Mentor Çoku, i fundit i fisnikëve

 

*Artikull nga Laurant Bica

…Ishte po ky ideal që më 1991, sikurse i ati 8 dekada më parë më 1913, të bëjë në Trieste me iniciativën e vet takimin Berisha-Nano, për të biseduar e gjetur “gjuhën” midis tyre në emër të së ardhmes së Shqipërisë…

Familja princërore e Gropajve (apo Çokëve, e njëjta gjë) del që në vitin e largët 1218 (tetë shekuj përpara) në histori. Këtë e kemi nga një dokument i zbuluar nga Akademia e Shkencave e Berlinit, që flet për të dhe një nga prekursorët e saj sevasti Andrea Gropa. (Titull i një oficeri bizantin që vjen menjëherë pas perandorit).

Rreth 6 dekada më vonë del prapë një Pal Gropa në vitiet 1272-1273 në tratativa me Anzhuinët, i cili flet jo vetëm në emër të vet, por në krye të një grupi bujarësh shqiptarë. Andrea Gropa tjetër më pas do të jetë dhëndër i Andrea Muzakës, i dinastisë tjetër princërore fqinje me ta dhe së bashku do të mundnin Marko Kralin, njeri i mbretit serb Stefan Dushanit dhe princi Muzakaj do t’u bashkojë zotërimeve të veta Kosturin, ndërsa princi Gropaj do t’u bashkojë feudeve të veta qytetin e Ohrit. Kjo në mesin e shekullit XIV.

Stefan Dushani do ta linte kokën e vet duke kaluar lumin Devoll, zotërim i Muzakajve. Gropajt dhe Muzakajt, dy familje të fuqishme feudale të Shqipërisë lindore do të hynin në histori si armiq të betuar tradicionalë të serbëve, si antiserbë të deklaruar.

Më 1389, në krah të Teodor Korona Muzakës, do të luftonte dhe një fisnik Gropaj në betejën e famshme të Kosovës, të kolacionit ballkanik kundër invadorëve osmanë. Kështu do t’i shohim krah për krah Muzakajt e Gropajt në histori të pandarë nga njëri-tjetri. Zaharia Gropa do të ishte, si të thuash, në periudhën skënderbejane, mesin e shekullit XV, ministër i jashtëm i kryetrimit Skënderbe, do të shkonte me misione të caktuara në Itali, Romë, Venedik, Raguzë dhe do të dallohej jo vetëm si diplomat, por do të ishte një ndër dy gjeneralët më të shquar të tij në betejat për 25 vjet rrjesht me osmanllinjtë.

Gropajt kanë qenë suzerenë të Patriarkanës së Ohrit, përsa kohë ekzistoi ajo deri në vitin 1767, kur ajo u mbyll nga Patriarkana e Madhe e Kostandinopojës. Patriarkana e Ohrit ka qenë nën mbrojtjen dhe kontrollin e tyre dhe në shumicën e saj patrikët e saj kanë qenë të gjakut shqiptar.

Pas vdekjes së Skënderbeut, me Gropajt u përsërit ajo që u ndodhi gjithë princërve shqiptarë. Një pjesë e mirë kaluan detin dhe u vendosën në Italinë e Jugut. Gjurmë të fisnikëve Gropaj gjejmë në një fshat arbëresh midis Brindisit e Barit, në Monteçiljone, ku çdo vit bëhet festivali e parada me veshjet e fisnikërisë shqiptare, si të Vrana Kontit, Muzakajve, Gropajve e të tjerë. I gjithë fshati, dhe ndonjë fshat arbëresh përreth, e mban veten se ka prejardhje fisnike. Një pjesë u islamizuan dhe ruajtën pronat, u bënë pashallarë në Ohër, Dibër, Strugë etj. Në fillim përdorën fenomenin e laramanisë, si kriptokristianë, dhe më pas u islamizuan plotësisht, por si besimtarë të sektit bektashi. Nuk është e rastit që Dibra dhe krahina përreth ka pothuajse barabar, në mos më tepër, teqe se sa xhami. Nuk është e rastit përhapja e bektashizmit në këtë shkallë në zonën e Dibrës.

Një krah i Gropajve apo Çokëve vazhdoi në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, aty ku vendosej fati i çdo gjëje, edhe i pronave të tyre, apo dhe i tërë Perandorisë. Nuk është e rastit që në shekullin XVI në Perëndim gjejmë një Papë i mbiquajtur Papa Çoka (apo Çoku), dhe po në këtë shekull, në apogjeun e supershtetit osman, gjejmë një kryeministër me origjinë nga bejlerët e pashallarët e Ohrit, Halil Pashë Ohri. Kjo familje princërore i mbijetoi kohërave si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Në vitet ’40, ’50, ’60 të shekullit XIX Iljaz Pashë Dibra (Çoku-Gropaj) përmendet si hero kombëtar i shqiptarëve. Dibrës i ra për risk të luftojë kundër të gjithë fqinjëve grabitqarë, edhe bullgarë në lindje, edhe në verilindje në Toplicë, Nish, kundër serbëve, edhe në Thesali e Selanik kundër grekëve, por edhe kundër malazezëve.

Një nga ato që është në linjë direkte, në vijimësi, është fisi në fillim me mbiemrin Beqiri, e pastaj i shndërruar në Hajdaraga, nga familjet e parësisë së Dibrës. Po nga Çokët rrjedhin dhe këto katër oxhaqe të Dibrës: Në Dibër të Madhe ishte shtëpia e Hoxhollit; në Dibër të Poshtme ishin tre oxhaqe: ai i Agollëve në Dohoshisht, ai i Karahasanit në Brezhdan, dhe ai i Xhilagës në Deshat. Në shpalljen e Pavarësisë më 1912 Ohrin e Strugën i përfaqësuan Gropajt, Zyhdi Ohri (Çoku) dhe Xhemal Ohri (Çoku), bejlerë të Ohrit, fis i Hamdi Ohrit, si dhe Mustafa Barotçia. Në krah të Ismail Qemalit qenë dy fisnikë dibranë. Dy nënkryetarët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishin Vehbi Agolli (Dibra) dhe Dom Nikollë Kaçorri, njëri hoxhë e tjetri prift, por të dy atdhetarë të kulluar. I pari nga oxhaku i Agollëve, rrjedhimisht, siç e kemi thënë më sipër, prapë ishin me rrënjë Çoku (Gropaj). Ai u zgjodh kryetar i Pleqësisë (Senatit) në Kuvendin e Vlorës. Pra, në Pavarësi ishin oxhakët e Shqipërisë që përfaqësonin popullin shqiptar. Ismail Qemali (Vlorajt), Murat Toptani (Toptanët, Topiajt), Zyhdi e Xhemal Ohri (Çoku), Vehbi Agolli (Çoku), Mithat Frashëri (Frashërllinjtë, Dukollarët), etj. Kongresi i Triestes më 1913, ku mori pjesë dhe një Faik Konicë etj. figura eminente atdhetare, ishte vepër veç të tjerëve e atdhetarit Hamdi Ohri.

Në të njëjtën rrugë eci dhe i fundmi fisnik Gropaj. Në gjurmë të derës së vet fisnike ishte Mentor Çoku, djali i Hamdi Ohrit, që në Asamblenë Kombëtare të vitit 1943, ku ishte deputet i Strugës, deklaroi burrërisht se Shqipëria nuk e pranon pushtimin fashist. Ishte ideali kombëtar që në vitin 1944, në kohën e gjermanëve, kur këta u prishën me bullgarët dhe vendlindja e tij Ohri mbeti pa zot për pesë ditë rrjesht, e shtyu të fusë 10 vetë të armatosur të veshur me kostum kombëtar e qeleshe të bardha, të ngrenë flamurin shqiptar kuq e zi me shkabën dykrenore, për të treguar se Ohri është shqiptar, është Shqipëri. Për këtë ideal fisnik gjatë luftës ai mori dy plagë në trupin e tij. Ishte po ky ideal që më 1991, sikurse i ati tetë dekada më parë më 1913, të bëjë në Trieste me inisiativën e vet takimin Berisha-Nano, për të biseduar e gjetur “gjuhën” midis tyre në emër të së ardhmes së Shqipërisë…

BIOGRAFIA

Mentor Çoku lindi në Elbasan më 1914 (maj 1996) dhe pa mbushur motin së bashku me të ëmën, shkuan në Ohër.

1925 – 1928, vazhdon shkollën e mesme në Beograd, ku jeta e tij merr një tjetër përmasë, atë të shqiptarit me shpirt të kulluar por edhe të vendosur për të kërkuar të drejtat e veta. Në Beograd mban lidhje të drejtpërdrejta me atdhetarin tjetër të shquar Rauf Ficon, i cili në atë kohë ishte Ambasador i qeverisë shqiptare në Jugosllavi. Natyrisht edhe me nxitjen e Raufit, Mentori së bashku me dhjetar gjimnazistë shqiptarë në Beograd, krijon “shoqërinë e djelmërisë për të drejtat e shqiptarëve” në thelb të së cilës parashihej lufta me mjete diplomatike dhe politike për arritjen e të drejtave të shqiptarëve. Në vitin e fundit të gjimnazit, kur protestat e kësaj shoqërie i patën kaluar kufijtë e Beogradit dhe po diskutoheshin në Paris e Gjenevë, Mentor Çoku pushohet nga shkolla pa të drejtë për t’u rikthyer më në Beograd. Kthehet sërish në Ohër dhe me disa provime plotësuese ka arritur në Shqipëri të marrë dëftesën e gjimnazit. Duke qenë se rezultatet në mësime i ka pasur tejet të larta, me ndihmën e pakursyer të prindërve (nëna e Mentorit ka qenë prej familjes së njohur të Toptanasve) shkon në Milano dhe fillon studimet në Fakultetin e Drejtësisë.

1935 Në shoqërinë e bijve të tjerë të shqiptarisë, juristi i ardhshëm, Mentor Çoku, do të debatonte me pedagogët e vet italianë, lidhur me disa të drejta legjitime të kombit të vet. Mentor Çoku le Milanon dhe shkon pranë familjes dhe miqve të vet në Ohër.

1939 Ndërsa urtësia ka qenë tipari karakteristik i tij, Mentori e ka pritur i revoltuar pushtimin Italian të 7 prillit.

1943, kontaktet e tij me nacionalistët e Kosovës, Maqedonisë shqiptare dhe atyre të shtetit amë, sa vijnë e shpeshtohen. Duke lënë menjanë avokatinë, Mentor Çoku bëhet organizator i formacioneve luftarake nacionaliste në Ohër, Strugë e Manastir. Ka qenë kjo arsyeja që ai zgjidhet si delegat i këtyre trevave në Lidhja e Dytë e Prizrenit në vjeshtën e vitit 1943. Fjala e tij në disa tubime të kësaj Lidhjeje, në Prizren, u dëgjua me vëmendje të madhe jo vetëm pse sillte atje trazimet politike në Ohër, Strugë e Manastir, por sepse parashihte trazime akoma më të mëdha në të ardhmen. Zëri i Mentor Çokut, u ndje ashpër sidomos në ngritjen sa më shpejt të formacioneve luftarake që do të vireshin në shërbim të kësaj Lidhjeje. Ata që kanë dëgjuar gjykimin e drejtë të Mentor Çokut në këto tubime, assesi nuk kanë harruar shprehjen proverbiale të tij “Partia ime është Lidhja e Prizrenit”.

1943 – 1944 Në parlamentin shqiptar , Mentor Çokun e shohim të kandidojë si përfaqësues i popullit të tij dhe fjala e Mentorit si kryetar i grupit parlamentar të Maqedonisë shqiptare, pati jehonë të madhe.

Nëntor 1944, Mentori së bashku me Mid’hat Frashërin, Hasan Dostin, Bato Rexhibin, Faik Qukun, Vasil Andonin e dhjetra nacionalistë të tjerë të shquar, merr rrugën e mërgimit në Itali.

1970 – 1980 I përkushtuar pas konfesionit mysliman, Mentor Çoku do të ishte një prej ideatorëve kryesorë të ngritjes së një xhamie në një nga sheshet e Romës. Në krye të komunitetit mysliman për Europën Juglindore, do të bënte ç’ish e mundur që çështja shqiptare të diskutohej në rrethet më të larta të diplomacisë perëndimore e lindore. Falë autoritetit dhe përkushtimit të tij, në vitet e 80-ta në Romë, do të ngrihej xhamia e madhe dhe aq e bukur e paisur me të gjitha ambientet e duhura.

1992 – 1993, Mentori shkon në shtetin amë disa herë dhe çmallet me të bijën që e pat lënë foshnjë, me miqtë e të afërmit, duke u kujtuar edhe bisedat e lëna në mes, në nëntorin e vitit 1944. Ai pritet nga personalitete të larta të së djethtës shqiptare, intelektual të Tiranës dhe Ohrit e Dibrës. Në një prej intervistave të dhëna në shtypin shqiptar të atyre viteve, lidhur me çështjen shqiptare, shprehet tekstualisht: “Unë kam një bindje personale që nuk ka të bëjë hiç me politikën, dhe përsëris me të madhe se çështja shqiptare në Ballkan asht fitueme. Asht e fitueme për një arsye. Jo aq për meritën e shqiptarëve të 1913-ës, por të Kosovës dhe Shqiptarëve të Maqedonisë që kanë mbërri koshiencën kombëtare, ndërgjegjen kombëtare” (Gazeta “Dardania” nëntor 1993).

Mentor Çoku, mbante në tavolinën e punës, në zyrë, por edhe në ambientet e shtëpisë, flamurin kombëtar e lidhur me këtë simbol, pyetjes së një gazetari në Tiranë, atdhetari Mentor Çoku do t’i jepte këtë definicion: “Përse populli ynë, më i lashti në Ballkan dhe Evropë, të mos prezantohet me shqiponjën e vërtetë të heroit tonë kombëtar, simbol që rrjedh dhe trashëgon lashtësinë prej dhjetëra shekujsh përpara vetë Skënderbeut ? Sot kur fatmirësisht këtë simbol e kemi në duart tona, të zbuluar dhe të verifikuar, një mendim tjetër mendoj se është i palogjikshëm, anakronik dhe si i tillë nuk mund t’i qëndrojë kohës” (Gazeta “Republika” më 25 nëntor 1993). Bija e tij Valbona, ajo që vuajti rininë e saj nëpër kampet famëkeqe të punës në Shqipëri,tregon me mall se si ditën e fundit të jetës së vet, Mentori kishte qenë tejet i lumtur nëpërmjet valëve satelitore, ai pat ndjekur në studion e vet, një protestë të fuqishme që shqiptarët në Zvicër patën organizuar për lirinë e Kosovës. Kjo protestë, fjalët e zjarrta dhe himni shqiptar i kënduar në Bern, e patën entuziazmuar Mentorin, i cili i kish thënë të bijës, fjalët e mbrame: “Kosova jonë do të lirohet shpejtë, e ndoshta pas kësaj i vjen radha Maqedonisë shqiptare”.