
Biznese të pesë vendeve në rajon mund të bëhen pjesë e një paltforme online, ku krahas prezantimit të aktivitetit të tyre, sipërmarrësit mund të gjejnë bashkëpunëtorë e klientë për zgjerimin e biznesit.
Alisa Kondi drejtuese e projektit për Shqipërinë, pas një takimi në Tiranë me përfaqësues të projektit në këto vende, ftoi bizneset të bëhen pjesë e kësaj platforme, duke theksuar se bizneset do të kenë mbështetje në zgjerimin e rrjetit në vijim,
www.bmbpages.biz është ndërtuar dhe tashmë në platformë janë hedhur profilet e rreth 250 kompanive nga secili vend pjesëmarrës. Në total janë rreth 1200 kompani, ku mbi 200 janë kompani shqiptare dhe shoqata biznesi.
Qendra për Promovimin e Konkurrueshmërisë është një organizatë jofitimprurëse me fokus zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, si dhe promovimin dhe zhvillimin e sipërmarjes sociale.
Prej një viti, Qendra po zbaton Projektin BalkanMed E-Business Pages, si pjesë e një Konsorciumi, të përbërë nga 4 organizata të tjera nga Bullgaria, Greqia, Qipro dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Gjatë një konference për shtyp Kondi tha se, “Qëllimi kryesor i projektit është rritja e konkurrueshmërisë së kompanive, veçanërisht atyre eksportuese në rajonin e Ballkanit dhe Qipros përmes zhvillimit të kushteve për zgjerimin e bashkëpunimit ndër-rajonal”. Kjo bëhet përmes nxitjes së shkëmbimeve të informacionit mes kompanive të këtyre vendeve me qëllim nxitjen e eksportit, formimin e klasterave, si dhe transferimin e teknologjisë.
Projekti ka përfunduar fazën e parë të zbatimit që është ndërtimi i të parës platformë të biznesit ndër-rajonal të krijuar midis 5 shteteve pjesëmarrëse.
Informacioni për secilën kompani jepet i plotë për produktet, shërbimet, të klasifikuara sipas kodit NACE, si dhe për interesat e kompanive për bashkëpunim.