Gjermania e nis në mënyrë të gabuar. Zvicra ndal Neymar. Kolarov si Ronaldo

Kolarov imiton Ronaldo

Një perlë e Kolarov, në versonin “Cristiano Ronaldo”,  i mjaftoi Serbisë për të marrë fitoren përballë Kosta Rikës në ndeshjen e parë të Grupit E. Futbollisti i Romës në Serinë A ekzekutoi mrekullisht një goditje të lirë në minutën e 56-të, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Keylor Navas për të devijuar topin jashtë katërkëndëshit.

Kjo sfidë e zhvilluar në “Cosmos Arena”të qytetit të Samaras u luajt me një ritëm të lartë, me raste në të dyja portat, por përfaqësuesja ballkanase iu fal magjisë së Kolarov, për të gjetur një gol me vlerë trepikëshi.

Në të paktën dy raste të tjera sulmuesi Mitrovic ishte shumë pranë golit për Serbinë, por nuk u tregua i saktë sa duhet në finalizim.

Në kohën shtesë nuk munguan momentet e tensionit, me rezultatin që mbeti i pandryshuar, duke sanksionuar fitoren e Serbisë.

 

 

 

 

Kampionët kanë harruar të fitojnë

Kampionia në fuqi e Botës, Gjermania nuk e nisi aspak mirë botërorin “Rusi 2018”, teksa u mposht në ndeshjen e parë me rezultatin minimal 0-1 nga Meksika.

Skuadra e Low vijon formën e dobët, që e karakterizon që prej muajit Tetor të vitit të kaluar, ndërsa edhe sot ndaj Meksikës nuk arriti të dalë në lojën e saj.

Meksikanët gjetën golin e avantazhit në minutën e 35-të me anë të Lozano, pas një aksioni mjaft të bukur, ndërsa vazhdimisht ishin kërcënues në kundërsulmet e tyre.

Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të botës e rritën intensitetin e sulmeve me kalimin e minutave, por nuk arritën të thyejnë portierin Oçoa dhe të gjejnë golin e barazimit.

Neymar nuk arrin të ndihmojë Brazilin

Pas Argjentinës e Gjermanisë, edhe Brazili e nisi botërorin rus me një hap fals, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Zvicrës, në “Rostov Arena”.

Skuadra e Tites e nisi me mjaft entuziazëm lojën, ndërsa Neymar nuk i kursente numrat spektakolarë, sa herë që prekte topin. Nga ana tjetër, zviceranët përpiqeshin vetëm të ulnin ritmin e lojës dhe të mbanin sa më larg kundërshtarin.

Goli i avantazhit për “Seleçaon” erdhi në minutën e 20’, kur Philippe Coutinho mori një top pak mbi vijën e 16 metrave dhe goditi mjaft bukur me të djathtën, duke e dërguar në trekëndëshin e portës së Zvicrës.

Gjithsesi ishte pikërisht ky gol që vetë-kënaqi brazilianët, të cilët më pas ulën ritmin dhe në 5 minutat e fundit rrezikuan disa herë të pësonin golin e barazimit.

Edhe pjesa e dytë filloi në të njëjtën mënyrë si mbaroi e para, duke bërë që Zvicra të gjejë golin e barazimit në minutën e 50, kur Zubber goditi me kokë pas një këndoreje dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Alisson.

Brazilianët protestojnë për një shtyrje ndaj Mirandës, në momentin e golit, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari kryesor, që e cilëson të rregullt golin dhe ndeshja rifillon edhe njëherë në barazim.

Thuajse të 40 minutat e mbetura u zhvilluan në gjysmëfushën e Zvicrës, me Brazilin që kërkonte me çdo kusht golin e fitores. Rastet ishin të shumta, por herë për meritë të portierit Sommer dhe herë për mungesë të fatit, topi nuk arriti të përfundojë në rrjetën e zviceranëve, duke bërë që sfida të mbyllet në barazim 1-1.