Juventus merkato në shtëpi. Rinovon me Pjanic

Juventus edhe një herë konfirmon se ambicia e vetme e drejtuesve të klubit është triumfi në arenën europiane. Champions League është kthyer në një obsesion dhe afrimi i Cristiano Ronaldo është shoqëruar me lëvizje të tjera në merkato, për të vijuar me konfirmimet. Miralem Pjanic është goditja e radhës për bardhezinjtë, pasi fantazisti është konfirmuar deri në vitin 2022, duke pësuar dhe një rritje të konsiderueshme të pagës, që shkon nga 4.5 në 7 milionë euro në sezon.

 

 

Me këtë lëvizje Juventus i jep përgjigje Real Madrid, që ishte hedhur në sulm për boshnjakun, që bëhet kështu një nga më të paguarit tek Juventusi, me Cristiano Ronaldo i cili qëndon në krye, i ndjekur nga dyshja Dybala-Pjanic. Por duket se boshnjaku nuk do të jetë lëvizja e vetme, pasi në Spanjë bëjnë të ditur se bardhezinjtë nuk heqin dorë nga mbrojtësi majtë i Real Madrid, Marcelo.

E përditshmja AS shkruan se zërat e merkatos kanë prishur qetësinë e lojtarit, i cili u pa të gabonte edhe në njërin prej golave të pësuar në Superkupën e Europës, që Real e humbi ndaj Atletico Madrid. Për më tepër, ekziston një dëshirë e madhe ribashkimi midis Cristiano Ronaldo dhe Marcelo, dy miq të mirë edhe jashtë fushe. Megjithatë, duket e vështirë që ky operacion të mbyllet, pasi Juventus sapo ka refuzuar një ofertë të majme nga PSG për mbrojtësin e majtë, Alex Sandro, një sinjal që drejtuesit dhe trajneri Massimiliano Allegri i besojnë brazilianit që kanë në skuadër e që shihet si një titullar fiks në formacionin bardhezi për sezonin e ri.