Nesër merret vendimi i KAS për Milan. Italianët shpresojnë në pjesëmarrjen në Europa League

Është zhvilluar sot në KAS-in e Lozanës, në Zvicër, seanca gjyqësore që do të përcaktojë përfundimisht nëse do të marrë pjesë Milan në Europa League, në sezonin e ardhshëm. UEFA vendosi të përjashtojë kuqezinjtë nga kompeticionet europiane, pasi nuk kishin respektuar normat e Fair Play-t Financiar, të miratuara nga vetë qeveria europiane e futbollit. Gjithsesi kuqezinjtë vendosën të apelojnë vendimin në KAS, ku po kërkojnë që të vlerësohet fakti që tani klubi është pronë e fondit Elliot, që garanton financim të rregullt.

 

 

Pas disa orësh debate e diskutime në sallë, seanca ka përfunduar, ndërsa vendimi mund të vijë mbrëmjen e sotme, ose nesër paradite. Pjesëmarrja në Europë është mjaft e rëndësishme dhe përcaktuese për strategjinë e Milanit në merkato, pasi shumë prej futbollistëve do të kërkojnë largimin, për të mos ndenjur jashtë kompeticioneve europiane. Bonucci, Donnarumma dhe Suso janë tre nga lojtarët që vështirë se do të mbeten akoma te Milan, në rast se kuqezinjtë nuk do të marrin pjesë në Europa League.