Florentino Perez ‘i lumtur’. Aprovohet plani për rinovimin e Bernabeu

Plani i presidentit Florentino Perez për të huazuar 575 milionë euro për rimodelimin e stadiumit “Santiago Bernabeu” u aprovua nga një shumicë delegatësh, të cilët përfaqësojnë 93 mijë anëtarët në Asamblenë e Jashtëzakonshme.

Në përputhje me rregulloren e klubit madrilen, Perez duhej që të merrte aprovimin e anëtarëve të klubit, përpara se të huazonte një shumë kaq të madhe. Nga 1097 delegatë të cilët votuan në asamble, 1017 prej tyre votuan që të aprovonin planin, 57 votuan kundër, kurse 23 abstenuan.

 

 

Sipas planit të numrit 1 të klubit, shuma prej 575 milionë eurosh do të shlyhet për një periudhë 25-30 vjeçare. Ideja është që gjatë rimodelimit të stadiumit, do të shtohet një fasadë metalike dhe një çati e lëvizshme. Por nuk do të shtohet numri i ulëseve. Totali i këtyre investimeve shkon në 525 milionë euro, ndërkohë që 50 milionë euro do të mbahen për harxhime të paparashikuara.

Klubi është detyruar që të kërkojë borxh pasi marrëveshja me vlerë 400 milionë euro për të drejtat e emrit të stadiumit me kompaninë nga emiratet “International Petroleum Investment Company (IPIC)” u prish në nëntorin e shkuar. Shuma që do të përfitohej nga akordi do të mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve.

Rimodelimi i stadiumit ka qenë një nga dëshirat e hershme të presidentit Perez, i cili e paraqiti si projekt në vitin 2004. Pasi kanë kaluar 15 vite, tani ai ka mundësinë që ta realizojë. Por pikë së pari duhej që të gjendeshin paratë. Qëllimi është që klubi madrilen të zotërojë stadiumin e shekullit të 21.