Hektori i mjekësisë e profesoratit shqiptar – Shkencëtari i Munguar

NGA Laurant Bica

Emri i Prof.Dr. Hektor Çoçolit prej kohësh është bërë një nga emrat më të shquar të mjekësisë shqiptare. Në librin e Prof.Dr.Flamur Tartarit “Gjurmë të mjekësisë shqiptare”, vol.5, faqe 80-86, Tiranë 2007, ai në faqet 6-7 flet për figurën e mjekut Hektor Çoçoli. Jam i bindur që po të ishin gjallë Prof.Dr.Fejzi Hoxha dhe Prof. Dr. Kadri Kërçiku që respektivisht kanë shkruar “Histori të zhvillimit të mjekësisë në Shqipëri” dhe “Histori të zhvillimit të mjekësisë për Tiranën” me siguri do të kishin shkruar për ish studentin dhe kolegun e ri të tyre siç ka bërë ish kolegu dhe ish studenti i tyre Doktor Flamur Tartari në ditët tona.

Në personin e Prof.Dr. Hektor Çoçolit kemi jo thjesht një mjek e pedagog, por dhe një shkencëtar të talentuar. Këtë e dëshmon gjithë jeta e tij, tërë veprimtaria e tij dhe mbarë botimet e tij në Shqipëri e jashtë saj. Aktiviteti i tij shkencor është shumë i madh, i gjithanshëm dhe shumëcilësor. Ka marrë pjesë aktive në shumë sesione, konferenca, simpoziume dhe kongrese mjekësore shkencore, të zhvilluara në Shqipëri dhe jashtë saj në vende të ndryshme të botës. Ai sidomos në Shqipëri, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet shkencore, si për problemet e sëmundjeve të mushkërive ashtu dhe për ato të tuberkulozit, të zhvilluara në Tiranë apo qytete të tjera të vendit; në konferencat e organizuara me mjekë të huaj; në konferencat mjekësore të organizuara nga specialitetet e tjera, ku ka diskutuar për problemet e sëmundjeve të mushkërive.

Ka botuar studime të shumta, monografi, tekste mësimore, libra për probleme të tuberkulozit dhe sëmundjeve të mushkërive, artikuj shkencorë etj.Botimet janë bërë në Shqipëri dhe në revista të huaja anë e kënd botës.

Ja ç’thuhet në “Bulletin of Medical Sciences” Vol.43, nr.4, faqe 67, Tiranë 2012: “Kontribut të çmuar në aktivitetin klinik, mësimor e shkencor të klinikës së pneumo-ftiziatrisë dhe në luftën kundër tuberkulozit kanë dhënë realisht dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Shefqet Ndroqit, Hektor Çoçoli, Jul Bushati dhe Bedri Bylyku.”

Nëpërmjet studimeve shkencore të tij si autor apo bashkëautor, Hektori ka paraqitur dhe paraqet me dinjitet dhe profesionalitet të lartë arritjet më të mira të shkencës mjekësore shqiptare në fushën e ftizio-pneumologjisë, një pjesë e të cilave është botuar në shtypin mjekësor periodik vendor dhe të huaj ose është referuar apo paraqitur në formë posterash si brenda ashtu dhe jashtë shtetit. Po ashtu ka marrë pjesë aktive në tryeza të rrumbullakta të organizuara në Francë, Rusi, Rumani, Itali, Tunizi etj. Në mjaft konferenca mjekësore ai ka drejtuar seanca të veçanta si brenda ashtu dhe jashtë vendit, ndërsa në disa ai ka qënë i ftuar nderi. Tani së voni pas viteve 2000 ju dërgua ftesa nga Singapori i largët në Azi, për të asistuar në një konferencë botërore të mjekësisë si një nga drejtuesit kryesorë të saj…

Prof.Dr. Hektor Çoçoli është autor i disa monografive dhe bashkëautor tekstesh apo librash si “Tuberkulozi” (1977), “Adenopatia trakeobronkiale dhe diagnoza diferenciale e saj” (1982) (Kjo temë ka qenë disertacioni shkencor që e realizoi nën udhëheqjen direkte të Prof.Dr. Shefqet Ndroqit); “Sëmundjet e Mushkërive” (1988), “Kriteret orientuese për përcaktimin e Aftësisë për Punë” (1986) që do të pasohej me “Kriteret Orientuese për përcaktimin e Aftësisë në Punë të invalidëve për tuberkulozin” (1991); “Sëmundjet e Brëndshme” (1990, për stomatologët); “Menaxhimi i tuberkulozit në nivel rrethi” (2000); “Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike” (2002); “Tuberkulozi” (2007) dhe “Sëmundjet e Brendshme” (2010, për studentët e farmacisë dhe stomatologjisë), duke qenë bashkëautor me kolegun e tij të nderuar, Prof.Dr.Bedri Bylyku.

Në dorë profesor Hektori ka një libër shumë interesant që pritet ta botojë së shpejti. Libri i drejtohet një lexuesi të gjerë. S’duhet lënë pa permëndur se profesori është dhe anëtar redaksish të disa revistave mjekësore ndërkombëtare. Është anëtar gjithashtu në shoqata mjekësore që merren me sëmundjet e mushkërive siç janë “Shoqata e Pneumologëve të Shqipërisë”, “Unioni Medical Balcanique”, IUATLD (International Union Against Tuberculosis and Lung Diseases), SPLF (Societe de Pneumologie de langue Française), “Federazione Italiana Contro la TB e le Malattie Polmonari e Sociali” dhe “Scientific and Medical Association International of Phthisiology” me qendër në Moskë dhe antar i “New –York Academy of Sciences”. Profesor Çoçoli ka pasur marrëdhënie pune dhe korespondencë të rregullt me disa nga figurat më në zë të mjekësisë botërore, (“njëshat” e saj) në fushën e Pneumoftiziologjisë si Sër Xhon Krofton në Skoci, Prof. Zhak Kretien në Francë, Prof. Komenko në Rusi, Prof. Oto Shvajger në Hungari, Prof Anastasatu Konstandin në Rumani, Prof. Bertran Docemberg në Francë dhe Prof. Rudolf Ferlinc në Gjermani. Me Sër Xhon Krofton,personalitetin më të shquar botëror në fushën e sëmundjeve të tuberkulozit, Prof.Hektori ka pasur marrëdhënie të ngushta. Ata i bashkonte një respekt i ndërsjellë, reciprok. Kur teksti i Sër Xhon Kroftonit për tuberkulozin u përkthye në shqip, ai i kërkoi Hektorit, që parathënien e tij ta shkruante ai vetë. Ky personalitet me famë botërore, që mua më kujton Sër Bertran Rasell, një nga majat e filozofisë, logjikës e matematikës sot në botë, e donte dhe e çmonte shumë Prof.Dr. Hektor Çoçolin.

* * * Gjatë rreth një çerek shekulli, por sidomos në dekadat e demokracisë, profesor Hektori i ra kryq e tërthor botës në simpoziume, konferenca e kongrese për tuberkulozin e përgjithësisht sëmundjet e brëndëshme sidomos të mushkërive. Diku i ftuar nderi,diku në grupin shkencor për përgatitjen e kongreseve botërore, diku në presidium e diku drejtues seancash. Ai lëvizi cep më cep, nga njëri kontinent në tjetrin, duke filluar nga Evropa në Azi, në Afrikë e deri matanë oqeanit, në Amerikë.

Nga Moska e Rusisë deri në Siatëll të SHBA; nga Lome e Togos deri në Welfezen të Hollandës, nga Parisi i Francës deri në Teheran të Iranit, nga Marakeshi në Marok deri në Kajro të Egjyptit e kështu me rradhë. Sidomos në Europë, ai shkeli nga njëra anë e kontinentit në tjetrën, nga Athina, Stambolli e Ankaraja deri në Skoci të Anglisë. Vetëm në Paris mund të ketë shkuar rreth 10 herë.

Kudo që shkonte ai jo vetëm i përmbahej programit që kishin përgatitur organizatorët e konferencave shkencore, por ai patjetër do të kërkonte, në qoftë se mungonin, një vizitë në universitetin dhe muzetë kryesore të atij vendi. Dua të theksoj se Hektori ka qenë bashkëautor në dy botimet e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si atij të 1985, ashtu dhe atij të 2008 – 2009 që doli në tre vëllime. Në botimin e dytë hyri si zë i veçantë dhe emri i tij, i shkruar nga Prof.Dr. Elez Selimaj. Gjatë këtyre udhëtimeve nëpër botë, pjesë e tyre kanë qenë dhe takimet me bashkë- atdhetarë, të cilët e kanë nderuar dhe respektuar më së miri.

Po sjell sa për ilustrim, pritjen që ju bë kur shkoi në një kongres botëror në SHBA. Në New York atë e pritën dhe e shëtitën gjithandej shqiptarët me banim aty. Atij ju bë një pritje e ngrohtë në Selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra”. Rrënjët e fisit të Prof. Dr.Hektor Çoçolit në Gjirokastër të dokumentuara kapin mbi dy shekuj e gjysëm përpara.I pari i tyre Isufi u muar me tregëti dhe i takon vitit 1750. I biri i tij Selfua i lindur më 1790 u bë latifondist i madh tokash. Pastaj në 6-7 breza, deri sa vijmë tek vetë zoti Hektor në fisin e vet në Gjirokastër gjejmë dhe juristë,gjykatës të dëgjuar, siç ishte tradita e vetë qytetit, edhe mjekë e mësues të zotë. Ndërsa tani në kohën tonë dy vëllezërit e Hektorit, Idajeti, më i madhi, u bë profesor i fizikës dhe dha mësim në vite në Universitetin Bujqësor, Bashkimi inxhinier elektrik, ndërsa e motra, Bukuria dhe i shoqi Eshref Pumo morën drejtimin e gjeologjisë. Ky i fundit ka qënë dekan i fakultetit të gjeologjisë dhe një nga personalitetet më në zë në mbarë Shqipërinë. Djali i motrës, Besniku, u bë shef i lëndës së statistikës matematikore në Universitetin e Anzherit në veri të Francës; një mbesë është profesoreshë kimie në Universitetin e Otavës në Kanada dhe një mbesë tjetër, profesoreshë për shkencat inxhinjerike në Universitetin e Nju Xhersit në Amerikë. Profesor Hektori lindi në Gjirokastër më 20.6.1939.

Ende pa i mbushur një apo dy vjet, i ati, Nesheti, me familjen u çvendos në Tiranë. Aty ai përfundoi shkollën fillore dhe shtatëvjecare. Në vitin 1955 mbaroi studimet në Politeknikumin Mjekësor dhe po atë vit hyri në Universitetin e Tiranës, të cilin e përfundoi me sukses në vitin 1960, duke u diplomuar si mjek i përgjithshëm. Ai kreu më pas në vite të ndryshme kurse specializimi për Ftiziopneumologji brenda dhe jashtë vendit si në Francë, Turqi e gjetkë dhe sot është ndër mjekët më të njohur në këtë specialitet të mjekësisë. Ndonëse jeta e ndau nga Gjirokastra, ai kurrë nuk e harroi qytetin e lindjes. Në vitet 50, kur kreu fakultetin e mjekësisë,ai pati një shans të madh, sepse në shumicë pedagogët ishin specialistë të huaj (rusë) nga më të mirët. Hektori duke qënë një student tepër i zellshëm e sistematik, doli me rezultate të shkëlqyera dhe u bë një mjeshtër i zanatit të vet…

2.Mjeku i përkushtuar

a. Në malësitë e Tropojës

Kur njeriu ende pa kryer shkollën e lartë, apo kur është në vazhdim të saj, sigurisht thurr edhe një sërë ëndrash për të ardhmen e tij. Duke qenë tiranas, ai mendonte se do të emërohej në kryeqytet. Nuk e pati të lehtë, kur i doli emërimi për në veriun ekstrem të Shqipërisë, për në Tropojë, por dhe nuk u dëshpërua. Nuk i kishte as 21 vjeç, kur bashkëmoshatarët e tij mbaronin universitetin 23 vjeç. Hektori kish hyrë 6 vjeç në shkollë, plus të mesmen mjekësore e kishte bërë me një vit më pak se më vonë u bë 4 vjet. Megjithatë djaloshi i ri, besnik i Urdhërit të Mjekut (Betimit të Hipokratit) nuk u thye. Gjatë viteve 1960-1965 punoi si mjek ftizio-pneumolog në qytetin Bajram Curri të rrethit të Tropojës, ku u dallua për përkushtimin me profesionalitet në ndihmë të mbrojtjes të shëndetit të banorëve të asaj treve të largët, jo vetëm në specialitetin e tij, por edhe si mjek i përgjithshëm. Meqënëse në Bajram Curri ai gjeti vetëm një mjek, nevoja e bëri të shërbente edhe si patolog, gjinekolog, pediatër. Në qendrën shëndetësore të atyshme ai gjeti një personel mjekësor të përgatitur dhe të përkushtuar për punën.

Fillimi është i vështirë për këdo. Aq më tepër të vije nga Tirana dhe pasi të kishe mbaruar një specializim një vjeçar me Doktor Shefqet Ndroqin. Njohja me malësorin tropojan Ali Mula, që kur shkeli aty, me humorin e tij të veçantë disi ja lehtësoi dhe detyrën e mjekut. “Doktor Hektori,” i thosh Aliu, kur po e përcillte herën e parë tek autobuzi për Tiranë, pas ardhjes në Tropojë, “mos u mërzit do të kthehesh shpejt!” (E kish fjalën për Tropojën!?) Doktori i ri s’kishte bërë as dy javë aty. Dhe si “për t’i dhënë kurajo” i thosh jo pa humor: “Të vështirë do ta kesh vetëm 4-5 vitet e parë, pastaj s’është më problem!?!”…

Ditët, muajt dhe vitet në vazhdim e bënë doktor Hektorin njeriun më të dashur të asaj treve. Me vrullin djaloshar, pasionin për profesionin dhe dëshirën për të ndihmuar këta njerëz të dashur por të varfër, nuk la fshat e shtëpi pa hyrë, në dimër e behar, ditën apo natën edhe 12 orë pa pushim. Në një rast, duke udhëtuar natën në dëborë, rrëshqiti nja tre metra poshtë. I hodhën litarin nga lart se qe errësirë. Porosia nga sipër jo pa humor: “Mos e ver litarin tek koka,por tek sqetllat!” Tropoja për të qe një shkollë jete e vërtetë,të cilën ai e kapërceu me sukses. Nuk e harron ai atë përkujdesje dhe dashuri që tregonin për të si të ishte i shënjtë. Por dhe ai bëhej copë për njerëzit.

Në kushtet e vështira ekonomike shoqërore të asaj periudhe si dhe të terrenit të thyer malor, ai u gjendej për ndihmë mjekësore të gjithë banorëve të rrethit Tropojës gjatë gjithë vitit, kohë pa kohë, prandaj ata i janë mirënjohës për këtë përkushtim dhe gadishmëri. Në një rast të rëndë lindjeje të vështirë Dr.Hektori, duke mos patur rrugë tjetër, shpëtoi nënën ndërsa fëmija lindi i vdekur. Megjithatë i shoqi dhe i ati i gruas i mbetën për jetë mirënjohës atij, në kushtet e atij dimri të egër me mbi dy metra dëborë në Bajram Curri. Me punën e tij ai e bëri Dispanserinë e Tropojës, përgjegjës i së cilës ishte,një nga më të mirat në vëndin tonë, duke u përballur me tuberkulozin, sëmundje shumë e përhapur dhe kërcënuese për jetën e banorëve. Kjo gjë u realizua me anën e depistimeve masive dhe vizitave në çdo shtëpi të të sëmurëve me tuberkuloz. Duke zbuluar dhe bllokuar të gjitha vatrat e infeksionit dha një ndihmesë të vyer në pakësimin e rasteve të reja me këtë sëmundje. Pas largimit nga Tropoja ai nuk e harroi kurrë atë dhe mbeti “tropojan” gjithë jetën,duke ju gjendur tropojanëve edhe në Tiranë. Por as Tropoja s’e harroi asnjëherë atë.Në vitin 2009 ai u shpall “Qytetar Nderi” i Tropojës. Kishin kaluar plot 45 vjet. Ishte një nga ato vlerësime që i ngjalli emocione të fuqishme e i rizgjoi kujtimet e viteve 1960-1966…

b.Rikthimi në Tiranë. Me Dr. Shefqet Ndroqin

Mbas kthimit nga Tropoja për gati një vit,1966-1967 ai punoi si përgjegjës i Dispanserisë për sëmundjet e mushkërive në Tiranë. Nga fundi i vitit 1967 e më pas ai dha mësim si pedagog pranë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës në lëndën e Sëmundjeve të Mushkërive.

Ai u emërua si mjek asistent i profesorit të njohur Shefqet Ndroqi (1914-2001) në Klinikën e Ftiziologjisë pranë Institutit të Ftizio-Pneumologjisë, me të cilin bashkëpunoi për gati 30 vjet. Prej tij ai përfitoi jashtëzakonisht shumë. Ai u bë një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe bashkë me një plejadë mjekësh të tjerë të shquar e shumë të kualifikuar si Dr.L.Kalmar, Dr.i Shkencave Sh.Karaulli, Prof.Dr.B.Bylyku, Prof.Dr.E.Selimi, Prof .Dr.Albert Sotiri etj. çuan më tej me sukses luftën kundër “sëmundjes së shekullit” siç qe tuberkulozi. Lufta kundër malarjes dhe tuberkulozit (veremit siç thotë populli) u kurorëzua me sukses në sajë të këtyre mjekëve të përkushtuar e të papërtuar më në krye “babain e pneumologjisë shqiptare” Prof.Dr.Shefqet Ndroqin. Hektori në sajë të aftësive të tij, të punës së tij plot pasion dhe të pasurimit të dijeve të tij si nga librat dhe nga terreni, arriti të bëhej bashkëpunëtori më i ngushtë i Prof.Ndroqit dhe krahu i djathtë i tij. Këtë gjë profesori e ka pohuar dhe me gojën e tij në kujtimet e veta: “Në fillim isha pedagog i vetëm, pastaj shef i klinikës me bashkëpunëtorë Dr. Hektor Çoçolin, qysh prej vitit 1967 dhe më vonë Dr. Jul Bushatin. Me të dy kam shkuar shumë mire e në harmoni të plotë, duke bashkëpunuar rregullisht, si për zhvillimin e procesit pedagogjik dhe të punës shkencore, ashtu dhe për t’u shërbyer të sëmurëve me ndërgjegje dhe cilësi.”

Aktiviteti i Prof.Dr.Hektor Çoçolit, bashkë me kolegët e tjerë prej më shumë se katër dekadash, ka ndjekur me rigorozitet ecurinë e tuberkulozit në vëndin tonë, ku ka dhënë ndihmesën e vet në profilaksinë, diagnostikimin dhe trajtimin e tuberkulozit. Prej shumë vitesh ai bën konsulta në spitalet e ndryshme të vëndit, duke mos u kursyer asnjëherë, për të dhënë ndihmën e vet. Shumica e Disertacioneve të mbrojtura nga mjekët në fushën e sëmundjeve të mushkërive,për të kërkuar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” kanë firmën e tij.Në këtë numur duhet përfshirë dhe mjeku tropojan Ram Matoshi që e mbrojti me sukses një temë nga fusha e tuberkulozit në zonën e Tropojës.

Në periudha të ndryshme ,nga viti 1983 deri më 2007 është zgjedhur shef i Klinikës së Ftiziatrisë dhe shef i Klinikës së dytë të Pneumologjisë. Gjithashtu ka qënë anëtar i Këshillit Shkencor në Ministrinë e Shëndetësisë, në Institutin e Higjienës dhe Epidemiologjisë, në Institutin Kërkimor të Mjekësisë Ushtarake; për shumë vite ka qenë anëtar dhe më pas kryetar i Komisionit Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për punë (KMCAP).

 I kulturuar. Çiftin Çoçoli e kishim sa në Opera aq në teatër apo vizitë në një ekspozitë apo muze, si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Po të bisedoje për muzikën psh.konstaton se ai ishte ndjekës i rregullt i jetës kulturore e artistike të vëndit. Dhe kjo sigurisht pa zhurmë e bujë. Ajo është bërë pjesë e mënyrës së tij të jetesës.

I mençur. Populli përdor shprehjen e goditur,burrë i mënçur kaq “derhem” apo “karat”. Një prej tyre ishte dhe profesor Hektori. Padyshim s’ka nevojë të zgjatemi. Kemi të bëjmë me një njeri të fushës së dijes, që këtë mençuri e dituri e ka manifestuar në tërë veprimtarinë e vet, në bisedat e veta, e ka shprehur në librat e tekstet shkollore të veta. Për këtë flet dhe biblioteka e madhe që ka në shtëpinë e vet. Midis librave të tjerë janë dhe tre libra voluminozë me arritje dhe informacion më të fundit të shkencës së mjekësisë botërore për sëmundjet e mushkërive, botime të vitit 2009. Profesor Çoçoli di t’i ruajë gjërat e veta, shkrimet, dokumentat, fotografitë etj. si një arkivist i mirë dhe i gjen në çdo moment, kur i duhet.

Familjar i mirë. Po them vetëm një detaj për ta ilustruar këtë. Hektori ka shëtitur nëpër botë nëpërmjet pjesëmarrjes në konferenca shkencore. Në një pjesë të mirë të tyre shok i pandarë me të ka qënë shoqja e vet e jetës, Lirika.

Humori. Do të ishte e mangët figura e njeriut Hektor Çoçoli, në qoftë se nuk do të permëndnim këtë tipar thelbësor të tij që ai e manifeston në punë, në universitet, në mjedisin shoqëror, në familje, duke i zbukuruar bisedat e tij me humorin e tij të hollë, me shakatë e anekdotat e këndëshme. Edhe në një mbledhje nga më seriozet, ai do të gjejë mënyrën, për ta lezetuar sipas vëndit e rastit me humorin e tij, duke i bërë njerëzit të qeshin shëndetshëm e me shpirt.

P ë r f u n d i m: Gazeta “Tirana Observer” e 28 Korrikut 2007 nën okelion “100 mjekët më të shquar të Shqipërisë gjatë periudhës 1862-2006” jepte dhe emrin e Prof. Emeritus Doktor Hektor Çoçolit dhe fliste për të. Komentet janë të tepërta.Ai është një personalitet në mjekësi dhe një personalitet shoqëror i gjithanshëm. Siç i përmendëm më sipër vlerësimet e merituara për të, të Prof.Dr.Shefqet Ndroqit, Fjalorit Enciklopedik Shqiptar etj. etj., të shokëve, miqve, kolegëve flasin shumë për figurën e tij. Ai është nga ata intelektualë të zotë e të nderuar që populli i quan “pesha të rënda”, përfshihet midis atyre njerëzve që përbëjnë “trurin” e një populli e një kombi. Ironia dhe paradoksi me njerëz si Hektor Çoçoli është se të huajt i ngrenë në qiell, u japin vendin që meritojnë, kurse në Shqipëri këta njerëz, “njësha” të profesionit të tyre që na nderojnë në botë, janë lënë edhe sot e kësaj dite jashtë dyerve të Akademisë të Shkencave. Është për të ardhur keq, që njerëz nën këto nivele që po flasim, që s’e meritojnë, kanë “uzurpuar” vëndet e Akademisë, duke shfrytëzuar shpesh dhe anën partiake të tyre. Po Prof.Dr. Hektor Çoçoli s’është i vetmi i tillë si akademik jashtë akademisë. Njerëz të tillë ka mjaft. Po përmend disa që i kam njohur vetë si Profesor Koli Xoxi,Albanologu Niko Stillo, Mjeku erudit Apollon Gjebrea, Biologu e botanisti i shkëlqyer, shkencëtari Mustafa Demiri, që sot s’është gjallë e plot të tjerë. Njerëz si Profesor Emeritus Hektor Çoçoli, që kanë miq në sferat më të larta të partive politike,kanë preferuar të rrinë jashtë politikës…

Një personalitet si Prof.Dr.Hektor Çoçoli të huajt kanë ditur ta vlerësojnë.Gjatë jetës, në Austri e në SHBA etj., ai ka pasur oferta,për të punuar e jetuar në këto vende, duke çmuar profesionalizmin, aftësitë e standartet e tij intelektuale. Bile në SHBA ai është anëtar i “New York Academy of Sciences”. Megjithatë Hektori si njeri idealist që është,ka preferuar t’i shërbejë popullit të vet, kombit të vet, atdheut të vet, Shqipërisë. Dua ta përmbyll këtë shkrim për një njeri të nderuar si Prof.Dr.Hektor Çoçoli, duke shprehur optimizmin se figura e personalitete të tilla më shumë se ata vetë për kombin, ka nevojë kombi për ta. Ky personalitet i ra kryq e tërthor anembanë botës. Nisi me Kosovën, Prishtinën, në vitet 70 me minibus dhe autoveturë dhe pastaj në fillim të viteve 80, në vitet 90 dhe fillim të viteve 2000,për më se një çerek shekulli, udhëtoi me avion në të katër anët e botës. Ai u kthye në një lloj “Evlija Çelebiu” i llojit të vet. Në rast se udhëtari i mirënjohur turk i shekullit të 17-të udhëtonte majë kalit në hapësirat e stërmëdha të Perandorisë Osmane (që atëhere ish në kulmin e vet dhe shtrihej në tre kontinente) dhe jashtë saj në Europë,Prof.Hektor Çoçoli, majë avionit do të rrihte hapësirat e botës në katër kontinente, Europë, Azi, Afrikë e në Amerikë. Duke qenë një admirues i zjarrtë i leximit, historisë, gjeografisë, arkitekturës, pikturës, muzikës, udhëtimeve, ai duke vizituar rreth 30 vende të botës, u kthye në një lloj “Evlija Çelebiu” të kohës sonë, bile duke ja kaluar disa herë atij. Aq u bënë të shpeshta këto ecejake nëpër botë një kohë, në vitet 1994-1998 me tre deri në pesë udhëtime në vit nëpër forumet shkencore ndërkombëtare, sa kolegët e mjekësisë i thoshin gjysëm me shaka: “Hektor, mos zbrit nga avioni kur kthehesh, por na telefono, të të njoftojmë për ftesën e radhës dhe vazhdo rrugën n’atë drejtim.”