, me fansat që lanë edhe punën e tyre vetëm e vetëm për të mos humbur ndeshjet e ekipit përfaqësues që rikthehej në një Kupë Bote pas 36 vitesh mungesë. Çmimin fair-play e fitoi gjermani Lennart Thy që sezonin e kaluar humbi një ndeshje shumë të rëndësishme të Eredivisies mes skuadrës së tij në atë periudhë Venlo dhe PSV Eindhoven pasi bëri gjestin fisnik teksa i dhuroi gjak një pacienti me leuçemi që kishte nevojë urgjente. Formacioni më i mirë i vitit FIFA FIFPro ishte ky: De Gea, Dani Alaves, Varane, Sergio Ramos, Marcelo, Modric, Kante, Hazard, Messi, Kylian Mbappe, Cristiano Ronaldo.