Masonet, altruiste apo nje sekt keqberes?

Lidhur me artikullin:

Për shekuj me radhë, ata e kanë mbuluar veten me fshehtësi.

Kaq e errët dhe kaq e paqartë është origjina edhe për vetë ata. Ritualet e tyre kryhen në fshehtësi, anëtarët bëjnë një betim të tmerrshëm, duke pranuar që t’u pritet fyti dhe gjuha dhe të varrosen në shkretëtirë nëse dhunojnë betimin.

Por ajo që ka shtuar thashethemet dhe spekulimet është fakti se si ndikimi i një organizate hije ka mbërritur në zemër të Establishmentit- tek politikanët më të lartë, ushtarakët më të ngritur, tek diplomatë, spiuna dhe shkencëtarë.

Ata janë, është e qartë, masonët.

Dhe sipas një arkive sekrete, e publikuar për herë të parë këto ditë, numri i figurave kryesore masone në historinë e Britanisë është shumë më i madh sa ç’kanë menduar teoricienët e konspiracionit.

Në arkivën e sapopublikuar janë dy milionë emra, mes tyre të paktën pesë mbretër, Duka i tanishëm i Kentit, burra shteti si Winston Churchill dhe Lord Kitchener, gjeniu ushtarak Duka i Wellington-it, shkrimtarë si Rudyard Kipling dhe Arthur Conan Doyle, trajneri i Anglisë Sir Alf Ramsey, eksploratori Ernest Shackleton, shkencëtari që zbuloi penicilinën, Sir Alexander Fleming dhe dramaturgu Oscar Wilde.

Sipas të dhënave, janë 250 mijë masonë në Britani dhe gjashtë milionë në mbarë botën dhe ata kanë ndikim të konsiderueshëm në të gjitha fushat e shoqërisë. Thjesht përmendja e emrit të masonëve, një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha jofetare sjell reagime të shumta. Mbrojtësit e saj theksojnë traditën e mbledhjes së fondeve për bamirësi. Në të vërtetë, në faqen e lozhës së masonëve anglezë ftohen njerëzit për të ‘bërë miqësi të reja’.

Por a sjellin të tilla miqësi më shumë pushtet tek individët që mund të favorizojnë masonët e tjerë, sidomos në biznes?

Listat e anëtarësisë janë shumë të vështira për t’u siguruar, duke e bërë të vështirë zbulimin e korrupsionit. Të tjerët besojnë se masonët e lirë, me ceremonitë e tyre misterioze, shtrëngimet sekrete të duarve, veshjet me lëkurë qingji, unazat e arta dhe simbolet me ornamente, janë më shumë se pantomima. Mbi të gjitha, nuk ka shumë shoqëri private, ku anëtarët betohen me sytë e mbyllur, me gjoksin e zhveshur, me litar rreth qafës, me një kamë në zemër dhe me këmbën e majtë të pantallonave të ngritur.

Dje megjithatë u provua se masonët nuk janë një forcë për mirë, por për keq. Të dhënat e siguruara nga Ancestry sugjerojnë se masonët kanë manipuluar hetimet për mbytjen e Titanikut, duke shfajësuar figurat kryesore të hetimit. Po dje u pretendua se një nga vrasësit më famëkëqinj në historinë e Britanisë, është mason.

Sipas librit të Bruce Robinson, Xhek Kasapi ishte një mason. Në libër thuhet se identiteti dhe vrasjet e tmerrshme të tij janë mbuluar qëllimisht. Gjatë fushatës së vrasjeve të tij, të paktën pesë gra humbën jetën. Tani faqet moderne të masonëve mund të duken jo dhe aq sekret, por për shekuj, aktivitetet e tyre klandestine i kanë mbushur mendjen shumë njerëzve se puna e tyre nuk ishte aq për mirë.

Ka pasur një seri shkeljesh serioze.

Arkitekti dhe masoni John Poulson u dënua me 7 vite burg në vitin 1974, pasi po korruptonte figura publike për të fituar kontrata ndërtimi. Gjykatësi tha se Poulson ishte një ‘njeri djallëzor’ dhe skandali solli edhe rrëzimin e Sekretarit të Brendshëm, Reginald Maudling, që kishte qenë drejtor në firmën e Poulson.

Origjina e masonëve daton që në shekullin e 14-të në Britani. Ata besojnë se rrënjët dhe emri i tyre, përfshi këtu simbolet- i kanë rrënjët që tek masonët që ndërtuan katedralet e mëdha mesjetare, të tilla si Salisbury, e nisur në vitin 1220. Për herë të parë katër lozha u bashkuan në vitin 1717 duke formuar ‘Lozhën e madhe’. Brenda pak dekadësh, ata nisën të tërheqin një numër shumë të madh meshkujsh me ndikim në shoqërinë londineze. Në vitin 1776, ata hapën një sallë gjigande në qendër të Londrës. Rrjeta e tyre e influencës nisi të shpërndahej në vend. Sot shumë taksistë, hidraulikë e madje edhe pastrues janë masonë.

Ka dy lozha për femrat masone.

Ndërkohë që masonët thonë se takimet e tyre nuk kanë asgjë të rrezikshme, në fund të shekullit të 18-të, një lozhë në Brentford thuri plane për vasjen e Xhorxhit III. Kjo megjithatë nuk i ndaloi dy djemtë e tij, Xhorxhi IV dhe Uilliam IV që të bëhen masonë. Masonët lulëzuan sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Ata pretendojnë se kjo ndodhi për shkak se kishte shumë burra që donin të bashkoheshin gjatë luftërave. Megjithatë kjo nuk i jep përgjigje pyetjes së kush përfiton nga këto lozha, masonët apo shoqëria? Masonët e pranojnë se shumë nga bujaria e tyre shkon për anëtarët, shpesh në formën e edukimit dhe kujdesit shëndetësor. Por nuk ka asgjë të keqe që të krijosh një shoqëri për përfitime të përbashkëta. Çdo vit ata i japin Kolegjit Mbretëror të Kirurgëve 1 milionë sterlina. Shumica e anëtarëve janë të ndershëm, të mirë dhe altruistë.

Por nuk është çudi që cinikët, duke pasur parasysh natyrën e mbyllur të masonëve, të mendojnë se ambicia kryesore e tyre është që të japin favore për njëri-tjetrin, duke mbyllur njërin sy, përmes promovimeve, kontratave dhe dhurimeve.