Hysen Efendi Kuqi, përfaqësues i denjë i elitës kombëtare

 

Mustafa Merlika Kruja thotë në librin me kujtimet e tij se: “Në Durrës ishte një tjetër intelektual krutan. Ky ishte Hysen Efendiu. Kryesekretar i doganës, që më vonë kur doli Shqipëria më vete, nga Perandoria Osmane, e kur drejtorit turk iu desh me u kthye në vendin e vet, ai pat zënë vendin e tij. Por ky ishte bërë një durrsak i vërtetë me gjithsej. Megjithatë pa dashur e pa e kërkuar, me gjuhën e tij të mprehtë ra në lak. Në vitin 1915 e kapi Esat Pasha dhe bashkë me mua e të tjerë, na internoi në Favinjana të Italisë. Banonim në një shtëpi me të. Burrë liberal e shumë i ëmbël, mahitar në kënaqësitë e tija. Në doganën e Durrësit ku kishte kaluar tërë jetën e pjekur të tij e në atë skelë deti pak a shumë kozmopolite ku ai kishte bërë mjaft njohje me të huaj sidomos italianë dhe austriakë.”

Në kujtimet e tij Eqrem Bej Vlora e përshkruan me rezervat personale atmosferën  në të cilën u krijua shtresa e re politike me kthimin e Ahmet Zogut në drejtimin e shtetit. Te kapitulli ” Beu i fundit ” viti 1925 -1939, ai flet për Asamblenë  Legjislative e cila e vijoi punën dhe brenda dy javësh mundi të hartojë një kushtetutë e cila duke shprehur parimet republikane dhe liberale, bënte njëkohësisht të pamundur rikthimin e shthurjes masono – demokratike të Fan Nolit.

“Në mbledhjen e mëngjesit të 31 Janarit 1925, Asambleja miratoi krijimin e një republike shqiptare, në atë të pasdites, në orën 3.50 ajo zgjodhi njëzëri Ahmet Zogun si President të kësaj republike.

“Më 7 Shkurt në Tiranë erdhën delegacione nga e gjithë  Shqipëria për t’i shprehur Ahmet Zogut  urimet e vendit për zgjedhjen e tij si President. Zgjedhja e Zogut si President u shoqërua shprehet Eqrem Bej Vlora në kujtimet e tij me një amnisti të gjerë për shumë njerëz, të cilët për motive politike, apo dhe civile ishin të burgosur, apo të arratisur. Qeveria përpiqej me të gjitha mënyrat të pajtonte të kaluarën me të tashmen.”

“Midis 9 Shkurtit dhe 2 Marsit 1925 ne, deputetët e Asamblesë Legjislative, plotësuam nenet që i mungonin ende Kushtetutës, miratuam marrëveshjen midis shoqërisë Anglo – Persiane të naftës dhe qeverisë shqiptare  (duke diskutuar me këtë rast edhe fjalët e përhapura se kjo shoqëri kishte financuar kundër revolucjonin  e Zogut ).” Eqrem Bej Vlora Kujtime, Vëllimi i dytë  1912 – 1925.

Sipas Blendi Fevziut në librin “100 vjet, eskursion në politikën e shtetit shqiptar nga 1912 – 2012,” thuhet se  parlamenti që ushtronte funksionet si organi më i rëndësishëm politik në vend kishte dy dhoma, të ultën dhe senatin. Zgjedhjet u mbajtën më 17 maj 1925. Ato s’kishin asnjë krahasim me zgjedhjet e Prillit të 1921-it dhe ato të dhjetorit të 1923 – it.

Në fakt një nga deputetët e Krujës, i 22 – ti, ishte Hysen Efendi KUQI, (1863 – 1949), i cili qëndroi e mori pjesë aktive e të matur në punimet e Kuvendit në periudhën nga 1 qershori i vitit 1925 deri 7 qershor 1928 në Dhomën e 100 Deputetëve e cila drejtohej nga Koço KOTA. Në replikat e tij me Musa Jukën sipas Fletores Zyrtare të ruajtur në  Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, do të ndaleshim te fenomeni i shpronësimit të familjeve të të arratisurve nga Shqipëria mbas revolucionit të Fan Nolit dhe amnistisë së përgjithshme,  si dhe masat mbrojtëse ndaj shfrytëzimit të pyjeve duke vendosur raporte të drejta mes pronarëve të ligjshëm dhe një shoqërive private.  Këto fjalime i përkasin procesverbalit të 4 Nëntorit të vitit 1925 dhe 21 Marsit të vitit 1927.

“Një ngjarje e cila vlen të kujtohet nga fillimi i Republikës Presidenciale ishte dhe çarmatimi i prijësve të popullsisë shqiptare. Më 18 qershor Ahmet Zogu priti në fushën e Namazgjasë përballë parlamentit, 540 krerë lokalë dhe bajraktarë. Ai urdhëroi që të gjithë të mbanin me vete armët siç i mbanin kudo ku shkonin.

Midis tyre kishte kundërshtarë të betuar, por ai tregoi një qetësi befasuese kur i takoi e i përshëndeti duke ia arritur qëllimit.”

Kjo aftësi bindëse e A. Zogut reflektohej edhe te njerëzit elitë kombtare që zgjodhi rreth vetes për të realizuar shtetin komb në modelin perëndimor. Një nga përfaqësuesit e ligjvënësit shqiptar ishte edhe Hysen Efendiu në Krujë , për të cilin  thuhej se në Oxhakun e shtëpisë së tij (një monument kulture sot i kategorisë së parë drejt shëmbjes së plotë ), të gjithë burrat krutanë dorëzonin armët kur niseshin për punët e tyre.

Kështu tregon një nga nipat e tij në Tiranë, zoti Xhemal Veseli në kujtimet për gjyshin e tij nga nëna Fatime Kuqi Veseli. Hysen Efendi Kuqi ishte i njohur si autoritet në heshtje dhe si një  fjalëkalim në këmbim të favoreve te njerëzit e rëndësishëm në jetën politike dhe ekonomike të Shqipërisë së mbas Luftës së Dytë Botërore.

Trashëgimtarët e familjes së Hysen Efendi Kuqit në Krujë, njihen për shpëtimin e dy familjeve hebreje gjatë luftës së dytë botërore si njerëz human e nacionalistë. Familja e Fatime Hysen Veselit dhe fëmijët e saj, Hamit, Refik, Xhemal dhe bijat Hyrije e Dëshirë mishëruan të njëjtat vlera të mbrujtura e rrezatuara në publik nga gjyshi i tyre.

Buzagaz e me keqardhje rrekemi të vlerësojmë në kohë sot, parlamentarët shqiptarë me papjekurinë e sjelljes, mendimit e gjuhës së shumicës së tyre në bëmat ciklike në sallën e kuvendit dhe  kuptojmë diçka mbi fatet  e  Shqipërisë dhe bashkombasve në 25 vjetët e fundit.

Pas 90 vjetësh, nga ana tjetër në fotot e kësaj periudhe në Arkivin e Shtetit, duke prekur dokumentet autentike, vërejmë në portretet e atyre burrave të shtetit, shikimin serioz e të vëmendshëm si të Hysen Efendiut ashtu edhe të kolegëve të tij të veshur shik e me cilindra duke dalë nga salla e parlamentit të vitit 1925 – 28, përgjegjsimin e momentit historik, shtatlartësinë e autoritetit të dijes e përvojës dhe vizionin e një Shqipërie Evropiane, jo thjesht në deklarata, por në veprime e fakte konkret, të cilat po njihen më mirë dita ditës në publikimin e tyre në media.