“Një Libër për Preshevën”, fushata e studentëve të kolegjit universitar “Bedër”, siguron qindra libra në pak ditë

 

Një grup studentësh të masterit shkencor në Shkenca Komunikimi, kanë prezantuar fushatën sensibilizueze “Një Libër për Preshevën”. Nisma bëri bashkë personalitete të fushave të ndryshme, politikanë, përfaqësues të botës akademike, të gazetarisë dhe shoqërisë civile në funksion të qëllimit final, mbledhjes të sa më shumë librave jashtëshkollore në gjuhën shqipe dhe mjeteve arsimore për disa shkolla në Luginën e Preshevës.

Rektori i Kolegjit Universitar “Bedër”, Prof. dr. Ferdinand Gjana shkoi edhe më tej duke premtuar që institucioni që ai drejton do të japë disa bursa sociale dhe ekselence për vitin e ardhshëm akademik për nxënësit e Luginës së Preshevës.

I ftuari i nderit në këtë aktivitet, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ndau me të pranishmit lajmin e mirë se më në fund, po shkon drejt zgjidhjes problematika shumëvjecare e mungesës së teksteve shqip për nxënësit në shkollat e Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit dhe me në fund duke nisur nga viti shkollor 2017-2018, nxënësit në Luginë do të mësojnë me rreth 43 tekste të reja të gjitha në shqip, të përgatitura nga Shqipëria.

Drejtuesi më i rëndësishëm vendor në Luginën e Preshevës tha se është e nevojshme që Shqipëria të jetë më e pranishme në proceset zhvillimore të Luginës së Preshevës, në jetën social-ekonomikë, arsim dhe shëndetësi.

Arifi e konsideroi nismën studentore për mbledhjen e librave dhe mjeteve arsimore një simbol të marrëdhënieve mes shqiptarësh. Kreu i Komunës së Preshevës pohoi se për shqiptarët në Luginë, kjo nismë ka një vlerë të jashtëzakonshme sidomos në aspektin emocional, madje më shumë sesa mund të mendohet nga vetë grupi nismëtar i kësaj fushate.

Preshevarët nëpërmjet kësaj nisme kanë për ta ndjerë veten si një selam që vjen nga nëna e tyre Shqipëri,” u shpreh mes të tjerash Shqiprim Arifi i cili shoqërohej në këtë aktivitet nga publicisti dhe njëkohësisht drejtuesi i televizionit “Spektri” në Bujanovc, Nehxhat Behluli.

Ndërkohë Zv.Ministri i Arsimit, Rinisë dhe Sporteve i Shqipërisë, Shpati Kolgega e konsideroi fushatën “Një Libër për Preshevën”, një nisëm me dimension shpirtëror që bën bashkë të rinjtë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Z.Kolgega premtoi angazhimin e tij që nisma të jetë mbarëkombëtare me përfshirjen edhe të shkollave dhe universiteteve të vendit.

Në aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe blogeri Olti Curri, i cili mes të tjerash është “pagëzuar” nga vetë studentët edhe si ambasadori i fushatës “Një libër për Preshevën”. Olti Curri e cilësoi nismën të veçantë, më shumë mesazhin që përcjell sesa për sasinë e librave që do të mblidhen, teksa premtoi mbështetjen e tij maksimale që fushata të përhapet edhe më shumë.

Publicisti dhe pedagogu Agron Tufa dha shembullin konkret të ndihmës në këtë fushate duke dhuruar 200 libra në ndihmë të fëmijëve në shkollat e Luginës së Preshevës, ndërsa deri tani në pak ditë të nismës janë grumbulluar afro 1 mijë libra dhe shuma monetare nga individë dhe biznese që do të dërgohën në shkollat e Luginës së Preshevës në fillim të muajit mars.

Kushdo që dëshiron t’i bashkohet kësaj nisme, mund të kontaktojë me studentët në rrjetet sociale nëpëmjet faqes ‘’Një libër më shumë për Preshevën në Facebook dhe në #perpresheven në instagram. Librat dhe kontributet e tjera dhurohen në ambjentet e Kolegjit Universitar Beder.