INNOTOURCLUST- Zhvillohet konferenca e projektit “Grumbullimi i Ndërmarrjeve Inovative të Turizmit Ndërkufitar”

Dhoma e Tregtisë dhe lndustrisë Tiranë ka organizuar takimin prezantues të Projektit lnnoTourClust, “Grumbullimi i Ndërmarrjeve lnovative të Turizmit Ndërkufitar”, financuar nga fondet e BE (IPA) në praninë e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Turizmit si dhe përfaqësuesve të sektorit të turizmit.

Qëllimi i aktivitetit ishte prezantimi i projektit, objektivave strategjike si dhe rezultateve të tij. Si pjesë e programit ndër-rajonal Interreg, ai parashikon fuqizimin e sipërmarrjeve në sektorin e turizmit në trilateralin Itali-Shqipëri dhe Mal të Zi.

Gjatë prezantimit të projektit, Drejtoresha e Departamentit të Projekteve pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë znj.Viola Xhindi tha se, “Projekti synon të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin e ndërmarrjeve mes tre vendeve”.  Kjo do të mundësohet përmes krijimit dhe implementimit të një Klasteri Inovativ Ndërkufitar Turizmi, i fokusuar në integrimin dhe trajnimin e operatorëve ekonomikë lokalë për një harmonizim më të mirë dhe inovativ të kompanive lokale.

Znj.Meggi Zhugli, menaxhere e projektit pranë Dhomës së Tregtisë Tiranë, mes të tjerash shprehu besimin se ky projekt do të jetë i suksesshëm pasi Dhoma e Tregtisë është plotësisht e angazhuar që projekti të ecë në rrugë të mbarë. Ajo shtoi se krahas takimeve mes sipërmarrjeve të tre vendeve, një patformë online do të mundësojë fuqizimin e kompanive. Sipas menaxheres së këtij projekti, do të ndërtohet një libër dixhital, ku të përfshihen informacionet mbi SME-të pjesë e programit, duke e parë kështu në një mënyrë inovative industrinë e turizmit.

Gjatë takimit prezantues për “Grumbullimin e Ndërmarrjeve Inovative të Turizmit Ndërkufitar”, ekspertë të projektit prezantuan dy studime. Një analizë të Shqipërisë për sipërmarrjet turistike dhe agroushqimore. Si dhe një studim rreth rritjes së cilësisë së shërbimeve dhe krijimit të avantazheve konkurruese përmes standardeve dhe ndërtimit të klasterit në fushën e turizmit.

Pse ky projekt?

Territori Itali-Shqipëri-Mali i Zi (IT-AL-MO) është i prekur nga pasojat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të krizës ekonomike globale. NVM-të luajnë një rol vendimtar për rritjen dhe krijimin e vendeve të punës, por konkurrueshmëria e tyre ka një shfrytëzim të kufizuar të mundësive ndërkombëtare të turizmit. Në këtë kontekst projekti synon të promovojë rritjen e rrjeteve dhe të forcojë aftësitë specifike të NVM-ve në këtë zonë. Objektivi i përgjithshëm i projektit është përmirësimi i konkurrueshmërisë dhe bashkëpunimit të NVM-ve IT-AL-MO, përmes krijimit dhe implementimit të një klasteri inovativ të turizmit ndërkufitar (INNOTOURCLUST). Ndryshimi i pritshëm është një mënyrë inovative për të parë industrinë e turizmit. Biznesi i turizmit duhet të jetë më i organizuar dhe i integruar me NVM-të lokale (bujqësia, peshkimi, shërbimet me bazë detare, artizanati, Ho.re.ca, eko-sportet dhe organizatat sociale) me qëllim të përmbushjes së kërkesës ndërkombëtare në rritje për “përvojat turistike” dhe vënies në kontakt të turistëve me ndërmarrjet lokale dhe prodhuesit.