Ide apo biznes i ri, hapen aplikimet për projektin IDEA

 

Programi “Promovimi i Punësimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Rajonal për Punësimin, Arsimin dhe Aftësimin Profesional në Shqipëri” (ProSEED) financohet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Projekti mbështet Ministrinë Shqiptare të Financave dhe Ekonomisë (MEF), Zyrën e Kryeministrit (ZKM) dhe institucionet e tjera përkatëse, përkatësisht Agjencinë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA).Konkursi i Planit të Biznesit IDEA, i quajtur “IDEA -Challenge” do të ofrojë metodologjinë CEFE për të përmirësuar shërbimet e zhvillimit të biznesit në Shqipëri.

Sipërmarrës të rinj, apo që kanë një ide biznesi, kanë mundësi të bëhen pjesë e projektit IDEA, program që mbështet  zhvillimet inovative për sipërmarrësit në Shëipëri.

Projekti “Sfida IDEA” i cili vjen pas një faze pilotimi në vitin 2016, ofron një mundësi unike për 1.000 iniciativa të reja, për të rritur kompetencat e tyre sipërmarrëse dhe aftësitë e biznesit, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë grupin e nevojshëm të karakteristikave, për të gjeneruar ide dhe për të ofruar një plan biznesi përfundimtar dhe bindës. Ky projekt do të zhvillohet në dy vite 2018-2019.

Koha për aplikim ka filluar dhe zgjat deri me 15 shkurt 2018.

Pjesë e projektit mund të jetë gjithësecili që ka nje ide, apo biznes jo më të vjetër se tre vjet, në çdo sektor të mundshëm.

Jetona Myteveli, koordinatore e projektit IDEA, thekson se “IDEA ofron një paketë të plotë trajnimi në kompetenca dhe aftësi për biznes, tre muaj këshillim dhe dy muaj mentorim.”

Myteveli thekson se, “Trajnimi realizohet përmes metodës CEFE. Kjo është një metodë interaktive trajnimi dhe me pjesëmarrje të lartë. Sipërmarrësit e rinj përmes eksperiencës gjatë ushtrimeve që sjellin situata biznesi dhe përmes refklektimit mbi përvojën e kaluar, zhvillojnë koncepte dhe alternativa për të adresuar sfidat në biznes’’.

Trajnimi në tre module, parashikon 1) zhvillimin e aftësive bazike të sipërmarrësit, 2) zhvillimin e aftësive të avancuara dhe 3) këshillim e mentorim. “Shumë informacione që dëgjoni mbi sipërmarrjen janë gabim. Sipërmarrja nuk është magjike, nuk është misterioze dhe nuk ka asnjë lidhje me genet. Ajo është një disiplinë dhe si çdo disiplinë, mund të mësohet.” thotë Peter Drucker, përfaqësues i projektit.

Projekti IDEA fton të rinjtë të bëhen pjesë e startup-eve inovative në Shqipëri që zhvillon kompetencat sipërmarrëse dhe aftësitë e biznesit, nga zhvillimi i karakteristikave të nevojshme, në gjenerimin e ideve dhe finalizimin e një plan-biznesi bindës.

Çfarë përfitohet?

  • 8 ditë trajnim plot gjallëri,
  • 3 muaj këshillim dhe 2 muaj mentorim.
  • Trajnimi argëtues dhe aktiv fillon në mars 2018
  • Finalistët do të kenë shansin të mbështeten me grant.
  • Aplikimi mund të bëhet në www.idea.cefe.net, @ideaalbania

Si do të jetë trajnimi dhe këshillimi?

CEFE është një metodologji trajnimi me pjesëmarrje shumë aktive dhe e orientuar drejt veprimeve, e përdorur në më shumë se 65 vende në mbarë botën. Ajo përfshin përvojë teorike dhe praktike përmes planifikimit, praktikimit dhe fillimit të një biznesi. CEFE vepron në Ballkan që 20 vjet më parë.

Konkursi i planeve të biznesit IDEA është konceptuar si një garë. Për secilën fazë, përzgjidhen më të suksesshmit. Gjatë 2018, janë të ftuar të marrin pjesë 400 persona. Vetëm 40 finalistë do të prezantojnë planet e tyre të biznesit në fillim të dhjetorit 2018 para një jurie të pavarur.

Sa kushton?

Trajnimi është pa pagesë.

Dreka dhe pushimet e kafes janë të përfshira për të gjithë pjesëmarrësit gjatë trajnimeve.

Nëse banoni larg vendeve të seminarit, do t’ju ofrohen falas akomodimi në hotel të thjeshtë dhe do ju rimbursohen  kostot e transportit.

Kush mund të aplikojë?

Femra dhe meshkuj nga e gjithë Shqipëria që janë në fazat e hershme të aktivitetit të tyre sipërmarrës apo që kanë një biznes jo më të vjetër se 3 vjet dhe të cilin synojnë ta zgjerojnë, janë të ftuar të regjistrohen.

www.idea.cefe.net. @ideaalbania