“Mëkatet e zonjës Ema”, Libri i parë i Mirela Kaninit

“Mekatet e zonjës Ema”, është një nga librat që prezantohet në panairin e librit në Tiranë këtë Nëntor. I sapo botuar nga shtëpia botuese Albas, ai flet për Emën. “Ema është një psikologe e martuar me një biznesmen të pasur dhe të suksesshëm dhe kanë një vajzë të rritur. Ajo është larguar nga Shqipëria pak para rënies së komunizmit dhe jeton në USA. Pikërisht atëherë kur duket sikur ka arritur gjithçka të kënaqshme në jetë, karrierën, pasurinë, familjen, suksesin ajo ndihet më e paplotësuar se kurrë. Sa më shumë arritje ka, aq më shumë boshllëqe shpirtërore ndjen.

Në kërkim të vetvetes rastësia e takon me atë që do të jetë dashuria e jetës së saj dhe ndryshon çdo gjë. Ema është një grua e bukur, inteligjente tek të 40-tat, djali që njeh është tek të 30-tat. Ata njihen në Shqipëri në një business trip. Jeta e saj merr kthesa të paparashikueshme.

Libri është një Trillim aq real sa do ta mbajë lexuesin në tension gjatë gjithë kohës. Ema do t’ju tërheqë nëpër labirintet e shpirtit të saj. Do të përfshiheni tërësisht në luftën e saj me veten për të bërë atë çka duhet dhe është e moralshme apo atë çka i dëshiron zemra. A duhet të sakrifikojmë statuset sociale dhe vlerat morale me të cilat jemi brumosur apo duhet të thyejmë tabutë dhe barrierat për pak lumturi.

Liria shpirtërore është devijim nga tradicionalja apo e drejtë individuale meqenëse shansi i të jetuarit jepet vetëm një herë në jetë. Nëpërmjet ngjarjeve lexuesi do të nxjerrë vetë konkluzionet e veta nëse është Ema vërtetë një mëkatare.

Mirela Kanini, jeton në Chicago që në vitin 1992. Ky është botimi i saj i parë dhe është pritur shumë mirë nga grupi botues. Ajo shpreson që kjo të reflektohet tek lexuesit.