Messi, Ronaldo, Neymar, Isco, Kroos!!! Kur je i vetëm nuk vlen asgjë

Pritej të ishin yjet e padiskutueshëm të Botërorit rus, por njëri pas tjetrit janë larguar pa lënë gjurmë. Messi, Neymar, Cristiano Ronaldo, Kroos apo Isco nuk kanë mundur dot t’i japin asgjë nga vetja skuadrave të tyre. Botërori rus ka dhënë një leksion të vyer, që në epokën e futbollit modern vlen shumë, grupi është mbi individin.

 

 

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë padiskutim futbollistët më të mirë të dekadës së fundit, dy yjet që në konkurencë me njëri-tjetrin kanë rritur shumë nivelin e futbollit, por që në këtë kampionat Botëror bënë shumë pak. Pleshti nuk mundi të jetë lideri i albiçelestëve që e mbyllën një tjetër Botëror me dështimin e radhës, duke shtuar pikëpyetjet nëse Messi është aq i mirë sa edhe vlerësohet. E njëjta situatë edhe për CR7, që dy vite më parë arriti të udhëhiqte Portugalinë drejt triumfit kontinental, por që në Rusi rezultoi një zhgënjim. U duk se do të kishte tjetër histori Neymar, me Brazilin që po tregonte se ishte një skuadër e pjekur dhe gati për të sulmuar trofeun, por aventura e Seleçaos dhe e yllit të skuadrës u ndal në çerekfinale.

 

 

Nuk është rastësi suksesi i Belgjikës, që padiskutim posedon cilësi të jashtëzakonshme, ashtu si edhe franca, por që mbi individin kanë vënë interesin e grupit. Hazard pritej të ishte ylli i Djajve të Kuq, ndërsa Griezmann ai i gjelave, por deri më tani ka rezultuar që Belgjika dhe Franca mbi të gjitha po luajnë në mënyrë perfekte si skuadër. Askush nuk do ta mendonte që Suedia pa yllin Zlatan Ibrahimovic do të shkonte kaq larg, me nordikët që janë shembulli konkret që në futbollin modern vlen grupi, me individin që duhet të shfrytëzojë aftësitë e skuadrës dhe jo skuadra të luajë për individin.