Kujtesa fotografike te “Poçeria e Vjetër”

 

*Artikull nga Andi Bica, Beti Kumi

Një stacion i Agroturizmit në hyrje të qytetit të Kavajës njihet si restoranti “Poçeria e Vjetër”. E ngritur mbi rrënojat antike të një furre qeramike, ajo i reziston kohërave falë vizionit dhe punës së çiftit të drejtuesve të resortit, zotit Kadri Çela e zonjës Albana Mersinllari. Ajo është menaxherja dhe shpërndarësja në publik e vlerave të trashëguara të rajonit të njohur për punimin e qelqit dhe qeramikës. Përgjatë qëndrimit të bashkshoqëron ajri i mikpritjes së të zotëve të kësaj shtëpie të gjerë.

Ngacmimi më i parë në distancë janë dy lejlekët mbi oxhak të cilët duket sikur të ftojnë për të shijuar një mjedis familjar e të ngrohtë ashtu si foleja e kashtës e thurur me dashuri. Hapësira është kuruar me fantazi duke i dhënë jetë e objekteve si një makinë me një kukull mbikabinën elektrike, një bllok betoni i fytyrzuar si kalë poni me kokë maceje.

Në hyrje të restorantit mes jeshillëkut të bimësive të intrigon mënyra sesi e kanë ekspozuar dhe mbrojtur me xham furrën antike të pjekjes së baltës.

Interieri i restorantit është i punuar në trajtën e një salle të madhe dy katëshe me tulla të kuqe e me vatër zjarri në qendër. Ky vend mirëpret të gjithë vizitorët të marrin ngrohtësi për të vijuar rrugën me energji pozitive.

Albana na tregon kauzën e saj më të re. Kërkimi i fotove për të realizuar një odë muzeale për Poçerinë fillon nga vetja dhe familja e saj.

Në duar shfleton një katalog të vitit 1979 ku më së shumti janë punime artizanale të njohura të kohës, në qeramikë, kobalt dhe gur.

Afërsia me bregdetin e Golemit sjell në tryeza pjata të realizuara me shije nga kuzhinierët e talentuar ku veçohen gatimi i levrekut dhe barbunit.

Sipër në katin e dytë, krahas sallave me murale që tregojnë jetesën nga primitiviteti në modernitet, qëndrojnë mbi shkallë edhe objekte si makinë qepëse, amfora, korrëse drithërash ose piano e vjetër të cilat rrinë mirë me njëra tjetrën.

E zonja e “Poçerisë së Vjetër” Albana, që jeton mes Milanos e Kavajës së toku me bashkudhëtarin e saj Kadriun, ka gërshetuar mikrokulturat e vend origjinave të tyre nga Pogradeci dhe Çamëria me kulturën urbane milaneze në mjedisin e “Poçerisë së Vjetër”.

Rijetëzimi i traditës së poçerisë vijon te dhurimi i një poçeje të përshtatur si arkë kursimi për secilin vizitor. Me këtë detaj ndër duar secili merr me vetë kumtin mijëra vjeçar të Kavaljonit antik dhe banorëve të tij. E kjo, mbase e rikthen për të shijuar mikpritjen, kujtesën arkeologjike e një pjatë me dashuri nga “Poçeria e vjetër” e Kavajës.