A mund të kemi praktika profesionale në distancë?

 

Me një skemë të re për praktikat profesionale të nxënësve të grupmoshave 16-20 vjeç, me fokus tek ICT, projekti Aftësi Për Punë ka organizuar tryezën e rrumbullakët me përfaqësues nga bizneset që operojnë në këtë sektor dhe stafeve drejtues të shkollave profesionale.

Tiranë, më 7 shtator 2017 – Projekti Aftësi për Punë (Skills for Jobs) mblodhi në ambientet e Protik Innovation Center aktorë të ndryshëm me potencial bashkëpunimi për të prezantuar konceptin e Praktikave Profesionale në Distancë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Ky model është menduar të bazohet mbi përdorimin e teknologjisë dhe projekteve me bazë të nxënit, për të ndërtuar një marrëdhënie të vazhdueshme mes nxënësve të Shkollave të Arsimit Profesional dhe kompanive kudo që ato mund të ndodhen.

Qëllimi i kryesor i këtij takimi ishte validimi i konceptit të propozuar nga projekti Aftësi për Punë me ekspertë të industrisë, për të përcaktuar hapat në vazhdim për të krijuar një model të zbatueshëm dhe të qëndrueshëm.

Në një prezantim të shkurtër të projektit në tërësi, Z. Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit, paraqiti arsyet e ndërmarrjes së kësaj nisme, objektivat e këtij modeli praktikash profesionale në distancë si edhe dilemat për zbatimin e tij. Nxënësit e angazhuar në këtë model të praktikës profesionale, do mund të mësojnë përmes projekteve apo detyrave me fokus në programim, të hartuara dhe drejtuara nga mentorë në kompanitë TIK, në bashkëpunim me mësuesit.

Ai argumentoi se me investimet e ndërmarra deri më tani tek Shkollat Profesionale në Infrastrukturë si klasat e mësimit të kombinuar, Wi-Fi, laboratorë të pajisur me teknologjinë e fundit, zbatimi i mënyrave të reja të mësimdhënies bazuar në avantazhet e TIK, si dhe në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në mësimdhënie, kanë ndikuar në rritjen e vëmendjes drejt arsimit profesional duke sjellë shtim në numrin e regjistrimeve në vitin aktual shkollor.

Falë këtyre ndërhyrjeve të projektit, tashmë konsiderohet të jetë momenti i duhur për të aplikuar mënyra të reja të praktikave apo internship-eve në distancë.

Përse në ICT?

Nga një analize paraprake e sektorit të ICT në zonat ku Aftësi për Punë operon, rezultoi se ekzistojnë shumë pak kompani që ofrojnë këto lloj shërbimesh në këto rajone, çka përbën mundësi të pakta praktike për nxënësit, duke mos plotësuar dot nevojat që parashikojnë kurrikulat shkollorë.

“Nëse në sektorë të tjerë si Turizmi dhe Mikpritja kemi pasur sukses për praktikat profesionale, në sektorin e ICT ka ofertë të pakët nga bizneset e zonave, pavarësisht zhvillimit që industria ka. Ka një përqendrim në Tiranë të këtyre kompanive të TIK. Ndaj ne filluam dialogun me kompanitë për të kuptuar nevojat kërkesat e tyre të punësimit dhe pamë që ekziston nevoja për burime të kualifikuara në këtë sektor. Ndërkohë që në shkollat profesionale po afrohen gjithmonë e më shumë nxënës premtues dhe kërkues të cilët mund të përbëjnë një kontigjent të ardhshëm cilësor për të plotësuar ato nevoja. “ – konstatoi Z. Fation Dragoshi, menaxher i projektit.

Në diskutimin mes palëve u prekën shumë tematika të lidhura me lidhjen e arsimit profesional dhe biznesve, se si duhet të funksionojë marrëdhënia, problematikat me kurrikulat dhe kapacitetet e mësuesve, çështjet ligjore që duke u orientuar dhe tek situatat e largimit të nxënësve më të mirë jashtë vendit.

“Brezi aktual janë ‘Web Guys Millenials.’ Ata tentojnë të marrin njohuritë dhe lëvizin shpejt, dhe duke mos pasur nje treg kompetitiv në nivel ndërkombëtar, shanset janë që të largohen në Gjermani” – u shpreh Z. Erion Nako, përfaqësues i Sintesa CO.

“Konkurrenca në nivel ndërkombëtar është fakt, por jo pengesë. Nëse nxënësit apo studentët largohen, ata nuk po paguhen mjaftueshëm apo nuk po trajtohen sic duhet!

Ne po përpiqemi të përmirësojmë nivelin e arsimit në shkollat e mesme profesionale dhe besojmë se praktikat tek bizneset / kompanitë vendase do të forcojnë lidhjen e tyre me ta. Rrjedhimisht kjo rritje do të ndikojë forcimin e një marrëdhënie afatgjatë dhe të qëndrueshme dhe konkurrueshmëri më të lartë përtej kufijve. Ajo që po bëjme përbën një test dhe ne duhet ta provojmë të ofrojmë zgjidhje që tejkalojnë problemet” – tha Z. Henry LeerentveldSwisscontact Regional Director.

Përpos kompromisit thuajse unanim mbi pikat pozitive të këtij programi, këndvështrime të ndryshme mbi mënyrat e aplikimit të këtij programi u reflektuan në bisedë. Si do të testohet modeli, si do të ngrihet komunikimi mes shkollave dhe kompanive, sa nxënës për kompani do të planifikohen, çfarë angazhimi dhe kosto kanë kompanitë, pritshmëritë dhe mundësitë reale, cili do të ketë rolin e ndërmjetëm për të lehtësuar rrjedhën e komunikimit dhe operacioneve.

Konkluzione:

Të gjitha diskutimet pjesë e axhendes së takimit, rezultuan në disa konkluzione që do të përcaktojnë planin e ardhshëm të veprimeve konkrete.

Aftësi për Punë dhe Protik do të përpunojnë në detaje konceptin dhe do të vazhdojnë diskutimet në mënyrë individuale me kompanitë e interesuara.

Komunikimi mes praktikantëve dhe kompanive duhet zgjidhur nëpërmjet një platforme fikse ose të testohen modele të sugjeruara nga kompanitë.

Kompanitë sugjeruan që grupet e praktikave të realizohen në grupe të vogla me 4-5 persona për të cilët do të vendosin në dispozicion një mentor apo program mentorimi për t’ju përshtatur kapaciteteve që kanë.

Ka ende pak skepticizëm mbi implementimin e skemës në distancë për të cilën duhet të konsiderohen takime të ardhshme dhe zgjidhje specifike rast pas rasti.

Rreth Aftësi për Punë – Skills for Jobs

Projekti S4J në Shqipëri synon futjen e mënyrave të reja të të nxënit, orientimit të karrierës dhe marrëdhënieve midis arsimit profesional dhe punëdhënësve, me fokus përdorimin e teknologjisë së re. Të rinjtë në Shqipëri përfitojnë nga arsimi dhe formimi profesional cilësor të orientuar nga tregu i punës në sektorët me potencial për rritje ekonomike, duke mundësuar gjetjen e vendeve të punës tërheqëse dhe të denja.

Rreth Swisscontact

*Swisscontact është organizatë zvicerane e themeluar në vitin 1959. Ajo promovon zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe ekologjik duke mbështetur integrimin me sukses të individëve në jetën lokale tregtare. Swisscontact u krijon mundësi njerëzve duke punuar për përmirësimin e kushteve të jetesës, në mbështetje të përpjekjeve të tyre personale. Fokusi i ndërhyrjes sistemike në sektorin privat të Swisscontact është fuqizimi i zinxhirit lokal dhe global të vlerave. Nëpërmjet projekteve të saj, Swisscontact punon për të mundësuar aksesin në formim profesional, nxit sipërmarrjen lokale, krijon akses tek ofruesit lokalë të shërbimeve financiare dhe mbështet përdorimin efikas të burimeve me qëllim promovimin me sukses të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave. Swisscontact është aktiv në 26 vende me mbi 800 punonjës. Organizata është e vendosur në Zyrih, Zvicër.