NGA TIRANA NË NJU JORK

 

Magjia e fjalës dhe muzikës në duart e mjeshtrit të zërit, inxhinier Elton Verzivolli.

Të gjithë gazetarët e Radio Tiranës të cilët për njëzet vjet rrjesht kanë punuar me mjeshtrin e zërit, inxhinierin Elton Verzivolli do të ishin në unison me mendimin tim, që të punoje me Tonin (kështu i thërrasin kolegët dhe miqtë) ishte një kënaqësi e veçantë, madje unë do të shtoja se ajo që përjetoje në studion e mjeshtrit i kalonte caqet e kënaqësisë.

Ndoshta kjo gjë tek unë ndihej më shumë pasi puna në studio tek unë merrte kuptim të dyfishtë, duke qënë njëkohësisht në rolin e gazetarit dhe të shkrimtarit. Do të theksoja se me Elton Verzivollin nuk kishte të bëje thjesht me teknikën e zërit, regjistrimin e fjalës dhe përcjelljen e saj në eter. Besoj se ndodhte diçka më tepër, dhe ishte pikërisht shkrirja e teknikës me artin.

Nuk e teproj aspak kur them se tek inxhinieri i talentuar Elton Verzivolli pulti i studios kthehej në një instrument muzikor, në një aparat të fjalës artistike duke i dhënë satisfaksion gazetarit realizues të emisioneve të Radio Tiranës dhe sidomos dëgjuesit të Radios Publike Kombëtare e duke luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në rritjen e audiencës.

Jo rastësisht Eltonin e njoha gjatë procesit të punës, kur shkruhej, intepretohej, regjistrohej dhe transmetohej radionovela e parë shqiptare “Rruga me Pisha”, realizuar nga Radio Tirana në bashkëpunim me BBC World Service Trust. Duke qenë njëri ndër autorët e skenarit të kësaj radionovele bashkë me kolegët e mij shkrimtarë kemi dashur dhe ngulmuar që niveli artistik i episodeve që ne shkruanim, të kishte një nivel dhe cilësi të lartë në interpretim dhe sidomos në regjistrimin dhe përckelljen tek publiku. Kishim të bënim me regjisorë dhe aktorë të kualifkuar, por duke parë punën vërtetë cilësore të mjeshtrit të zërit, Elton Verzivolli, ne e kuptuam se puna jonë kishte rënë në duar të sigurta dhe se besimi ynë tek tekniku i ri njëzet e dy vjeçar ishte përligjur plotësisht.

Nuk do të zgjatem më tek puna e Eltonit lidhur me radionovelën “Rruga me Pisha” dhe me radionovelat e e tjera që e pasuan atë, për të cilat Verzivolli punoi me profesionalizëm e përkushtim. Impenjimi im në studion kamerale të Radio Tiranës, ku punonte Elton Verzivolli, kishte të bënte me punën time të përditshme të gazetarit. Bashkë me Tonin për një periudhë njëzet vjeçare kemi realizuar dhjetra programe radiofonike, të gjinive e zhanreve të ndryshme, që nga reportazhet, intervistat, bisedat në studio, kronikat dhe emisionet tematike në të cilat përfshihen shumë zhanre të gazetarisë. Emisionet më të mira, të cilave ua rriste vlerën mendja dhe dora e mjeshtrit të zërit, ishin programe të përjavshme të radios, cikle të plota radiofonike, emisione informative, argëtuese dhe edukative.

Që një program i mirë radiofonik të pëlqehet nga dëgjuesit, në radhë të parë kërkon punë krijuese dhe pasion. Në qoftëse këto cilësi do t’i kishte vetëm gazetari realizues, puna do të mbetej gjysmake. Pjresëmarrja me të njëjtin kreativitet dhe pasion e mjeshtrit të zërit, bën që programi të jetë i klasit të parë dhe jo vetëm të dëgjohet me vëmendje e të pelqehet nga dëgjuesi, por të kërkohet e të rikërkohet disa herë ritransmetimi i tij.

Në vitin 2003 nisëm përgatitjen për realizimin dhe transmetimin e një emisioni live, i cili do të transmetohej në orët e natës, që nga ora 20.00 deri në pesë të mëngjesit. Programi radiofonik i karakterit informues, argëtues dhe edukativ kërkonte një impenjim dhe kohë të gjetë për t’u përgatitur.

Kjo për faktin se në atë kohë Radio Tirana ishte në hapat e parë të regjistrimit dhe montazhit me kompiuter dhe shumë regjistrime bëheshin akoma me shirita. Emisioni përbëhej nga prezantimi live i gjithë programit dhe ishte i pasur me forma të ndryshme të gazetarisë radiofonike. Kishte një kombinim i reportazheve dhe intervistave të regjistruara me ato që transmetoheshin live, të tilla si kronikat nga jeta natës në Tiranë, rubrika “Kronika gri” që paqyronte në kohë reale problematikën e kryeqytetit, apo dhe rubrika të tjera si “Mikrofoni i fshehur”, “Mik në mikrokomedi” etj. Live transmetohej gjithashtu edhe konkursi enciklopedik “Radio Tirana Kuic”. Ky progaram zgjati dymbëdhjetë javë dhe mund të them me bindje se ishte një sukses i vërtetë. Por ky sukses nuk mund të arrihej pa punën e mjeshtrit të zërit, Elton Verzivolli, i cili veç aftësive të tij profesionale, manifestoi talentin krijues, imagjinatën dhe fantazinë konstruktive,

Programet e suksesshme radiofonike ku spikati puna e palodhur e mjeshtrit të zërit Elton Verzivolli nuk mbeti me kaq. Në vitin 2005 realizuam me sukses sëbashku programin radiofonik “Eurotunel”, një program politik e informativ i cili i bënte jehonë marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, dhe rruga e gjatë dhe e vështirë e vendit të vogël buzë Adriatikut për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ky emision, i cili ngjalli interesin e dëgjuesve, u realizua në bashkëpunim me drejtorinë arsimore të Tiranës dhe me pjesëmarrjen e shkollave të mesme të kryeqytetit. Në të gjetën vend reportazhe e intervista nga vendet e BE, si dhe biseda me ambasadorët e shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian dhe me ambasadorët e këtyre vendeve në vendin tonë.

Ndër programet e tjerë radiofonikë të realizuar me inxhinierin Verzivolli vlen të përmenden edhe emisionet jubilare me rastin e 65 dhe 70 vjetorit të krijimit të Radio Tiranës, programe këto me vlera historike dhe gërshetohej puna krijuese me kërkimet në arkivin e Radios. Përmenda vetëm një pjesë të atyre programeve që unë si gazetar me një përvojë të gjatë në Radio Tirana, kam realizuar bashkë me Elton Verzivollin. Por Toni ka punuar me të gjithë gazetarët e Departamentit të Kulturës të Radio Tiranës dhe secili prej tyre ka për të thënë e për të treguar përvojat e veta gjatë punës me këtë mjeshtër të fjalës dhe muzikës.Gjatë punës për realizimin, regjistrimin dhe montazhin e emisioneve të Radio Tiranës, Elton Verzivolli spikati gjithashtu mjeshtërinë e tij për realizimin e siglave, kaq të rëndësishme për paraqitjen artistike të përmbajtjes.Duke qenë njohës i mirë i muzikës, arrinte të realizonte me cilësi të lartë jo vetëm ilustrimet muzikore, por edhe siglat, hyrjet dhe paraqitjen e emisioneve dhe spoteve të tyre.

Eltoni është përfshirë gjithashtu edhe në ngjarje të rëndësishme, aktivitete të Radiotelevizionit Shqiptar. Të tilla janë disa nga Festivalet Kombëtare të Radios në Radiotelevizion. Verzivolli e ka treguar veten edhe në këto raste si mjeshtër i fonisë, duke përcjellë produksion muzikor me cilësi të lartë tek spektatorët, telespektatorët dhe dëgjuesit e Radios.

Fakti që ai zotëron mjeshtrinë e zërit por tashmë edhe të punës me figurën tregon për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij. Ai sot punon në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndjen erën e suksesit. Elton Verzivolli është i angazhuar me projekte televizive pranë kompanive prestixhioze si Hudson Creative Productions dhe Hi Tech Photography.

Puna, profesionalizmi, përkushtimi dhe pasioni që shfaq mjeshtri Elton Verzivolli është rruga e tij njëzetvjeçare plot arritje dhe suksese, është një tregues që padyshim premton edhe për të ardhmen.

Burimi: Shkruar nga Grigor Banushi