FSHF dhe klubet e Superiores ‘nxjerrin’ jashtë stadiumeve policinë e shtetit

Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore ishin në një mbledhje në ambientet e Federatës Shqiptare, ku u diskutuan çështje të organizimit të ndeshjeve dhe mbarëvajtjes së garës.

Të pranishëm ishin edhe Sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku dhe zëvendës presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova, ndërsa u mor një vendim shumë i rëndësishëm.

 

 

Kështu që nga ndeshja e hapëse e të premtes në Korçë, mes Skënderbeut dhe Partizanit, por edhe të gjitha takimet në vijim, në ambientet e stadiumit nuk do të jenë të pranishme forcat e Policisë së Shtetit.

Klubet pritëse do të jenë të detyruara të kontaktojnë polici private, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjeve, brenda ambienteve të stadiumit.

Sa i përket Policisë së Shtetit, kjo e fundit do të jetë e pranishme vetëm në ambientet jashtë stadiumit, për të shmangur përplasjet mes tifozërive dhe për të qenë gati për të ndërhyrë në raste emergjente.

Gjithashtu, sekretari i FSHF-së, Shulku kërkoi që klubet të marrin masat për të pajisur me kamera sigurie ambientet e brendshme të stadiumeve, ndërsa tha se duhen marrë masat, që aty të mos qarkullojë asnjë person i paautorizuar dhe pa kartën identifikuese në qafë.