Nisret Bujari, shqiptari që po kandidon në Këshillin Bashkiak në Baden të Austrisë

Nuk janë të paktë shqiptarët që janë angazhuar në politikën e huaj. Këtë herë bëhet fjalë për shqiptarit nga Suhareka Nisret Bujari. Në kuadër të zgjedhjeve lokale në Baden të Austrisë ai kandidon në listën e Partisë Popullore ( ÖVP ), më 26 Janar 2020.

Nisreti dëshiron që në nivel lokal shqiptarët të kenë dhe përfaqësues të tyre në Këshillin Bashkiak/Komunal. Komuniteti Shqiptar në Baden vlerësohet shumë nga miqtë austriakë, pasi kanë sukses në të gjitha fushat. I pasur është aktiviteti politik i bashkatdhetarit Nisret Bujari, nga Badeni i Austrisë, me prejardhje nga Suhareka. Gjatë ardhjes për në Austri, në vitin 1999, ai iu përvesh punës në fushën e gastronomisë, duke pasur mundësi që të krijojë kontakte me personalitete të ndryshme e të shquar të jetës politike në këtë vend.

Që nga viti 2015, ai kaloi në sferën e kopshtarisë, duke hapur një sipërmarrje kopshtarie. Mirëpo, ai nuk ndaloi me aktivitetet e tij politike në shumë sfera, duke bërë përpjekje për të integruar sa më mirë bashkadhetarët e tij. Kohët e fundit, ai është duke punuar për hapjen e një klubi, në të cilin do të bëhej i mundur takimi sa më i afërt e i shpeshtë me bashkatdhetarë dhe të huaj të tjerë, në mënyrë që t`u mundësohet integrimi në shoqërinë austriake.

Nisreti pohon se është shumë i afërt me partinë ÖVP të kryeministrit aktual, Sebastian Kurz, pasi ai ka kontribuar shumë për afirmimin e kësaj partie, në forma të ndryshme të afrimit të personave të tjerë me këtë parti.

Aktualisht, nën numrin 37 Nisreti, është duke kandiduar në zgjedhjet e ardhshme komunale në asamblenë komunale, një hap ky shumë i rëndësishëm për shqiptarët e shumtë në këtë rrethinë, të cilët ai eventualisht do t’i përfaqësojë me synimet e tyre për një jetë më te mirë në sistemin shoqëror austriak.

Nisret Bujari në zgjedhjet e 26 Janarit gjendet në listën e ÖVP me numër 37, prandaj ftohen të gjithë Shqiptarët që kanë të drejtë Votimi, të dalin në zgjedhje dhe të votojnë kandidaturën e Nisret Bujarit.

Të mbetemi me shpresën se shqiptarët në Austri do ta përkrahin në numër sa me të madh Nisret Bujarin, bashkatdhetarin që do të jetë një ndihmë e madhe për të drejtat e tyre.