Jo vetëm Frymëzim në numrin 16 të BusinessMag

 

Numri i ri i revistës BusinessMag është i disponueshëm online. Në këtë edicion kemi shkuar përtej asaj që sjellim zakonisht tek ju duke tentuar të jemi diçka më shumë se vetëm Frymëzim. Artikujt e pasqyruar trajtojnë tematika të ndryshme, ku mund të gjeni edhe opinione specialistësh dhe ekspertësh. Duke ndjekur çfarë ndodh në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, synojmë të masim e të përcjellim tek ju pulsin e dinamikës së biznesit në vend.

Megjithatë, një pjesë e mirë e artikujve të këtij numri vijojnë të“injektojnë”shpresë e frymëzim tek ju. Përmes modeleve të reja, shembujve të suksesit, objektivi ynë është t’ju orientojmë  drejt të menduarit kritik dhe të vepruarit proaktiv në një vend ku problemet nuk kanë të sosur.

Ju mund të shkarkoni këtu nr 16 të revistës.

Duhet të kemi parasysh se për disa, problemet dhe telashet nuk janë pengesa, por përbëjnë stimuj për të gjeneruar zgjidhje. Shembuj nga vendi dhe bota, ju sjellim duke u dhënë hapësirë modeleve të reja të sipërmarrjes. Janë ata që edhe pse nuk iu del emri në TV, me punën e tyre po ia dalin me përulësi të sjellin ndryshim dhe avancim në fushat ku operojnë. BusinessMag beson fort tek ata që nuk ndalen, por kapërcejnë barrierat dhe me kokëfortësi dhe me  vullnet e buzëqeshje vazhdojnë të ecin. Me siguri, çdo ndryshim, sado i vogël, do të sjellë rezultat të madh nëse përqafohet nga sa më shumë mendje të ngjashme.

Në këtë numër,  gjeni histori suksesi sipërmarrësish e biznesesh, reflektime si ata kanë arritur të jenë të tillë. Një analizë për emigracionin, sjell konkretisht dramën e një familje shqiptare dhe reflektimin si kjo dramë rishfaqet në dhjetëra mijëra familje. Ndërkohë bizneset e reja inovatore po nxiten nga Hub-e ndërkombëtare për të sjellë ndryshimin. Të tilla janë gjashtë sipërmarrje në fushën e teknologjisë, tashmë bërthama e UK Albanian Tech Hub.

Duke hulumtuar mbi investimet, kemi vëne re se grupet e mëdha shqiptare po shtojnë ndjeshëm investimet dhe kryesisht në Maqedoni. Këto dhe shumë të tjera në numrin 16 të BusinessMag.al

Ju mund të shkarkoni këtu nr 16 të revistës.