Flet Mourinho: “Ronaldo te Juventus? Diçka e mirë për të gjithë futbollin italian”

Dita e Cristiano Ronaldo në Itali, me portugezin që ka mbërritur në Torino, ka takuar trajnerin dhe shokët e skuadrës, dhe ka dalë në konferencën e parë për shtyp si futbollist i Juventus.

Për të komentuar këtë transferim, ka folur edhe një njeri që e njeh mjaft mirë Ronaldon dhe për më tepër është patriot i tij, trajneri i Manchester United, Jose Mourinho.

“Me Ronaldon kampionati italian do të bëhet shumë më tërheqës, pasi kemi të bëjmë me një futbollist që ka fansa në të gjithë botën. Gjithashtu, ky transferim do të nxitë përforcimin edhe të skuadrave si Interi, Napoli, Roma, etj. të cilat do të bëjnë që të rritet rivaliteti dhe natyrisht edhe cilësia në kampionatin italian”, deklaroi Mourinho.

Portugezi, i cili ka fituar gjithçka me Interin në sezonin 2009-2010, u pyet edhe në lidhje me mundësinë e rikthimit të tij në Itali, por këtë herë u tregua diplomatik në përgjigje.

“Të rikthehem të drejtoj në Itali? Do të më pëlqente të vija për ndeshjet e Champions League dhe të drejtoja Manchesterin në sfida përballë Inter ose Juventus”, deklaroi “The special one”.