Mediat portugeze e bëjnë të sigurtë largimin e Ronaldo nga Real Madrid

Cristiano Ronaldo ka vendosur. Do të largohet nga Reali i Madridit në merkaton e kësaj vere. Është e bindur për këtë gazeta portugeze Record e cila rikthehet të flasë për të ardhmen e yllit luzitan vetëm 12 ditë pas finales së Champions League që kulmoi me deklaratat e CR7-ës në fund të sfidës se të ardhmes së tij në Madrid i ka ardhur fundi. Gazeta portugeze zbulon edhe motivet se përse Ronaldo ka vendosur të largohet nga Los Blancos.

Vendimi i portugezit nuk ka të bëjë me aspektin ekonomik por më shumë me faktin se presidenti Perez nuk ka bërë asnjë lëvizje për t’i rinovuar kontratën në shenjë mirënjohjeje për të gjitha ato që Ronaldo ka arritur me fanelën e bardhë të Realit të Madridit gjatë këtyre viteve. CR7-ta është ndjerë i braktisur në ambientin madrilen dhe këtë verë do të ndahet përfundimisht me Realin e Madrid pas 9 viteve në Santiago Bernabeu.