Me ngadale fjalen ‘burg’

Lidhur me artikullin:

Mero Baze.

Ka nje retorike te shtuar te kryeministrit, por edhe te disa ministrave, qe ne kuadrin e masave represive per vendosjen e autoritetit te shtetit, po permendin perdite e me shume fjalen burg. Po e perdorin kete per personat qe kapin me lidhje te paligjshme te energjise elektrike, per ndertimet pa leje etj… Sot u kalua me ne ekstrem, kur kryeministri permendi si mundesi burgosjen per detyrime tatimore edhe te punetoreve te pasiguruar.

Qe shteti tregon dhembet per te mbledhur detyrimet e tij, ben mire. Mire ben edhe qe po u jep fund teorive te amnistive dhe fillimit nga viti zero per detyrimet e vjetra. Por, eshte tjeter gje te flasim per detyrimet ligjore qe kane shtetasit ndaj qeverise, dhe tjeter gje per projektet e reja ligjore qe ka qeveria kunder shtetasve te saj. Kjo e dyta duhet ndare nga e para, nese ka ndermend te behet vertete.

E them kete, sidomos kur degjoj kryeministrin te flase per burgosje lidhur me detyrimet tatimore apo punonjesit e pasiguruar. Ky nuk eshte nje detyrim i sotem ligjor i shtetit shqiptar, pasi veprimtaria tatimore dhe raportet punedhenes- punemarres jane te rregulluara me Akte Administrative dhe jo me Kodin Penal. Gjykata Kushtetuese e Shqiperise eshte shprehur se asnje ligj i zakonshem shqiptar nuk mund te parashikoje dispozita penale dhe si pasoje, askush nuk mund te ngarkohet penalisht per shkelje te nje dispozite administrative.

Por, e thene nga kryeministri, kjo eshte nje ceshtje serioze. Dhe e vetmja menyre, qe ta kuptojme si kercenim real, eshte qe te mendojme se qeveria do ta perfshije ne Kodin Penal kete ndeshkim. Nese e ben, atehere kemi nje ndryshim rrenjesor te raporteve te biznesit me shtetin.

E para, nese detyrimi tatimor perfshihet ne Kodin Penal, nuk duhet te kete parapagim detyrimesh qe t’i ngarkon administrata tatimore gjate kontrolleve, pasi njeriu prezumohet qe eshte i pafajshem deri diten e gjykimit kur ngarkohet me faj nga gjykata. Ky element demton rende eficencen e administrates tatimore, e cila siguron te ardhura te konsiderueshme nga keto praktika te parapagimit te gjobave dhe pastaj ankimimit te tyre.

Se dyti, konvertimi ne dite burgu i detyrimeve tatimore (p.sh nje dite burgu per 10 mije leke), mund te mbushe burgjet me biznesmene, por nuk mbush arken e shtetit me leke, pasi rriten kostot e burgjeve dhe shteti humbet dyfish. Praktikat me te mira perendimore, jane ato te sekuestrimit te mallrave dhe te pasurive te biznesit debitor, nese ai nuk ka shprese per ringritje.

Se treti, duhet te shfuqizohet i gjithe kapitulli per ligjin tatimor. Nese e konverton ne veper penale, duhet te ikin gjithe procedurat e mbledhjes me force te detyrimeve dhe ketu eshte serish problemi i sekuestrimeve dhe nxjerrja e tyre ne ankand per te mbushur arken e shtetit. Pra, dhe ky prioritet qe kane tatimet, bie.

Se katerti, kemi precedentin e shpalljes si te pafajshem te personit qe akuzohet si debitor dhe atehere shteti duhet t’i kompesoje atij ditet e burgut, te cilat nga ana e tyre si demshperblim, jane te patatueshme dhe jemi perseri ne nje grope fiskale te shtetit.

Se pesti, vete doktrina penale ne Shqiperi nuk te lejon qe te kete denime penale per akte te nxjerra nga administrata tatimore apo policia, pasi ashtu i bie qe Drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Policise, te zevendesojne Prokurorine. Taksat ne baze kane aktin administrativ, i cili aktualisht goditet ne gjykate. Ketu, problemi lind se kur duhet arrestuar “dikush”, para ankimimit apo pas ankimimit.

I gjithe ky mishmash ligjor qe prodhohet nga deklarata te tilla, ne vend qe ta forcojne shtetin, kam frike se e corodisin me shume. Dhe shkojne ne te kundert te efektit qe kane vete masat fiskale dhe forcimi i administrates tatimore apo administratave te tjera, si ajo ndertimore, elektriko- pyjore, inspektoriati i punes etj.

Nuk eshte burgu ai qe tremb biznesin, por eshte biznesi, ai nga i cili duhet te trembet nje shtet kapitalist. Biznesi eshte i vetmi motorr qe mban gjalle shoqerine dhe ne Shqiperi, edhe per kushtet specifike te saj, ata jane te vetmit njerez qe punojne 20 ore ne dite. Punedhenesit shqiptare, ata qe jane te mbytur ne kredi dhe njemije telashe me recesionin ekonomik, eshte shpetim t’u thuash se do i cosh ne burg, pasi u japin fund telasheve te tyre. Por, shoqeria, dhe sidomos ekonomia, ka nevoje per nota optimiste dhe nje qasje pozitive ndaj atyre qe duan te investojne ne kete vend. Ata qe ofrojne mundesi punesimi apo qe investojne parate e tyre me biznes ne kete vend, jane te vetmit patriote te ketij vendi. Te vetmit qe bejne dicka per kete shtet, te cilit partite ia kalojne njera pas tjetres stafeten e batakcinjeve te administrates, qe e rrjepin dhe e bejne gjithnje e me te dobet.

Me ngadale kur ngrini zerin dhe tregoni me gisht nga ata njerez per burg. Dhe mbi te gjitha, me ngadale, per te mos u dukur qe s’keni shume haber nga shteti dhe ligjet, kur mendoni se po permende fjalen burg, i ke trembur vertete. Njerezit e ditur e dine nga se kane frike, pasi i dine ligjet. Ata mund te tremben vetem nese kuptojne se deklarata te tilla jane serioze. Dhe nese jane serioze deklarata te tilla, nuk eshte serioz shteti.

 Botuar ne gazeten Tema