Filozofia inovative e Gjergj Fishtës

Shkruar nga Laurant Bica

Në vitin 1940, një filozof françeskan si Padre Gjon Shllaku, që kish mbaruar studimet e larta për filozofi në Hollandë, jepte në këtë gjimnaz lëndën “Filozofia e kohëve tona”, të update-uar me të rejat më të fundit të zhvillimeve në këtë shkencë. I gjithë trupi arsimor i gjimnazit, merrej me krijimtari shkencore veç mësimdhënies dhe në shumicën e tyre u bënë personalitete në sferat përkatëse në nivel Shqipërie.

Veprimtaria krijuese e Padre Fishtës, është e ngritur mbi dy shina. Në njërën kemi veprat e mirëfillta letrare, kurse në të dytën kemi krijimtarinë shkencore, ku përfshihet dhe filozofia, krahas pedagogjisë e drejtimeve të tjera. Fishta ka qenë një personalitet poliedrik e enciklopedik. Në personin e tij mishërohet poeti e pedagogu, teologu e mendimtari filozof, gjuhëtari e etnologu, sociologu e mjeshtri i psikologjisë sociale, publicisti e polemisti i fuqishëm, politikani dhe diplomati i guximshëm, deputeti i Parlamentit të parë Shqiptar.

Ekziston dhe një Fishtë tjetër, si dashamirës i muzikës, i pikturës (edhe vetë ishte piktor) dhe arkitekturës. Me urtësinë e lartë e mendjes, qetësinë (zgjuarsinë) e vet, At Gjergj Fishta si punonjës shkencor, në rrafshe të ndryshme të dijes e shkencës, arriti deri në atë shkallë, sa të na japë vepra me kualitet akademik, të njohura edhe nga bota intelektuale europiane. Veç dy traktateve pedagogjike si “Gjuha e Mësimit” dhe “Nevoja e Mësimit”, me siguri Gjergj Fishta, ka shkruar dhe Traktate Filozofike Teologjike. Për këtë duhet rrëmuar në arkivat e kuvendeve françeskane në Bosnjë e Dalmaci, ku ai kreu studimet e larta, të paktën të shihen temat e diplomave, që ai ka mbrojtur gjatë 8 vjetëve të qëndrimit të tij në to. Nuk është e rastësi që Akademia Italiane e Shkencave e pranoi si personalitet të letrave në zemrën e vet dhe ai për 6 muaj rradhazi paraqiti denjësisht historinë e letërsinë e popullit të vet në qytetet kryesore të Italisë, para akademikëve, shkrimtarëve, artistëve, elitës dhe personaliteteve vendase, të shkencës, letërsisë dhe arteve në sallat e sallonet më të njohura të këtij vendi perëndimor, duke ngjallur admirimin e kureshtjen e tyre për popullin që jetonte në krahun tjetër të Adriatikut.

FISHTA më kujton një pinjoll nga dinastia rilindëse DINO, që ka jetuar në Francë deri tash së voni pas viteve ‘90 të shek. të 20, të famshmin piktor Abedin Dino. Një mik i ngushtë i tij që jeton në Turqi, Ferit Edgu shkruan për të, pasi boton një vëllim voluminoz me shkrimet gazetareske të tij: ”Është piktori që bën edhe gazetarin apo e kundërta është gazetari që bën edhe piktorin”. Pra kemi një gazetar piktor! Ne në rastin e Fishtës duhet ta themi me plot gojën që kemi FILOZOFIN-POET. Ta argumentojmë.

Më 1886, Fishta me disa të tjerë shkon për një vit, që quhet viti i provës në Kuvendin Françeskan të Guçjagorës  afër Travnikut. Këtu ndërroi emër nga Zef Simoni u bë Gjergj Fishta (Mos emri i Fishtës ka lidhje me atë të heroit tonë kombëtar!).

Fishta u frymëzua nga rilindja e kombit kroat dhe prej dy personaliteteve të shquar të tij, poetë, që ishin njëkohësisht françeskanë si Ndreu Kaciq prej Dalmacie, i cili i këndoi në gjuhën kroate jetës dhe trimërive të Skënderbeut dhe At Gega Martiq prej Bosnjës. Nën ndikimin e tyre e simbas shembullit të tyre ai ju afrua popullit, folklorit të tij, për të shkruar veprën e tij poetike “Lahutën e Malcis”. Veçse zanafilla e saj duhet kerkuar këtu. Pas një viti të noviciatit, siç quhej ndërrimi i emrit, ai deri më 1890 vazhdoi studimet e larta për Filozofi në Kuvendin Françeskan të Sutiskës në Dalmaci, pra rreth 3 apo 3 vjet e gjysëm. Kurse studimet e larta për Teologji ai i përfundoi me 1893 në Kuvendin e Fretërve Françeskaneë në Fojnica të Livnos në Bosnjë. Kudo Fishta shkëlqeu dhe për rezultate të larta u vlerësua me eminentia (lat.shkëlqyeshëm). Pra, siç shihet formimi i Fishtës në filozofi ka qene solid. Gjatë jetës ai i zgjeroi sikurse njohuritë nga sferat e tjera, përfshi si ato teologjike ashtu edhe dijet ne sferën e filozofisë. Këto arritje, dora dorës u manifestuan në artikujt shkencorë, që shkroi në revistën që nxirrte vetë “Hylli i Dritës”, ku nuk mungonte dhe komponentja filozofike, referimi nga filozofë të ndryshëm e deri në artikuj të mirëfilltë me karakter filozofik të botuar aty prej tij. Kjo revistë u bë edhe në planin filozofik e nivelit europian. At Gjergji u mor edhe me urtësinë popullore, me proverbat, nëpërmjet të cilave ai realizonte edukimin mendor dhe formimin filozofik të të rinjve.

Autori Mark Vuji argumenton në rreth 400 faqe Fishtën si poet-pedagog ose me mirë për të qenë të saktë se Akademiku Gjergj Fishta është një PEDAGOG-POET. Sipas tij ky është filli i kuq që përshkon jetën, veprimtarinë dhe veprën e Fishtës. Në bazë të një studimi të imët të veprës së tij si shkencore ashtu dhe letrare nënvizohet drejtimi kryesor i punës së tij të bërë me përkushtim në 70 vjetët e jetës së tij. Por tek Fishta ne hasim jo vetëm poetin – pedagog por dhe poetin–filozof. Natyrisht ky është një dimension jo në përmasat e të parit. Ajo që duam të theksojmë, është se kjo anë e tij ose nuk vihet re, ose anashkalohet apo kalohet vetëm me një fjalë, pa thënë asgjë për të dhe në rastin më problematic injorohet fare. Mendoj se problemi nuk qëndron tek ajo se: A e ka At Gjergj Fishta dimensionin filozofik apo jo, por në ç’masë?

Kjo anë e të qenit të tij nuk diskutohet, aq më tepër që ai është teolog; por i rëndësishëm është vendi që zë filozofia në jetën e veprën e Fishtës. Dominon filozofi mbi poetin apo poeti mbi filozofin?

Fishta në shkollat, që kreu, studioi letersinë klasike greko-romake, filozofinë klasike greke dhe atë të mesjetës e fill pas saj. Këto i studioi nëpërmjet gjuhëve klasike që mësoheshin po në këto shkolla, si hebraishtja e vjetër, greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Padyshim ai për këtë qëllim shfrytëzoi dhe gjuhët e reja siç ishin italishtja, frëngjishtja, mbase edhe anglishtja ose gjermanishtja ose ndonjë gjuhe fqinje si serbokroatishtja etj. Fishta duhet të ketë ditur e përdorur si për komunikim e studim mbi 5-6 gjuhë, ndonëse deri në fund mbeti “fanatik” i gjuhës së vet të ambël e të lashtë shqipe që e deshi aq fort… Në shkollat françes kanë të niveleve të ndryshme ai studjoi në latinisht veprat e poeteve romakë si Virgjili, Horaci, Ovidi, Taciti.

Natyrisht s’mund të mbetej jashtë vëmendjes së tij dhe një poet filozof si Lukreci ose më saktë një filozof poet si ky. Fishta me krejt veprën e vet na ngjet me një filozof të staturës se Lukrecit ose të paraardhësve të tij grekë, mbi shpatullat e të cilëve u ngrit dhe ai. Le t’i hedhim një sy mjedisit shkodran e më gjerë, ku u rrit e u formua Fishta nga këndvështrimi filozofik dhe të shohim deduksionet e nevojshme në lidhje me të si Filozof-Poet.

Sikurse Homeri tek grekët, sikurse Lukreci tek romakët që lartësoi gjuhën latine edhe Fishta bëri të njëjtën gjë me shqipen, duke qenë njëkohësisht edhe poet e filozof. Madje një krijues e studjues shqiptar thotë për autorin e veprës poetike “Lahuta e Malcis” edhe këto: “Fishta shënon një rekord të pashembullt, jo vetëm për letersine shqiptare. Ai ka përdorur në veprën e tij afërsisht po aq fjalë sa ka përdorur Shekspiri në anglisht dhe Pushkini në rusisht.”

Në Shkodër në shkollat françeskane të çdo lloj niveli, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit, në Provincën Françeskane, në Bibliotekën Françeskane, në Kolegjin filozofik të Troshanit, në Kuvendin Françeskan të Rubikut, në Liceun “Illyrikum” dhe në revistën që nxorri At Gjergj Fishta “Hylli i Dritës” filozofia në këtë apo atë shkallë zinte një vend të rëndësishëm. Të mos flas për Kolegjin Filozofiko-Teologjik të Troshanit i vetmi në trojet shqiptare, që vazhdoi për 64 vjet rradhazi, i çelur më 1882, me gjithë dritë hijet e veta gjatë jetës së tij, e derisa u mbyll nga komunistët në vitin 1946. Ky kolegj, deri më sot që po flasim, nuk e ka pasur një të dytë në sferën e Filozofisë. Prej tij kanë dalë rreth 150 kuadro, 4-5 ipeshkvinj, 4 doktorë shkencash me kulturë solide filozofike. Në këtë kolegj, që me kalimin e viteve erdhi duke u fuqizuar e konsoliduar, ka ekzistuar dhe Studentati apo Klerikati që nënkuptonte një periudhë të studimeve të françeskanëve të rinj, kur filozofia mësohej në menyrë intensive. Ndërsa nga Gjimnazi Illyrikum kanë dalë edhe studentë që vazhduan shkollat e larta në Europë për Filozofi dhe u kthyen në Shkodër.

Le të shohim “trajektoren filozofike” të françeskanit Gjergj Fishta nga fillimet e shkollimit të tij e deri në fund të jetës, kur ai u prek me lartësitë e një akademiku të një akademie të shkencave të një vendi perëndimor si Italia, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte më as Universitet, as Akademi. Dhe ta mendosh sa lart qëndronte ky Burrë i Kombit Shqiptar për mençurinë e vet në raport me bashkëkohësit…

Në shkollën fillore françeskane, ai padyshim i ka marrë disa njohuri elementare filozofike. Më 1882 u çel Kolegji i Troshanit dhe Fishta ishte ndër 10 studentët e parë që filluan këtë shkollë gjysëm të mesme filozofike. Për katër vjet aty ai mori një formim relativisht të mirë në rrafshin e filozofisë. Është interesant se në këtë shkollë, Fishta pas kthimit nga studimet e larta në Bosnjë dhe realizimit si meshtar në atdhe, ai për disa vjet ishte profesor në këtë kolegj dhe vite më vonë edhe drejtor i kësaj shkolle të mirëfilltë filozofike. Pra nxënës me rezultate të shkëlqyera, profesor, drejtor.

Në librin e profesor Mark Vujit, kemi dhe referenca tek filozofë të ndryshëm të kohëve të ndryshme, që nga lashtësia si Lukreci, Frensis Bekoni fill pas mesjetës e në fillimet e iluminizmit si dhe të kohës sonë si Zhan Pol Sartri e shumë mendimtarë të tjerë. Dy të parët i gjejmë në veprat e Fishtës. Kështu për Bekonin, Gjergj Fishta sjell tezën e tij: “Njeriu, aq sa din, mundet ( të bëjë L.B),” ku ai nënvizon forcën, vlerën dhe rolin e dijeve që zotëron njeriu.

Fishta nga ana e vet do të shkruaje: “Fuqia shkon mbas dijes, por fort e më fort na e dëshmojnë punët e larta të bindshme, që njeriu sidomos në këto kohët e vona mbërriti me përkrye nëpër fuqi të dijes e të hollimit të mëndjes.” Është interesant se këto dy fjalët e fundit i përdor edhe Gjeçovi. “Burri i urtë, – thotë Fishta, – është i fuqishëm, burri i dijshëm asht i fortë dhe i zoti. Rilindasit (përfshi dhe Fishtën, që i takon brezit të tretë të tyre) dijes i jepnin një rëndësi të posaçme. Nëpermjet shkollës e perhapjes së tyre me botime e rrugë të tjera, ata mendonin se do të realizohej zgjimi i popullit, “Rilindja” e tij. Të njëjtën tezë të Bekonit, e gjejmë por të shprehur pak më ndryshe tek rilindasi Hasan Tahsini:

“Dija eshte Fuqia dhe Mundja”(dmth që të bën fitues). Këtë citim e kemi gjetur në revisten fetare “Zani i Naltë”. Pra është e njëkohshme, kur ishte gjallë Fishta.

At Gjergj  ka qenë dhe një polemist i fuqishëm. Ende edhe sot mbahet mend në Shkodër, e përcillet fjalazi një diskutim filozofiko-teologjik, i zhvilluar në Kafen e Madhe midis dy burrave të mençëm e të dijshëm të Shkodrës, siç ishin Gjergj Fishta e Izet Bebeziqi për probleme të ndryshme të feve muslimane e të krishterë. Ishte një polemikë e diskutim publik në sy të të gjithëve. Këta dy “Gladiatorë të mëndjes”, dy shkodranë të ditur, “u përleshën” miqësisht në sy të “publikut” në kafen kryesore në qendër të qytetit. Nuk ka rëndësi kush fitoi, fituan të gjithë dhe kjo ndeshje “trimoçash të mendimit” mbeti e u ngulit thellë në kujtesën e breznive deri më sot. I tillë qe Fishta, e populli e donte pa dallim feje, Fratin e shquar françeskan; nga poret e lëkurës së tij rrezatohej vetem mirëkuptimi i Besimeve Fetare dhe Shqiptaria. Fishta, intelektual e poet i lartë kombetar, kishte kryer jo vetëm për brezninë e vet detyrën e shenjtë që e theksonte Sartri se “Intelektuali eshte i nxitur të realizojë vetëdijësimin për vetvehten dhe rrjedhimisht për të gjithë.” Nevoja e këtij vetëdijësimi është dhe mbetet një detyrë thelbësore edhe në kontekstin e gjallimit të sotëm.

Në librin e Profesor Mark Vujit për Fishtën ka paragrafe të plota që kanë lidhje me Fishtën si filozof e sociolog, ose teolog, të cilat meritojnë trajtim të posaçëm. Studiuesi i Fishtës ose më mire të themi fishtologu Mark Vuji, i ka kundruar problemet në nj optikë pedagogjike, kur flet për edukimin moral (etik), edukimin estetik, edukimin mendor, edukimin familjar, kulturën e bashkjeteës fetare. Në një mënyrë a një tjetër ai është i detyruar të japë konsiderata sociale e sociologjike, psikologjike, madje edhe teologjike në shumë raste, duke ju referuar Fishtës si fillim. Këto në këtë apo atë masë, plotësojnë figuren e Gjergj Fishtës si filozof. Për shembull për psikologjinë kemi një botim fishtjan me titull “Psikologjia e popullit shqiptar”, të cilin profesor Vuji e shënon në një bibliografi në fund të librit. Kur flasim për aspektet sociologjike tek Fishta, duhet patjetër të hiqen paralele edhe me dy miqtë e tij të rëndësishëm, Prend Doçin e Shtjefen Gjeçovin, që ishin edhe sociologë, dimension që nuk i mungon as Fishtës. Të tre kanë dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim, si me veprën ashtu dhe veprimtarinë e tyre.

 

Interesant është një paragraf i tërë, ku kemi të shkrira në mënyrë të koncentruar, disa nga aspektet e sipërpërmendura të karakterit filozofik lidhur me At Gjergj Fishtën me titull:

”Asht nji shqiptar e do të rritet për Shqypni.”

Po e sjellim të tërë se është shumë kuptimplotë dhe na bën të kuptojme se sa Fishta është i lidhur dhe se sa shume e do popullin e vet:

”Shqyptari do të bëhet një vehtje e lirë, me ndërgjegje spikatun e me karakter, Ai do të pajiset me të gjitha njato njohsi e zotsi, nëpër të cilat porsi nieri i përkryem ndër të gjitha pikpamjet, t’a vuej jetën ma së miri, jo vetëm porsi vehtje, por edhe si pjestar shoqnije, mbas pozicjonit që të ketë në familje, në qytet e në shtet.

Nuk do të harrojmë madje se ky asht nji shqiptar e do të rritet për Shqypni; ekzistencat e shpirtit e të rrethit jetesues të tij nuk janë ato t’inglizit, t’amerikanit e të frangut, por janë të veçanta, prandaj kryekreje do të bahet i zoti me e kuptue, me e ndie e me e shijue jetën shqiptare.”