Gurët e pazbuluar të Shqipërisë

Ndalemi të  hyjmë në oborrin e Presidencës, sepse premierë hapet një ekspozitë e një artisti pamor shqiptar, Gëzim Hidri.

Sapo e shikon befasohesh nga shkrirja e natyrës me punimet e realizuara me gur natyrorë nga toka shqiptare.

Vazot me forma ilire, pasurohen me ngjyrat e ndryshme të gurëve të lumit që autori pasionant Hidri i shndërron në punë artistike.

Një kureshtje është tek volumet e nderura në hapësirat e parkut, logjika e sendërtimit duke përdorur një lloj matematike në mozaikun dedikuar trajnerit të skuadrës së Chelsea-t ose te simbolika e harpës dhe veshit të njeriut me motivin e kalit të bardhë.

Si njeri krijues, Gëzimi së bashku me vajzën e tij akademiste në Universitetin e Arteve të Tiranës, e cila ka realizuar në materiale të përziera një iriq të stilizuar, tregon rrethanat të cilat e sollën te realizimi i një perle në gur, duke na treguar dialogun e brendshëm me muzën e tij. E veçanta e kësaj pune në gurin, të cilin ai e laton deri në ngjashmëri me mermerin, është teknika dhe rrugëdalja gjeometrike nëpër të cilën drita e përshkon largësinë mes perlës e guackës.

Në kopshtin ku kalojnë autoritetet shtetërore, vizitorë nga mbarë bota, me dritën e qiriut të tij artisti Hidri prezanton me thjeshtësisi në mozaik, skulpturë e latim guri një kameleon me luspat shumngjyrëshe, enët e stilistikës ilire, breshkat bardh e zi, si dhe mitin në reliev të Amalteas, dhisë që ushqeu Zeusin duke na sjellë një reflektim mbi lidhjen me tokën e të parëve, gjenezën dhe kthimin te fuqia e natyrës.

Biografia artistike

Gëzim Hidri ka lindur më 17 Mars të vitit 1969 në Librazhd. Që në moshë fare të vogël ka shpalosur talentin e tij në pikturë. Me mbarimin e shkollës 8 vjeçare, regjistrohet pranë shkollës së mesme “ONUFRI” ku dhe ndjek mësimet për pikturë si dhe pas përfundimit të saj ndjek studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë në profilin e pikturës monumentale. Ushtron profesionin e lirë si artist në qytetin e lindjes si në mozaik, skulpturë, pikturë dhe latim guri.

/Andi Bica, Beti Kumi