Fund vjeshtë në Dardhën Korçare

 

Largimi i vjeshtës në lartësitë kontinentale të Dardhës në Korçë na nxit të eksplorojmë ajrin e pastër, ujin e shëndetshëm dhe monumentet si shtëpitë e gurta me histori, kishat si ajo Shën Gjergjit e mjediset e ngrohta pritëse.

Ngjitemi në Resortin me emër simbolik të qytezës, Hotel Alpin Dardha dhe takojmë çiftin realizues zotin Tomi Balli dhe bashkudhëtaren e tij, përfaqësues i suksesshëm i një familjeje të njohur në Korçë dhe mbarë vendin për vlerat qytetare.

Hoteli është i vendosur në hyrje të Dardhës, duke na prezantuar një pamje ftuese mes natyrës dhe arkitekturës. Përmes lartësive të tij, shihet relievi i pasur në forma dhe ngjyra të stinës së vjeshtës si një kurorë në të kuqe, të verdhë e jeshile, e cila vesh tërë fshatin turistik me përmasat e një qyteze. Dimri në prag, ka magjinë e mantelit të bardhë, ndonëse me temperatura të ulëta e vesh me një dritë të pastër e paqtuese.

Tomi na tregon se janë dashur vite përkushtimi për të ndërtuar Hotelin me shumë dhoma dhe kjo punë fillon me babain e tij, një njeri frymëzues për të gjithë dardharët, inxhinierin Niko Balli.

Njerëzit vijnë në Dardhë për të kaluar një fundjavë pranë zjarrit të oxhakut ose disa ditë për të marrë oksigjen, për të shijuar kuzhinën natyrale, lojën me dëborën e ujin e mirë të burimeve. Mrekullia e ushqimit qëndron jo vetëm te larmia e pjatave, cilësia, shija madje dhe tretshmëria e shpejtë e relaksuese.

Pija më e vlerësuar nuk është vera por llojet e Rakisë. Mjeshtëria shpaloset te fermenti i frutave që nga dardha, ftoi, mana e molla të cilat mund ti konsumosh pa ndjerë ndonjë shqetësim ose dehje, thjesht ngrohje të brëndshme, shërim e kullesë të mendimit në bisedë me njerëzit e dashur.

Dardha reziston si pikë turistike në rrafshin e vizitorëve nga pasioni dhe dijet e dardharëve të cilët janë të organizuar në shoqëritë me një sens atdhetar për të mbrojtur vlerat historike, etnografike të vëndit dhe familjeve të tyre.

Por vështirësitë me sa shihet po i përndjekin nëpër kohëra dardharët. Qëndresa lidhet me mirmbajtjen e rrugëve prej dëmtimeve të asfaltit nga bora e konsumi, si dhe lidhja e Dardhës me Sinicën një tjetër qendër e pasur në vlera arsimore e patriotike, pak kilometra larg e cila rrin dinjitoze, por e izoluar për shkak të komunikimit vetëm nëpërmjet këmbësorëve.

Në garën turistike e imobiliare të Dardhës me Voskopojën, duket se investuesit janë më të ndjeshëm ndaj blerjes së shtëpive më pranë saj, në fshatin Shipskë, në lëvizje nga njëra qendër turistike në tjetrën.

Prej Korçës e mbara mbërrihet kur merr si pikturë  ngjyrat e pemëve të Dardhës, sepse Qytetërimi si thonë dardharët s’vjen vetëm me të skuqur buzët, por mbase edhe hundën nga ajri i dëborës së papritur.

Shkruar nga Andi Bica, Beti Kumi

Video intervistën me çiftin e biznesmeneve Balli e gjeni më poshtë: