Keita kalon testet mjekësore. Tani ai është futbollist i Inter

Sulmuesi senegalez Keita Balde Diao ka mbërritur mbrëmjen e të dielës në Milano, me makinën personale nga Principata e Monaco, ku edhe luajti sezonin e kaluar.
Ish futbollisti i Lazio i ështe nënshtruar testeve mjekësore gjatë ditës së sotme dhe nga ora në orë pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Interi dhe të vihet menjëherë nën urdhrat e Spalletti.

 


Me të mbërritur në Milano, Keita tha edhe fjalët e para si futbollist i Inter, një skuadër që e kërkoi senegalezin edhe verën e kaluar, por nuk ia doli ta veshë zikaltër.

“Jam shumë i lumtur. Spalletti ka qenë vendimtar, që zgjodha të vij te Inter. Shpresoj që gjithçka të më shkojë mirë. Nesër do të flas më gjatë, pasi të kem kryer vizitat mjekësore”, u shpreh Keita për SkySport.

Vetëm pak minuta më vonë foli edhe menaxheri i sulmuesit senegalez, Roberto Calenda, i cili gjithashtu theksoi rëndësinë e trajnerit të zikaltërve, në këtë transferim.

 


“Spalletti është njeriu perfekt, në momentin perfekt. Shpresojmë shumë që do të ndihmojë Keita, të bëjë hapin final kualitativ dhe të krijojë një mentalitet fituesi. Ka qenë pikërisht ai, arsyeja që këmbëngulëm kaq shumë, që të vinim te Interi”, tha Calenda.
Inter kërkoi të sjellë sulmuesin në Milano që verën e kaluar, por nuk gjeti gjuhën e përbashkët me Lazio, që preferoi ta shesë te Monaco.
Tashmë zikaltrit e kanë marrë Keita Balde në huazim nga klubi i Principatës, për 5 milionë euro dhe të drejtë blerjeje për 30 të tjera në fund të sezonit.