Një dritë qiriu për Moisiun e skenës dhe pak aromë nga dielli fantastik i Kodrës

 

( ..Nga dueti harmonik i fjalës artistike me imazhin piktoresk)

Dialog me Mbrojtësen e vlerave të përbotshme, znj. Marie Pacolli.

Një puhizë ajri plot dritë disku diellor na ngre nga gjumi i fillim ditës, përballë ujërave të liqenit të Luganos në Zvicrën italiane. Dalim nga tuneli malor e afrohemi në shtëpinë e dytë të piktorit Ibrahim Kodra në Parajsën tokësore (Paradiso).

Në këtë ardhje na përshëndet një tjetër artist pamor shqiptar nga posterat ose tabelat e vlerave të reklamuara në rrugë. Skulptori Helidon Xhixha i pranishëm në shumë nga sheshet e kantonit të Luganos, shihet i ekspozuar në mënyrë harmonikë me 20 punët e tij të ciklit “Reflekse drite”, si një muze në qiellin e hapur ku arti dialogon me natyrën.

Ritakimi me drejtuesen Marie Pacollin, së bashku me njerëzit e saj të fondacionit për kulturën, na vendosin në një situatë vlerësimi me emocione pozitive.

Larmia e ngjarjeve nuk mungon asnjëherë. Për piktorin Ibrahim Kodra dhe aktorin Aleksandër Moisiu ka gjithmonë të reja.

Fondacioni kulturor “Ibrahim Kodra” që ajo drejton, nuk resht së organizuari aktivitete kulturore, të përvitshme, duke i dhënë shijen e jetës atij vendi aq të qetë e duke mbajtur të gjalla e të freskëta vlerat artistike të autorëve të njohur nëpër botë si shqiptarë, rusë e italianë.

Duke u ngjitur në kodrat e komunës Morkote, ndjekim Itinerarin e aktorit Aleksandër Moisiu. Atje shohim dhe prekemi  me vendprehjen e artistit shqiptar si monument i mbrojtur nga UNESCO. Një befasi e bukur shihet në hyrje të varrezave, një kishë në restaurim e njohur si Kisha e Shën Maries së Gurit (Santa Maria del Sasso). Kisha e shekullit të tetëmbëdhjetë në stilin e Rilindjes italiane sa vjen e po merr vëmendjen e publikut dhe autoriteteve të kulturës në sferën e dhurimit të fondeve për restaurim, falë iniciativës së Maries, rrethit të kolegëve e dashamirësve të nismave të saj.

Më poshtë duke udhëtuar në makinë me znj. Pacolli, e stolisur nga dijet e saj, falë formimit për Sociologji Arti në Shën Petërburg, ajo na flet me pasion për këtë Kryeqytet Kulturor, bijë e të cilit ajo është. Pastaj na tregon me entuziazëm mbi punën e mirë në promovimin e vlerave duke mbrojtur kishat e vjetra të Luganos. Më vonë na thotë nën zë edhe sesi kanë mbështetur, në mënyrë modeste projekte për të rinjtë nga Gjilani në njohjen e Kosovës (në 10 vjetorin e Pavarësisë), përmes artikujve nga Enciklopedia e Lirë në gjuhën shqipe.

Zbresim në krahun tjetër të liqenit në lagjen e quajtur Kampioni i Italisë dhe vërejmë me habi e humor në ecje,  pllakat mbi trotuar të kufirit ku ndahet Italia me Zvicrën. Më tutje soditim nga ballkoni i një Kishe tjetër, Shën Maria e Kurorave (Santa Maria dei Ghirli) e cila ka një stil pikturash murale të ngjashëm me Kishën e Morkotes dhe Kishën e Ëngjëjve në Paradiso të Luganos.

Këtu Liqeni na buzëqesh dhe reflekton një dritë qetësie e frymëzimi artistik, ndërsa përfytyrojmë finalen e jetës së kaluar në këtë mjedis nga aktori Aleksandër Moisiu.

Kësaj here brenda qendrës Kulturore në Melide, u njohëm me një koleksion më të shtrirë të pikturave dhe skicave të Ibrahim Kodrës. E dëgjuam thirrjen e Artistit shqiptar, më të plotë duke “ecur mbi mijëra vjet qytetërim” si shprehej dikur artisti në kujtimet e tij , nga Durrësi në Milano e nga Ishmi në Lugano. Marie Pacolli me aurën Mariane të Kulturës, si një misionare me shikim të  largët na tregoi një shteg të ri drejt vlerave të përbashkëta.

Një vlerë e tillë ishte edhe ngjarja kulturore  e realizuar në 12 Qershor në Gjenevë të Zvicrës, me objekt arkitekturën e ekologjinë frymëzuar nga tabloja ”Qyteti i ri” i Kodrës, me aurën tematike: “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë” me pjesëmarrjen e fëmijëve jo vetëm nga Kosova por ballkanas si romët, boshnjakët, turqit dhe serbët. Ekspozita lëvizëse e ndërtuar me shumë zëra, ka shëtitur nga Strasburgu në Bernë e Gjenevë dhe vjen në festën e fëmijëve, ditën e autizmit dhe ditën e mbrojtjes së mjedisit në muajin Qershor. Arti i paraprin shkencës teksa natyra e imiton atë, në këtë formë na shoqëron vepra piktorike e Kodrës dhe zëri kumbues i Moisiut.

Video intervista me znj. Marie Pacolli.

Shkruar nga Andi Bica, Beti Kumi