Një gur mozaiku plotësues i orfeut të Durrësit, piceria “Ci Ritorno”

 

 

*Artikull nga Andi Bica, Beti Kumi

Piceri “Ci Ritorno” simbioza e re e kuzhinës italo shqiptare.

Shpërndarja e picave falas për të gjithë nis me një ftesë për të festuar në shëtitoren “Vollga” të qytetit të Durrësit.

Një portë e hapur pritëse e picave, pranë ëmbëlsirave të Çelës, të thërret me muzikë italiane me motivin e rikthimit ” Ci ritorno” në qendër të piacës bregdetare.

Sot, statusi i një kuzhineri të talentuar në shoqëri, mund të jetë edhe më i rëndësishëm praktikisht se ai i një politikani apo drejtuesi sportiv.

Menuja e zgjedhur relaksuese e shef Qazim Xifaj, në përurimin e picerisë me furrë druri është edhe ajo e sallatës me fruta deti, peshqve në furrë dhe antipastat si të ftohta edhe të ngrohta. Nga kuzhina e traditës kombëtare kuzhinieri durrsak ndalet te byrekët me erëza, tava e baltës e Elbasanit dhe japrakët. Martesa shqiptaro italiane sipas tij qëndron tek miksimi i picës me rajonin e Durrësit, kjo është “Pica Durrësi” ose “Pizza Durrazzo”, recetën e të cilës nuk mund ta zbuloj tani herët.

Në variacionet e pjatave të realizuara me pasion, filtrave të kuzhinave perëndimore e lindore të prurjeve nga emigrantët, po gjallon një konkurrencë e shëndetshme në këtë zeje kaq të ndjeshme për publikun.

“I sugjeroj kuzhinerëve të rinj të ruajnë e të kenë si yll polar pasionin sepse kuzhina është art dhe kuzhinierët për mua janë si artistë të cilëve u duhet qetësi dhe relaks.”

Në krahun e djathtë të Shef Qazimit qëndron aleati i tij më i mirë, menaxheri Elvis Arifi, i cili nuk ngurron të tregojë kualitetin e ri të shërbimit dhe prurjeve të kuzhinës mes dhjetëra të ftuarve. Ata janë tubuar gëzueshëm si në një martesë apo ditëlindje të pemës së familjes.

Çdo njeri – thotë Elvisi – mund të kërkojë masën e tij të picës me risinë e “Pizza a Metro”, pra pica e shtrirë në gjatësi.

Pica më e re e krijuar në formë artizanale nga picieri Fadil Vrioni, në zonën më të frekuentuar të pedonales së Epidamnusit antik mbështetet mbi kolonat e përvojës në Itali të realizuesit të kësaj “shtëpie mikpritëse të picës”. Gjithashtu kjo nënkupton edhe praninë e shefave italianë të kuzhinës krahas atyre shqiptarë, në ndërthurjen e dijeve mbi shijet dhe aromat e të dy vendeve dhe të përbashkëtat e tryezave.

 

E kuqja, jeshilja dhe e bardha treten natyrshëm mbi një truall Kuq e Zi ngjyrash e njollash në dekorin festiv të Picerisë “Ci ritorno”. Ndoshta dashuria e udhëtarëve në Durrës, nuk fillon vetëm nga stomaku, por një motiv i bukur nxitës për të dashuruarit e Shën Valentinit në 14 Shkurt është edhe trokitja e gotave të verës së kuqe pranë flakës romantike të pasionit.