Gazetaria – mes pluralizmit oligarkik dhe fashizmit ekonomik

Nga Fatos Lubonja

 

Para disa ditesh botova nje shkrim me titull avancimi i fashizmit ekonomik. Nje pjese lexuesish me kane kerkuar nje lloj sqarimi per perdorimin e termit. Veçanerisht ata qe, per shkak te historise komuniste, vazhdojne ta identifikojme Partine Socialiste me te majten dhe jo me te djathten. Le te perpiqem ta shpjegoj.

Kur flas per fashizem ekonomik kam parasysh nje kategorizim qe i ben filozofi italian Norberto Bobbio te majtes dhe te djathtes, te cilit i jam referuar dhe here tjeter. Shkurt, sipas shtjellimit qe i ben Bobbio kesaj teme, ata regjime qe i quajme te ekstremit te majte jane nje kombinim i barazise me mungesen e lirise, kurse regjimet e ekstremit te djathte – qe ndryshe mund t’i quajme fashiste – jane nje kombinim i pabarazise me mungesen e lirise. Kurse ne demokraci, gjithe sipas Bobbios, duhet te kemi dialektiken e levizjes se lavjerresit te pushtetit politik nga qendra e majte ne qendren e djathte – qe jane kombinime te barazise me lirine dhe te pabarazise me lirine.

Prej kohesh kam shkruar se ajo qe ka ndodhur dhe po ndodh ne Shqiperi, eshte nje kalim i shpejte i lavjerresit nga ekstremi i majte, drejt ekstremit te djathte, pa u ndalur ne qender. Nje pakice oligarkesh ka kapur shtetin dhe politiken, ose drejtperdrejt ose nepermjet medieve dhe politikaneve te vet, duke abuzuar mbi shumicen dhe duke rrezikuar edhe lirite e te drejtat e saj themelore. Kete prirje e kam quajtur rrezik fashizmi ekonomik. I shtoj epitetin “ekonomik” per ta dalluar nga fashizmi i Hitlerit dhe Musolinit sepse sot kjo oligarki nuk mbeshtetet mbi ideologjine nacionaliste apo te races superiore, por ka fetishizuar kultin e pabarazise ekonomike se kapitalizmit dhe, pasi ka kapur shtetin, perdor mjete te tjera dhune si ate te bazuar mbi presionin ekonomik, monopolizimet, manipulimin dhe presionin mediatik, korruptimin e drejtesise. Nuk perjashtohet qe ne rrugen drejt ketij ekstremi ne momente te veçanta, kur t’i kercenohet pushteti dhe pasuria, kjo oligarki te perdore edhe ushtrine e policine kunder shumices.

Po pse flas per avancim?

E verteta eshte se, deri me sot, kjo oligarki eshte perfaqesuar politikisht nga tri partite kryesore (qe prandaj dhe i konsideroj te trija te djathta, duke bere thirrje per kthimin e lavjerresit majtas). Nderkaq, ajo qe po vihet re ne kete faze te ecjes drejt ekstremit te djathte, sipas meje eshte rreziku i kalimit nga ky lloj pluralizmi oligarkik ne perqendrimin e te gjithe oligarkeve rreth nje partie te vetme.

Historine e lejes se Parkut e trajtova pikerisht ne kete kontekst. E verteta eshte se ajo leje e dhene kunder interesit te 99%-shit te qytetareve mban firmat e te tri partive politike ne fjale, si prove se punojne per te njejten oligarki, por, nderkaq, nuk mohohet se shpesh i shohim ato ne nje lufte te eger per pushtet, se fundi lidhur me reformen ne drejtesi. Nuk eshte veshtire qe prapa kesaj reforme te lexohet synimi i Rames & Co per eliminimin e rivalit kercenues: LSI-ne e Metes dhe dobesimin e metejshem te PD-se. Duke pare kete lufte dhe duke iu referuar varferimit te vendit, une kam ngritur pyetjen: “pse duhen tri parti per te perfaqesuar interesat e te njejtes kompani oligarkesh? Pse duhen kaq shume media?”. Prandaj them se me rrjedhen qe po marrin ngjarjet ka shume gjasa qe “mbetjet” te eliminohen e te falimentojne ose te shiten me çmim te lire tek kompania e madhe socialiste. Ja ky eshte, sipas meje, avancimi i fashizmit si rritje e pabarazise dhe e mungeses se lirise.

Perseri per rolin e medieve ne kete avancim

Ne kontekstin e rrezikut te kalimit nga pluralizmi oligarkik tek fashizmit ekonomik shkruaja midis te tjerave edhe per heshtjen e frikshme te thuajse te gjitha medieve ndaj lejes se ndertimit tek Parku i Liqenit, duke pasur parasysh edhe faktin se disa vjet me pare, kur Lulzim Basha ndermori cenimin e Parkut per te zgjeruar rrugen e Elbasanit (sipas shume informatave qe dolen ne ate kohe i shtyre nga lobimi i te njejteve oligarke) pati nje zhurme te madhe mediatike.

Sot me duhet te shkruaj perseri se ma konfirmoi kete heshtje ogurzeze edhe nje ngjarje tjeter e ngjashme e se shtunes 23 janar. Se bashku me dy grupime qytetare, pjesetar te shoqerise civile, protestuam mu ne qender te Tiranes per parkimin qe i eshte dhene atje njerit prej oligarkeve te lidhur me PS. Atje mesova se Bashkia nuk ka dhene vetem nje parkim, por nente parkime, nje pjese e te cileve do te prishin edhe disa nga lulishtet e mbetura te qytetit. Atje aktiviste te shumte folen se si keto vendime jane marre fshehurazi, hajdutshe, ne kundershtim me vizionet e sotme mbi qytetet, mbi nevojen e nje Tirane policentrike, ne kundershtim me shume ligje si ata qe parashikojne konsultimin me qytetaret, Konventen e Ahrusit, raportin ndertim gjelberim te qytetit, e deri ne kundershtim me faktin se shumica e tyre do te ndertohen ne qendren historike qe eshte edhe monument kulture e prandaj ligjerisht e mbrojtur.

Ne mbremjen e asaj dite hapa lajmet per te pare a do te jepej informacioni per kete. E pra, tre televizionet kombetare Klan dhe Top Chanell si dhe ai publik nuk e dhane fare lajmin. As edhe ne kryetitujt e gazetat kryesore nuk e gjeta te nesermen. Po pse? Nuk do mend se shkaku do kerkuar ne faktin se shumica e pronareve te tyre, si ata private ashtu dhe pronari i radhes i Kryeministrise, duhet te jene ne nje menyre apo tjetren te perfshire ne keto afera; se parkingjet jane ndare midis nje grupi klientesh sponsore ashtu siç ndaheshin edhe lejet e ndertimit ne kohen e Rames kryebashkiak per nje grup ndertuesish pronare mediesh – dhe keto, pastaj, heshtnin per masakren qe i behej qytetit.

***

Po cili eshte reagimi i gazetareve ndaj ketij avancimi te fashizmit? Kur pashe lajmin per lejen tek Parku i Liqenit dhe heshtjen e thuajse çdo televizioni, pasi kontrollova edhe ata pak ishuj opozitarizmi qe kane mbetur, ku hyn edhe portali Lapsi.al, i bera forword Andi Bushatit linkun me titull: “Filloi shkaterrimi i Parkut te Liqenit” duke i shkruar: “Kjo qe po behet ketu eshte me tmerr se vila e Sandrit te Laguna. Pse s’thoni nje fjale apo se eshte e Samirit.” Kur pashe qe as me ktheu pergjigje dhe as e botuan lajmin – qe per mua eshte shume me i rendesishem se shume nga lajmet qe jepen ne ate faqe te tipit “Bleona kerkon burre”, “Kardashian na trondit perseri me te pasmet e saj”,, – shqetesimin tim e bera publik duke hedhur idene se reagimi per lejen tek Laguna dhe heshtja per lejen tek Parku ishte shembull emblematik se si mediet tona, edhe kur denoncojne, shpesh e bejne ne menyre selektive, ne emer te interesave te 1% dhe jo te 99%-shit. Ne pergjigjen e tij Bushati, çuditerisht, as e trajtoi shqetesimin tim shume me te gjere, as nuk u pergjigj se pse Lapsi.al nuk e botoi kete lajm – por u kufizua me hallin e permendjes se emrit te vet duke thene se ketu ndodhin aq shume te keqija sa nuk mund te shkruash per te gjitha. Dhe pastaj, pasi e lau ndergjegjen duke thene se ishte kunder atij ndertimi – çka, siç e thashe, nuk ishte thelbi i shkrimit tim – duke imituar fjalen e Mark Antonit ne funeralin e Qezarit shkruante se Lubonja eshte burre i ndershm, por edhe ai s’ka folur kur i mbylli Berisha Mero Bazes gazeten, kur Klani heshti per plagosjen e gazetarit te tij ne 21 janar, madje me ngriti dhe pyetjen se pse kur ishte Berisha ne pushtet thosha se dy bandat jane njesoj kurse tani pretendoj se banda e Rames eshte me e rrezikshme – duke u bere zedhenes gazetaresh llogoresh, duke synuar te te delegjitimojne, perhapin fjale se kete e ka blere Berisha apo Meta, apo e ka personale me Ramen.

Gjithsesi po merrem me pergjigjen e kesaj pyetjeje provokese sepse ajo lidhet bash me temen ne fjale: avancimin e fashizmit ekonomik. Me vjen keq, por si provokim eshte ngritur mbi nje shpifje apo keqlexim i çfare kam shkruar e thene prej shume kohesh e qe eshte e dokumentuar. Ky keqlexim sipas meje vjen nga kufizimi qe kane ata qe i kam quajtur gazetare llogoresh qe ndryshe mund t’i quash berishologe, nanologe, ramaloge, metaloge. Karakteristike e ketyre gazetareve eshte se militantizmi partiak, mungesa e profesionalizmit si dhe sherbimi ndaj padronit te radhes i ben te paafte per te konceptualizuar, per te pare fenomenet qe qendrojne pertej emrave te perveçem. Keshtu qe ata “harrojne” te merren me aktoret e tjere te sistemit, mbeten ne cicmicet se kush eshte Sali Berisha apo Edi Rama apo Ilir Meta – duke bere keshtu lojen e oligarkeve qe jane shpesh pronaret apo sponsoret e tyre te medieve, qe jane kolona qe i mban keta ne pushtet. Personalisht, pa dashur te mburrem, sepse nuk resht se qortuari veten pse s’kam bere sa duhet kunder kesaj gazetarie, pavaresisht se nuk kam kontestuar çdo pallat apo tender te Koços, ndertimet e Irfanit apo te gjitha bemat e Sandrit (po permend vetem disa nga pronaret e mediave ku kam punuar), konfliktin e interesave si fenomen te medieve tona private e kam kontestuar vazhdimisht dhe po ashtu, te pakten qe kur kam shkruar shkrimin “Kukullat ne skene oligarket ne prapaskene” (Koha Jone, 12 nentor 2003), qofte Edi Ramen qofte Sali Berishen i kam konsideruar si kukulla fijet e te cilave ne skenen e politikes i terheqin ata qe kane interesat ekonomike dmth. oligarket. Nga ky kendveshtrim, duke folur per partite qe i kam cilesuar here si banda dhe here si kompani biznesi te lidhura me oligarket e 1%-shit (ne kete kuptim kam thene se jane njesoj), kam kundershtuar tezen e se keqes me te vogel me argumentin se e keqja me e vogel behet e keqja me e madhe kur vjen ne pushtet, sepse kush ka pushtetin ka me shume para dhe mundesira korrupsioni dhe prandaj jane keta qe bejne demin me te madh. Gje qe po e provon sot edhe partia e Edi Rames. Po ashtu, qe para zgjedhjeve, duke pare se tri partite perfaqesojne interesat e 1%-shit kam deklaruar se kush fiton keto zgjedhje ka shume rrezik te behet Putini i Shqiperise sepse ekzistenca e tri partive qe mbrojne interesat e te njejteve njerez eshte e panevojshme qofte per interesat e shumices se shqiptareve, thellesisht te zhgenjyer me keto parti, qofte per interesat e 1%. Kam shkrime te panumerta me kete teme, por gazetaret e llogoreve dhe te cicmiceve nuk kane sy per t’i lexuar.

Po e perseris, pra, edhe nje here: Ajo çka i shton antropologjia e Rames apo e Berishes ketij avancimi drejt fashizmit ekonomik eshte diçka dytesore, qe meriton te mos neglizhohet, por as te mbivleresohet, se pastaj bejme pikerisht lojen e oligarkeve qe zevendesojne Ramen me Berishen si kuajt e nje karroce per te vazhduar rendjen e tyre drejt thellimit te pabarazise. Pra nese sot kemi nje Kryeminister qe nje dy e i del nga goja fjala “burg”, qe parate qe i ka mbledhur me taksidaret, duke perdorur edhe dhune policore, ia shperndan paturpesisht oligarkeve rreth tij, duke i varferuar edhe me tej shqiptaret; nese per here te pare ne historine e gazetarise shqiptare, te pakten qe nga viti 2000, i gjejme thuajse te gjitha televizionet kryesore te kapura nga Kryeministria, qe, duke mos i mjaftuar kjo, ka krijuar edhe nje portal on line per te dhene informimin “e vertete”, kjo, sipas meje, nuk duhet pare thjesht si rezultat i nje individi te semure nga etja e shfrenuar per pushtet. Sikur kjo pune te ishte thjesht çeshtje individi te etur per pushtet Rama mund te dilte edhe me parulla dhe akte populiste te majta, alla Çaves, por kjo do ta rrezonte menjehere sepse jane oligarket me parate dhe mediet e tyre ata qe e kane sjelle ne pushtet dhe e mbajne ne pushtet. Jo, ky avancim i se keqes i dedikohet kryesisht nje procesi degjenerimi te sistemit qe e tregoi edhe mbushja e Parlamentit me kriminele nga PS-ja. Prandaj ngulmoj se ky rrezik duhet pare (dhe luftuar pastaj) si çeshtje sistemi me se pari dhe per kete na ndihmon edhe Lordi Action kur thote: “Dhe mos harroni. Atje ku ka perqendrim pushteti ne pak duar tendenca eshte qe kontrollin e pushtetit ta marrin njerezit qe kane mendesi gangsteri. Historia e ka provuar kete.”

/Panorama, 26 janar 2016