Katedralja e Tiranës jehon nga Romantikja

 

*Artikull nga Andi Bica dhe Beti Kumi

Një bashkëpunim i ndritshëm mes artistëve kombëtar dhe dirigjentit spanjoll Ricardo Cassero.

“Sikur të këndonin të gjithë si bilbili, atëherë pylli do të ishte i zbrazur !”

Mbrëmjen e të Shtunës së 6 Majit, patëm fatin të shijonim koncertin operistik e simfonik të artistëve shqiptarë të Operas mbi skenën e qendrës kulturore të Katedrales Ortodokse. Protagonistët e shfaqjes premierë në Shqipëri të organizuar nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vijuan me këngët e tyre të muzikës së autorëve tashmë të njohur botërorë spanjollë si Plaçido Domingo e kualitete të ngjashëm, duke shpërfaqur pothuajse në maksimum aftësitë profesionale gërshetuar me talentin individual. Vlen të ndalemi tek risitë e mjeshtërisë së interpretimit të Vikena Kamenicës , ku të befasonin vibrimet e saj me ritmet spanjolle së bashku me frymën e gëzueshme të natyrës së këngëve lirike “Zarzuela”. Kujtojmë lojën përmes ngjyresave të zërit të saj, me performimin aktorial, në sinkron me dirigjentin spanjoll.

Po në këtë linjë risie, në aktrimin e kombinuar me këngëtimin në rritje kualitative, Armando Lika solli edhe elementin e kostumit tradicional të ngjashëm me toreadorët duke shprehur më qartë tiparet e këtij profili të muzikës së famshme spanjolle. Një duet plotësues në regjistrat e ndryshëm zanorë, me shkallën e pëlqyeshmërisë së mirë të publikut, ishin solistët e njohur Ramona Tullumani me Klodian Kaçanin.

Enkelejda Kamani një kualitet tjetër i operas shqiptare, e vlerësuar si e para ndër 6 fituesit e akademisë “La Scala” për vitet 2017 -2019 , performoi ndjeshëm me pjesën “Granada”, e stolisur me të kuqen e zjarrtë spanjolle të fustanit, duke u harmonizuar pa përsëritur vetveten në duetet me kolegët Lika dhe Kllogjeri. Solistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Armaldo Kllogjeri, Eva Golemi të kthyer tanimë në një etalon vlerësimi për shijuesit e operas, si edhe kolegët Drina Selimaj, Shpresa Beka, Ivana Hoxha e Sonila Baboçi, i pasuruan këto prurje të bukura spanjolle me veçorinë e zërave të tyre.

Një fill lidhës i të gjithë koncertit ishte kori profesionist i Teatrit të Operas dhe Baletit, të cilët e shumfishuan entuziazmin festiv të mbrëmjes me bashkshoqërimin zanor dinjitoz. Surprizë në finale, ishte flakja e baketës magjike mbi njerëzit nga dirigjenti virtuoz spanjoll Ricardo Cassero, i cili rrezatoi muzikalitet e komunikim me të gjithë qenien e tij. Pasi i dhuroi shikuesve spektaklin e jetshëm, ai ofroi edhe një gostitje tingujsh. “Tingullnaja” e orkestrës simfonike shqiptare i mbajti natyrshëm më gjatë të pranishmit me duartrokitjet e tyre, në “arenën” e Katedrales Ortodokse të Tiranës. Madje publiku nuk arrinte të largohej nga tërheqja magnetike e koncertit…

“Zarzuelat” energjike na thuhet se po vijojnë udhëtimin në qytetet e tjera të vendit, për të sjellë më afër bashëkombasve në klasin e merituar, pak aromë Spanje në Shqipëri.